TIRANE – Një ushtarak është vetëvrarë në orët e para pas mesnate (mendohet rreth orës 04:30) në ambientet e zyrës së tij brenda Ministrisë së Mbrojtjes. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga policia Ushtarake.

Gëzim Tare, 53 vjeç nga qyteti i Grmashit ishte me funksion nënoficer i ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes.

Sipas gazetarit të televizionit A1Report, Arsen Rusta, 53-vjeçari kishte marrë shërbimin e turnit të tretë rreth orës 23:00, ndërsa disa orë më vonë ka qëlluar veten me armë duke gjetur vdekjen. Sipas gazetarit, dyshimet e para lidhur me ngjarjen flasin për vetëvrasje të kryer me armën e kolegut.

Të pranishëm në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes janë edhe ministri i këtij institucioni, Arben Imami si dhe drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihaj.

Ndërkaq, deri më tani është bërë një ekspertim i detajuar i vendit të ngjarjes dhe pritet që në vijim të dalin edhe shkaqet e vetëvrasjes. Por fillimisht mendohet se kemi të bëjmë me vetëvrasje në kushtet e depresionit, por që nuk përjashtohen edhe problemet financiare që ushtaraku ka pasur kohët e fundit.

Hetimet e para të kryera nga grupi hetimor i përbërë nga Policia Ushtarake dhe Policia e Shtetit, kanë konkluduar në një vetëvrasje me armë të modelit pistoletë dhe ende nuk është zbardhur shkaku i kësaj ngjarje.

Aktualisht trupi i tij është përcjellë për në Mjekësinë ligjore ku do të kryhen ekzaminimet e rastit si dhe autopsia për të ndjerin.

Agjencia e Ndërlidhjes dhe Informacionit është drejtoria e 6-të në varësi të Forcave të Shtabit të Përgjithshëm, ku ndër funksionet kryesore që kjo drejtori ka, është zhvillimi dhe sistemi i Ndërlidhjes dhe Informatizimit të Forcave të Armatosura sipas standarteve të NATO-s.

Kjo strukturë funksionon 24 orë dhe Tare kishte marrë shërbimin e turnit të tretë rreth orës 23:00, ndërsa disa orë më vonë ka qëlluar veten me armën e modelit pistoletë.

(Gre.M/Shqiptarja.com)