Është një fakt i njohur tashmë, se në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor shumica e njerëzve shohin te anëtarësimi në Bashkimin Evropian mundësinë për t’iu bashkëngjitur sa më shpejt shteteve të pasura të Evropës Perëndimore dhe Qëndrore. Ndërkohë, mjaft politikanë të këtyre shteteve janë të bindur që një përafrim i vendeve të Gadishullit dhe anëtarësimi i mëvonshëm i tyre do të siguronte atje dhe në të gjithë kontinentin një paqe më të qëndrueshme. Këto vizione të paraqitura si shpalosje e një gjendjeje të ardhshme, sigurisht që bazohen te përshkrimi dhe analiza e realitetit të së tashmes, te përvojat e së shkuarës dhe te pohimet e arsyetuara, te shpresat dhe përfytyrimet se si dhe ku duhet të shkohet.

Në kudër të projekteve të kësaj teme është më së pari detyrë e politikës që të krijojë kushte dhe të dëshmojë drejtime, për të shfaqur idetë rreth perspektivave më të mira, që mbështeten në vlera kryesore, në bindje themelore dhe në portrete njerëzore. Çfarë duhet të kuptohet me këto vlera, bindje dhe portrete, çfarë rëndësie kanë dhe duhet të kenë ato për popujt evropianë? Pra, vetëm nëse më parë politikanët janë të sigurt në përgjigjen pohuese të kësaj pyetje, atëhere ata mund të jenë në gjendje të dialogojnë mes tyre dhe me të tjerët.

Nën këtë optikë vërehet edhe vizita në Serbi e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Një vizitë e tillë merr vlera historike jo vetëm se zhvillohet pas 67 vjetësh, gjatë të cilëve midis dy vendeve sunduan parreshtur konflikte, tensione dhe situata politike e ideologjike të ndera, por edhe ngaqë tashmë ka ardhur koha dhe janë krijuar kushte të mirëfillta për të kryer krah njëri- tjetrit rrugëtimin e integrimit evropian. Pas akordimit të statusit të Shtetit Kandidat për në BE të Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe jo shumë larg të Bosnjë–Hercegovinës e më pas të Kosovës, një hap i madh po hidhet në këtë rrugëtim, duke mos humbur shanset e nxitjes nga zbatimi i një plani të harmonizuar mirëqeverisjeje, investimesh dhe tregëtie për periudhën 2014-2018.

Ky është një plan, që përmbledh disa projekte unike të përcaktuara para afro 3 muajsh në Samitin e Berlinit, pikërisht kur u mbushën 100 vjet nga fillimi i Luftës I Botërore. Nga realizimi i këtyre projekteve, për çka Tiranës zyrtare - anëtare e Alenacës së Atlantikut iu besua roli koordinues, tani ekziston një bindje e përgjithshme se brenda pak viteve do të duket apo ndjehet një progres i vërtetë për gjithë Rajonin. Në këtë kuadër, natyrshëm mund të nisë të forcohet edhe bashkëpunimi i ngushtë midis shteteve të tij, përkatësisht edhe midis Shqipërisë dhe Serbisë.

Por, nëse nga kjo vizitë zyrtare në Beograd e delegacionit të nivelit të lartë të Shqipërisë nuk mund të priteshin veçse aplikim i protokolleve të mirësjelljes ndërkombëtare, si edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje qeveritare, këto nuk mund të konceptohen si shenja të një farse diplomatike.     

 Tek e fundit, vetmia dhe izolimi nga i njëjti Kontinent i vjetër nën një qiell të përbashkët nuk mund të jetë një gjendje e arsyeshme. Vërtet që Zvicra, për shembull, mrekullisht jeton si një shtet i paangazhuar dhe, me këtë status juridik të gjithëpranuar, edhe jashtë kornizave të Bashkimit Evropian, ndërkohë që ajo është një vend me mirëqënie dhe i pasur, por që u detyrohet të njëjtave vlera si Shtetet e tjera të Unionit. Ndërsa, vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetojnë më të ndara nga pjesa tjetër e Evropës dhe as veçmas ndërmjet tyre. Ndonëse deri tani kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë rudimente shkëputëse midis kulturave, por edhe midis njerëzve që jetojnë në hapësirat e këtij Rajoni, çdo papajtueshmëri në këtë drejtim do të duhej të sheshohej konkretisht, duke u bazuar veçanërisht te rezultatet e planeve të përbashkëta, që nuk mund të mbështeten në diktatin e dhunshëm të një “kanuni” të vjetëruar vlerash mbi kurriz të të tjerave.

Vetë fakti që flamuri shqiptar u ngrit në Beograd pikërisht sapo ishin mbushur 25 vjet nga prishja e Murit të Berlinit, për të dy vendet tona ofron pikëpamjen, sipas së cilës, vlerat e pranueshme për të gjithë kërkojnë një peshë të qëndrueshme: njohjen tonë, dijen tonë normative, edhe pse këto mund të jenë fillimisht të kufizuara, jo të përsosura, sidomos gjatë kapërcimit të limiteve që imponojnë formatet e nacionalizmit ekstrem. Por, përsa kohë që diskursi i vlerave të zhvillimit ka filluar të kuptohet dhe do të kuptohet gjithnjë e më mirë si një përpjekje e përgjithshme mbi të vërtetën, së cilës njerëzit i afrohen herë më shpejt dhe herë më ngadalë, këta janë të detyruar t’i lejojnë të tjerët të marrin pjesë si të barabartë në këtë diskurs.

Prandaj, kur është thënë dhe përsëritur gjithnjë, se të mos njohësh të kaluarën do të thotë të mbetesh fëmijë gjithë jetën, asnjëherë nuk është harruar të theksohet, gjithashtu, që bota është e mbushur me plot shembuj për kapërcimin e vuajtjeve, shtypjeve, dasive dhe kontrasteve. Nbi bazën e një vlerësimi të tillë mund të kuptohen edhe replikat midis dy kryeministrave, Rama dhe Vuçic, në konferencën e tyre të shtypit, kur i pari kërkoi të njihet Pavarësia e Kosovës dhe i dyti e quajti këtë si një provokim. Mirëpo, vetë fakti që në Beograd ishte planifikuar të pritej me gjeste ceremoniale, siç u prit, qeveritari nga Shqipëria, këtë herë dyshimet, rreziqet dhe frika që manifestoi homolugu i tij serb u shprehën fare qartë si pjesë e mundimit të mendjes së tij, të atij mundimi që ngërthehen në ngërçet e vdekjes së frymës së vjetër, dhe në streset e lindjes së atyre njerëzve, që kohë pas kohe i thërret detyra për t’i dhënë formën e duhur përparimit të së drejtës së pranuar përgjithësisht.   

Në kuadrin e kësaj përpjekjeje të përgjithshme, vizita në Serbi e Kryeministrit Rama, nuk është aspak e nxituar siç u pretendua në disa media nga të dyja anët e kufirit. Përkundrazi, ajo do të sjellë më shpejt reflektime të përshtatshme, që me projektet e një nisme të përbashkët ekonomike ngre siparin e përballjes me sfida të tilla, si: ndërtimi dhe konsolidimi i shoqërive ku të gjithë njerëzit të jenë zotërues të qytetërimit dhe ku të tëra arritjet humane t’u shërbejnë atyre; mënjanimi i çdo vatre ekstremizmi dhe forcimi i komuniteteve fqinjësore bashkëpunuese në rrugën e përbashkët të integrimit evropian; formimi i një bashkësie ndërkulturore pa kufij, bazuar në principet dhe vlerat universale etike të partneritetit, tolerancës dhe solidaritetit. Pra, të këtyre parimeve dhe vlerave që, veç të tjerash, përmblidhen edhe si një kusht për të hyrë në Bashkimin Evropian, nëpërmjet përmbushjes së të ashtuquajturave ‘Kritere të Kopenhagenit’, sipas të cilat, për anëtarësimin “duhet që vendi kandidat të ketë një stabilitet institucional, si garanci për rendin demokratik dhe ligjor, për ruajtjen e të drejtave të njeriut, si edhe respektimin e mbrojtjes së minoriteteve”.

Në këtë prizëm, megjithë keqinformimet e publikuara nga mjaft media serbe dhe insinuatat e lëshuara prej disa politikanëve të këtij vendi, askush nuk mund ta pengojë Kryeministrin shqiptar, bashkë me personat që e shoqërojnë, për të vizituar Luginën e Preshevës dhe për t’u takuar nga afër me banorët shqiptarë të tri komunave të saj, për t’u qarë atyre hallet që i kanë zënë tërë jetën nën regjimet Serbe dhe duke verifikuar kështu plotësisht vërtetësinë e deklaratës së tij të djeshme në Beograd, që ky i fundit të drejtojë më shumë vëmendjen te problemet e shumta të këtij minoriteti.

Kjo vëmendje asesi nuk mund të jetë fakultative, aq më tepër që vetëm pak ditë pas përfundimit të vizitës në Beograd të Putinit, vetë Kryeministri serb, Vuçic deklaroi se, nuk do ta prishnin miqësinë me Rusinë, por objektiv kryesor kishin anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Pra, vetëm duke punuar për të arritur objektivat e sjella nga erërat e Perëndimit, me përmbajtjen e vlerave themelore të tij dhe për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, jehona institucionale dhe praktike do të mbërrijë në përvojën e përditshme të qytetarëve të vendeve tona, duke i kthyer këto vende në hapësira të lirisë, paqes dhe stabilitetit.  


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)