Nëna në kërkim të së vërtetës:
Kush ia mori organet djalit tim?

Nëna në kërkim të së vërtetës:<br />Kush ia mori organet djalit tim?
POGRADEC - Dje është mbyllur në Ohër të Maqedonisë një proces gjyqësor që zgjati gati pesë vjet, nga familja Yzellari nga fshati Hudënisht i Pogradecit, e cila akuzon policinë maqedonase për vrasjen e djalit të tyre 12 vjeçar Erigert Yzellari.

Edhe pse u mbushen 15 vjet nga ngjaria tragjike e vrasjes së 12 vjeçarit Erigent Yzellari nga Hudënishti i Pogradecit i cili u vra 150 m në thellësi të tokës së shtetit fqinj nga policët maqedonas familja ruan dëshmitë dhe provat që vrasja është kryer pa asnjë motiv dhe djalit të saj pas vrasjes ende pa vdekur i janë marrë organet e brendëshme.

Nëna e 12 vjeçarit të vrarë në kufi, Flora Yzellari me dhimbje e risjell këtë ngjarie tragjike të familjes së saj kur humbi djalin e saj 15 vjet më përpara nga breshëritë e armëve automatike në kufirin midis Maqedonisë dhe Shqipërisë në drejtim të tunelit të Qafë –Thanës . Pas mbarimit pa sukses të këtij gjyqi, Flora Yzellari e bindur në të drejtën e saj, do të hapë gjyq në një gjykatë ndërkombëtare për t`a zgjidhur të vërtetën .

Znj. Flora, ju sapo keni humbur një proces tjetër gjyqësor për djalin tuaj të vrarë në kufi nga ushtarët maqedonas. Mund të na sillni detaje të reja për ngjarien ?
Eh , ka qënë pranvera e vitit 1998, plot 15 vjet më përpara. Ishin 6 fëmijë pogradecarë nga fshati Hudënisht, të cilët ishin marrë nga disa trafikantë, të cilët tufat e lopëve që do t’i kalonin matanë kufirit ia u besuan këtyre fëmijve të vegjël, të cilëve iu kishin premtuar se pasi të çonin tufat e lopëve në afërsi të fshatit maqedonas Frëngovë, ku i prisnin trafikatëtë maqedonas, ata do të merrnin secili nga 1000 lekë të reja.

Ka qënë ora 6 e 20 minuta e mëngjesit kur papritur vetëm 150 m brenda vijës së kufirit maqedonase në afërsi të tunelit të Qafë –Thanës janë dëgjuar të shtëna armësh automatike. Gjashtë fëmijëve të cilët ishin nga 12 deri në 13 vjeç iu fluturonin plumbat rrëzë veshit dhe njëri prej tyre e ka shembur përtokë të mbuluar në gjak shokun e tyre Eugertin. Mes plumbave të shumtë tre prej fëmijve kanë mundur me vrap të largohen ndërsa dy të tjerë Elton Abasllari dhe Irini Torollari kanë shtangur përballë kufomës së shokut të tyre të mbytur në gjak .

Znj. Flora njëri nga ushtarët maqedonas ka qënë në patrullën maqedonase dhe ai ka kryer një incident atje me shokët e tij të patrullës që kryen vrasjen e djalit tuaj?
Po po , Elton Abasllari shok i tim biri që ndodhej atje më tregoi se, njëri nga ushtarët maqedonas me uniformë i mallkoj në gjuhën shqipe shokët e tij duke i rënë kufomës sipër duke qarë. Ishte një ushtar shqiptaro -maqedonas nga Gostivari, i cili pas 7 vjetësh vjen në Hudënisht për të pirë kafe në familjen tonë për Erigertin e vogël .

Znj. Flora, ju kësaj radhe në gjykatën maqedonase keni sjellë faktë të reja rreth kësaj ngjarjeje?
Ka plot 15 vjet që investigoj çdo detaj të kësaj ngjarjeje plot me mistere.

Mund të na sillni për lexuesin ndonjë nga këto mistere ?
Vetëm pak minuta pas vrasjes së djalit, ka mbërritur një ambulance, e cila e ka marrë trupin e pajetë të Erigertit. Trupi është kthyer në orën 18 të mbasdites në doganën e Qafë –Thanës nga policia maqedonase, ku mosha dhe identiteti i fëmijës nuk përputheshin me ato që shkruheshin në process –verbal.

Më pas ceremonia mortore. Hoxha i fshatit, që ka larë kufomën e vogëlushit ka dalluar se barku i fëmijës ishte krejt pa organe të brendëshme dhe më pas barku ishte qepur me nje fije spangoje në mënyrë primitive. Ku ishin organet e brendëshme të Erigertit? Dhe fëmija me arkivol vjen nga dogana në shtëpinë e tij në Pogradec, pa iu bërë ekspertiza mjeko-ligjore nga policia e Pogradecit!

Znj. Flora , me sa mbaj mend atëherë, MTV2 i Maqedonisë e ka paraqitur këtë ngjarje ndryshe…
Por mbrëmja solli një pamje tjetër. Stacioni maqedonas MTV2 jep lajmin e pare, një tufë fëmijësh me municion dhe armë në dorë sikur u futën në tokën maqedonas për të trafikuar armë, gjithçka e montuar me fëmijë të tjerë! Ata nuk kishin armë, kjo alibi e sajuar nga mediat maqedonase i shton akoma më tepër misteret e kësaj ngjarjeje. Trafikantët iu shkuan fëmijëve në shkollën e fshatit ”Dëshmorët e Pojskaës “ dhe i gënjyen duke iu premtuar lekë për të trafikuar viça …e jo armë.

Pse ma vranë djalin, ku i çuan organet e brendshme që ia morën djalit tim mjekët maqedonas që mbinë menjëherë atje sapo u vra djali im erdhën e morën me ambulancë ende pa dhënë shpirt Erigerti? Çfarë bënë ata 10 orë me kufomën e djalit nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 18 të mbasdites? Edhe pse kanë kaluar 15 vjet ende nuk e kuptoj shkakun e kësaj tragjedie, misteret e saj, tragjedinë e ëngjëllit tim që u vra nga maqedonasit si kriminel.

Znj. Flora këto fakte i sollët ju para gjykatës së Ohrit?
Sigurisht edhe unë dhe avokati mbrojtës i familjes, Besnik Kaba nga qyteti i Ohrit. Por megjithë optimizmin për këtë ngjarie misterioze dhe faktet e shumta që solli ai, gjykata nuk i mori parasysh duke e quajtur si një incident kufitar dhe djalin të vënë në shërbim të trafikantëve. Kështu mbaroi odiseja e këtij gjyqi, i cili u zvarrit pambarimisht duke dhënë një rezultat negativ për familjen tonë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 22.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

AKEP hap garën për frekuencat e teknologjisë 5G

AKEP hap garën për frekuencat e teknologjisë 5G