Çdo periudhë sigurimi që kanë shqiptarët në Poloni do të njihet për efekt pensioni, dhe e njëjta gjë do të ndodhë edhe me shtetasit polakë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj njofton se është nënshkruar në Varshavë Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Polonisë.
Kjo marrëveshje garanton njohjen dhe bashkimin e periudhave të sigurimit, me qëllim që qytetarët e të dy shteteve të mos humbasin asnjë vit pune, dhe të përfitojnë pensionin e pleqërisë sipas moshës ligjore.
"Marrëveshja synon të ofrojë siguri juridike dhe mbrojtje sociale për qytetarët, duke siguruar trajtim të barabartë dhe respektim të të drejtave të fituara në sistemet e sigurimeve shoqërore të të dy vendeve", u shpreh Ministrja Ibrahimaj, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.
Aktualisht Shqipëria ka 17 Marrëveshje dypalëshe në zbatim, 5 marrëveshje të dakordësuara, ndërsa 3 të tjera dypalëshe për sigurimet shoqërore janë aktualisht në negociim ose në proces përgatitjeje.
Marrëveshja e fundit që ka hyrë në fuqi dhe ka impkat të madhe, është ajo me Italinë, nga e cilat është përllogaritur të përfitojnë 500 mijë shqiptarë që kanë vite pune në Itali.
Komente












