Një grup nënash të ushtarëve rusë iu bashkuan një ekipi aktivistësh për të kërkuar tërheqjen e trupave të Moskës nga Ukraina, duke nisur një peticion në internet të dielën.

Aktiviteti, i organizuar nga grupi rus i rezistencës feministe kundër luftës, përkon me Ditën e Nënës në Rusi.

Peticioni që drejtohet parlamentarëve në komisionet përkatëse të Dumës së Shtetit dhe Këshillit të Federatës, deri pasdite kishte mbi 1500 nënshkrime dhe numri sa vjen e rritet.

“Prej nëntë muajsh po vazhdon i ashtuquajturi ‘operacion special ushtarak’, i cili sjell shkatërrim, pikëllim, gjak dhe lot”, thuhet në peticion. "Pavarësisht se çfarë kombësie, feje apo statusi shoqëror jemi, ne - nënat e Rusisë – kërkojmë të jetojmë në paqe dhe harmoni, t'i rrisim fëmijët tanë në kushte paqësore”, vijon peticioni.

Apeli përshkruan nënat e rekrutëve dhe ushtarëve të mobilizuar si "të detyruara të trokasin në mënyrë poshtëruese në pragjet e administratave të qytetit", duke u përpjekur të kthejnë burrat e tyre në shtëpi.

“Ne jemi kundër pjesëmarrjes së djemve, vëllezërve, bashkëshortëve, baballarëve tanë në këtë. Detyra juaj është të mbroni të drejtat dhe liritë e nënave dhe fëmijëve, nuk duhet të mbyllni sytë para gjithë kësaj”, thuhet në peticion.