Nënë Liza dhe banorët e 'Shtëpisë së Lirisë'

Nënë Liza dhe banorët e 'Shtëpisë së Lirisë'

Logoja e "Shtëpia e Lirisë" dhe Nënë Liza

Të premten që shkoi në Komisionin e Ligjeve erdhi Nënë Liza. Zgjoi jo vetëm kuriozitetin e mediave, por na shkundi të gjithë ne, ligjvënësit në atë sallë. Me durim priti të na tregonte publikisht pretendimet e saj:
– “Shteti më ka cënuar të drejtën e pronës dhe më ka keqtrajtuar, ndërsa jam përpjekur t’a mbroj atë” – ky ishte thelbi i dëshmisë së saj.
Tre përfaqësuesit e 136 familjeve të prekura nga Programi i Rindërtimit, rrëfyen me indinjatë gjithë pretendimet e tyre për parregullsinë e proçesit të njoftimit të shpronësimit, pasiguritë juridike të akt-marrëveshjes dhe ndërhyrjen e dhunshme të policisë.

E respektoj nënë Lizën dhe djemtë, që mbronin të drejtat dhe pronën e tyre. Respektoj dhe mirëkuptoj tërësisht sakrificën që do t’ju duihet të bëjnë në këtë kohë të ftohtë të vitit, për hir të një projekti që nuk është as i lehtë dhe as pa pasoja në realizimin e tij.
Ajo që nuk arrij të kuptoj është përdorimi me çdo kusht dhe në çdo rrethanë i vështirësive që krijohen sa herë që vihen në jetë projekte të mëdha publike, që janë jetike për një qytet si Tirana. Nuk kuptoj dot banorët e “Shtëpisë së Lirisë”, që i hidhnin benzinë zjarrit të një zemërimi të përzgjedhur ndaj shtetit.

A thua se strehimi i familjeve të prekura nga tërmeti i 26 Janarit nuk është detyra jonë e përbashkët?!
A thua se transformimi i kaosit urbanistik dhe shoqëror, nuk është përfitimi i të gjithë publikut?!
A thua se rrugët, kanalizimi, ndriçimi, shkollat, çerdhet, kopshtet, parqet, shërbimet administrative në atë qendër moderne banimi, nuk do të rishpërndahen si të mira urbane për të gjithë banorët?!
A thua se nxitja e zhvillimit ekonomik në atë zonë do të jetë privilegj i disave dhe jo realitet për të gjithë banorët e asaj zone, ose siç thuhet në Pezë “pa dallim feje, krahine e ideje”?!
Apo se rregullimi i çështjeve të pronësisë, do të jetë premtimi politik i rradhës dhe jo detyrimi ligjor për të gjithë banorët e asaj zone informale?!

Interesi publik, që fatkeqësisht kolegët e mi opozitarë e lane jetim të premten mbrëma në sallën e Komisionit të ligjeve, nuk mund të jetë shumatore interesash individualë, që matet me 45 mijë metra katrorë truall, shtëpi banimi dhe njësi shërbimi, që u ofrohen banorëve në Lagjen 5 Maji!

Në udhëtimin profesional, “Shpronësimin” dhe “të drejtën e pronës” i kam parë të rrijnë urtë pranë njëra-tjetrës, vetëm në letrën e nenit 41 të Kushtetutës. Por sa herë që janë ballafaquar në jetën e përditshme, kanë tensionuar rrugë, lagje, sheshe, fshatra, qytete…. e madje shtete. Pavarësisht tensionit që krijon, shpronësimi publik ekziston si instituti ku DREJTËpeshohet respektimi i të drejtës individuale të pronës dhe i interesit publik, thënë ndryshe, ku ekuilibrohet Shteti. Ndaj dhe deri tani nuk njohim ndonjë sistem kushtetues, që t’a ketë hequr qafe shpronësimin publik.

Nënë Lizës dhe djemve të 5 Majit, në zbatim të Aktit Normativ të Rindërtimit nr.9/2019, Vendimi i Këshillit të Ministrave, 22.09.21 “Për shpronësim…” përmes Kontrata tip e miratuar nga Këshilli Bashkiak Tiranë, u janë ofruar respektivisht 353,4 m2 dhe 303,4 m2. Aktet ligjore dhe nënligjore parashikojnë qartë e shkoqur, që banorët do të shpërblehen me sipërfaqet e banimit që ju takojnë, ose kundravleftën e tyre monetare, ndërkohë që u paguhet qeraja e banesës sipas çmimit të tregut.
Këto garanci kanë shtyrë, 51 familje, 27 me dokumenta pronësie dhe 24 që zotërojnë ndërtime informale, të nënshkruajnë akt-marrëveshjet përkatëse me Bashkinë e Tiranës. Janë të njëjtat garanci që shpërblyen mbi 3 mijë familje në Vaqarr, Thumanë, Laç, Kavajë, Bubq, Kurbin, që tashmë i janë rikthyer jetës në një shtëpi më të mirë, më të bukur dhe me më shumë vlerë.
Këto garanci i ofron dhe i mbron shteti ligjor.

Të vetmit të humbur, do të jenë banorët e “Shtëpisë së Lirisë” që janë kthyer në shtëpinë e fantazmave politike me marifetin e rradhës. Po yshtin qytetarët për kapital politik.
Është e provuar se kush ndërsen të tjerët kundër ligjit dhe të mirës së të gjithëve, nuk i fshihet dot as ndëshkimit të drejtësisë dhe as verdiktit popullor në kutinë e votimit.
Kur tymi i sherrit të rradhës të davaritet, Tirana do të ketë fituar një Lagje 5 Maji më të mire, më të bukur dhe sigurisht më të drejtë se e sotmja.
Kurse Shqipëria do të vazhdojë të jetë shtëpia e vërtetë e njerëzve të thjeshtë të këtij vendi, ndërkohë që “Shtëpia e Lirisë” do të mbetet e palegalizuar.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK