Nënkryetarja e LRI: Ja pse i
kritikojmë ministrat socialistë 

Nënkryetarja e LRI: Ja pse i<br />kritikojmë ministrat socialistë 
Në Konventën e LSI-së së Tiranës, Rea Kotanin e sheh të angazhuar mes qindra pjesëmarrësve të rinj, duke mirëpritur bashkëmoshatarët e saj. Studentja e ekonomisë shtrëngon nëpër duar fjalimin që do të mbajë në këtë takim në cilësinë e nënkryetares së LRI-së dhe anëtares së kryesisë së LSI-së.

Pasi merr duartrokitjet e të pranishmëve, ajo ndalet të shpjegojë në një intervistë për “Shqiptarja.com” vizionin e saj në këtë parti, dhe çfarë do të thotë për të “Një shans për të gjithë”.  Kotani sqaron se pse LRI nuk i kursen ankesat e saj ndaj ministrave, jo vetëm socialistë, duke mos u përmbajtur në rrjetet sociale.

Rea, sa vite angazhim keni në LSI dhe si arritët të jeni anëtare e kryesisë së re?
Angazhimi im në Lëvizjen Rinore për Integrim ka nisur që prej 4 vitesh, kohë në të cilën unë isha një maturante në gjimnazin e përgjithshëm “Petro Nini Luarasi”. Kisha dëgjuar nga miqtë e mi për LRI dhe më impresionoi mënyra e organizimit dhe nismat konkrete politike. Për këtë arsye vendosa të bëhesha pjesë e këtij forumi dhe më duhet ta pranoj që ishte ndër vendimet më të mira që kam ndërmarrë. Në atë periudhë, ne të rinjtë e LRI ngritëm çështjen e Maturës Shtetërore si një problem serioz për të gjithë maturantët.

Ndryshimet që erdhën si produkt i propozimeve tona, ishin një shembull konkret se angazhimi im në LRI ishte diçka më shumë sesa mbledhje dhe diskutime, ishte një mundësi për të ndikuar në realitetin tonë, një shans për tu bërë pjesë e vendimmarrjes. Me kalimin e kohës, unë vazhdova angazhimin tim edhe në strukturat e tjera të LRI, si struktura e studenteve të FEUT dhe struktura në Njësinë Administrative 7, ku isha edhe koordinatore gjatë zgjedhjeve të vitit 2015. 

Njëkohësisht isha pjesë dhe e nismave të tjera politike të ndërmarra nga ky forum, si p.sh ligji i vullnetarizmit. Gjatë qershorit të vitit 2015 u zhvilluan zgjedhjet për lidershipin e ri të LRI-së, periudhë në të cilën unë u zgjodha nënkryetare e forumit. Më pas, në dhjetor u propozova nga z. Meta për të qenë pjesë e kryesisë së re dhe u votova nga Komiteti Drejtues i LSI. Për mua është një vlerësim i madh të qënit anëtare e Kryesisë së LSI dhe ky besim që më është dhënë duhet shpërblyer me akoma më shumë punë dhe përkushtim.
 
Ju tashmë jeni edhe nënkryetare e LRI-së e po ashtu edhe anëtare e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës. Në këto kushte dëshiroj t’ju pyes për Ligjin e Arsimit të Lartë. A keni ju rezerva për sistemin e tanishëm arsimor?
Sistemi arsimor kishte nevojë për një reformë që do ta kthente atë në një sistem më të drejtë, ku parimi i meritokracisë do të mbizotëronte dhe në qendër të të cilit do të ishte studenti. Ligji i ri i Arsimit të Lartë vë theksin tek autonomia e institucioneve arsimore, që për mendimin tim është thelbësore për mirëfunksionimin e sistemit. Ajo për të cilën unë kisha dyshime ishte mënyra sesi ky ligj do të implementohej. Procesi i Maturës Shtetërore për vitin akademik 2015-2016 dështoi si në realizimin e transparencës ashtu edhe të meritokracisë. Ky dështim erdhi si pasojë e keqmanaxhimit të procesit dhe mungesës së theksuar së informacionit.

Në ato kohe LSI pati propozimet e saj për të ndikuar pozitivisht në kaosin e krijuar, por nuk u morën parasysh. Edhe unë, së bashku me dy anëtarë të tjerë të Senatit Akademik të UT dërguam kërkesë si ne Senat, po ashtu edhe në Ministrinë e Arsimit për rishikim të kritereve, kërkesë e cila sërisht nuk u mor parasysh nga Ministria. Ndaj, mund të them se prova e parë e këtij ligji nuk rezultoi me sukses përsa i përket implementimit. Gjithsesi, unë jam pozitive për këtë vit akademik, pasi kriteret e sapo shpallura të çdo fakulteti të UT përfshijnë vetëm lëndët e kurrikulës bazë, çështje për të cilën edhe ne ngulmuam nëpërmjet diskutimeve në Senat. Po ashtu, do të doja të shtoja që gjatë miratimit të këtij ligji një pjesë dërmuese e studentëve ishin dhe vazhdojnë të jenë të shqetësuar për tarifat studentore. Qëndrimi ynë i pa lëkundur është kundra çdo rritje të tarifave studentore.
 
Padyshim ju do të angazhoheni në fushatën elektorale të 18 qershorit. Me çfarë premtimesh do të shkoni pranë të rinjve shqiptarë?
Të rinjtë shqiptarë nuk kanë nevojë për shumë fjalë dhe premtime. As unë nuk jam një fanse e madhe e tyre. Mendoj se mënyra më e mirë për t’iu afruar të rinjve të tjerë është nëpërmjet sinqeritetit dhe projekteve konkrete për të rinjtë. Ne, si LRI kemi punuar mbi programin politik që do të udhëheqë forumin tonë gjatë 4 viteve të ardhshme.
Fokusin maksimal e kemi patur tek Arsimi, Punësimi dhe Përfshirja e të Rinjve ne Vendimmarrje, duke i cilësuar si çështjet më të diskutuara nga të rinjtë. Fatmirësisht, si LRI kemi treguar prej kohësh që kemi dëshirën dhe pasionin maksimal për të iniciuar nisma konkrete politike, po ashtu jemi të përfaqësuar me 30% në çdo strukture drejtuese brenda LSI, me 2 deputete në Parlament dhe me 80 këshilltarë në të gjithë Shqipërinë. Në këtë rast janë faktet ato që na japin më shumë avantazhe dhe garantojnë qe fjalët tona nuk janë boshe, por kanë në thelb të tyre veprimin.
 
A jeni ambicioze për të qenë deputetja e re e parlamentit?
Përfshirja e të rinjve në pozicione vendimmarrëse si në pushtetin lokal ashtu edhe në atë qendror është një politik e suksesshme e ndjekur nga LSI dhe padyshim është një mundësi për të ndryshuar frymën dhe modelin e politikës shqiptare. Momentalisht, unë mbaj postin e Nënkryetares së LRI-së dhe të anëtares së Kryesisë së LSI. Jam vlerësuar shumë, ndaj e ndjej si përgjegjësinë time, por mbi te gjitha edhe si dëshirën time për ta përkthyer këtë besim që më është dhënë në akoma më shumë punë. Nuk ka kaluar ende viti që nga zgjedhjet brenda forumit, ndaj kemi shumë punë dhe sfida përpara. Personalisht, jam e idesë që çdo individ duhet të përmbushi me sukses përgjegjësitë aktuale, përpara se të kërkojë diçka më shumë. Mendoj se nuk ka rëndësi pozicioni që gjithsecili prej nesh mbart, por rëndësi ka dëshira e mirë për të sjellë ndryshimin.
 
Ajo që shohim në rrjetet sociale, është një kritikë e fortë që të rinjtë e LSI-së bëjnë për ministra dhe funksionarë socialistë. Pse ka një mospërmbajtje në raport me artikulimin publik të LSI-së?
Ne jemi te rinj që i jemi bashkuar një forumi rinor politik, tek i cili besojmë. Nëse do të ishim të kënaqur me mënyrën sesi politika shqiptare funksionon apo politikën në tërësi, nuk do ishte nevoja të bëheshim pjesë e politikës, pasi nuk do të kishim asnjë shtysë të brendshme për ta bërë këtë gjë. Është realiteti shqiptar, janë ndryshimet që ne do dëshironin të shihnim në këtë realitet, që na frymëzojnë për të qenë pjesë e politikës, në mënyrë që të jemi pjesë e vendimmarrjes.

Unë kam ardhur në politik si Rea Kotani dhe që në fillim kam pasur një qëllim, të mos lejoj politikën të më ndryshojë mua, por le të ndryshojmë ne të rinjtë politikën shqiptare. Le të jemi ne të rinjtë ata që ndonjëherë mbajnë një qëndrim të caktuar apo bëjnë një kritik të fortë, kur e konsiderojmë të nevojshme. Nuk mendoj se ne duhet të heshtim dhe të jemi indiferent ndaj veprimeve te caktuara, pasi të riut nuk i shkon për shtat të bëjë kompromise. Shpesh herë më duhet ta pranoj që politika shqiptare nuk jep maksimumin për realizimin e qëllimit të saj, për të qenë pranë çdo qytetari, problematikave të tyre dhe për të hartuar dhe implementuar politika eficente. Ndaj, nuk i kemi kursyer mendimet apo kritikat tona, jo vetëm ndaj funksionarëve socialistë, por edhe përfaqësuesve të LSI, në momentin që diçka nuk na është dukur korrekte apo kur për çështje të caktuara nuk ka pasur asnjë veprim politik.

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

“Tre euro më shumë në faturë për çdo pjatë bosh!”, zgjidhja e restorantit malor në Itali zemëron klientët

“Tre euro më shumë në faturë për çdo pjatë bosh!”, zgjidhja e restorantit malor në Itali zemëron klientët