Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Rektori i Universitetit të Mjekësisë, prof. Arben Gjata kanë nënshkruar Memorandumin e ri të Bashkëpunimit midis Universitetit të Mjekësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Manastirliu deklaroi se ky Memorandum, i hap rrugë një bashkëpunimi më të ngushtë për edukimin e profesionistëve të sistemit shëndetësor, siguron rritjen e kapaciteteve, ofrimin e praktikave klinike e profesionale për profesionistët e shëndetësisë dhe mbi të gjitha, shtimin e kuotave të reja të pranimit në Mjekësi, duke filluar nga viti i ardhshëm.
"Do të jenë 150 kuota pranimi mbi ato aktualet, që e çojnë numrin e përgjithshëm të studentëve të cilët do të pranohen në Fakultetin e Mjekësisë në 450 studentë/vit. Kjo është pjesë e planit tonë disavjeçar për të patur më shumë mjekë të përgjithshëm", nënvizoi Manastirliu.
Teksa e ka konsideruar një sfidë rritjen e kuotave në Mjekësi, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se edhe spitalet e tjera rajonale apo spitali Memorial Fier, do të vendosen në funksion të formimit dhe edukimit të studentëve dhe specialistëve të Mjekësisë.
"Nuk është një sfidë e lehtë për të realizuar standardet me universitetet e tjera, në qytete të tjera, sikurse është Universiteti i Durrësit apo Universiteti i Elbasanit, por ngarkesën më të madhe do ta ketë sërish Universiteti i Mjekësisë së Tiranës. Ndërkohë që do të kemi mundësi që në sajë të investimeve që kemi bërë në gjithë këto vite, spitalet rajonale duke filluar nga spitali Rajonal i Elbasanit, spitali Rajonal i Durrësit, i Shkodrës dhe mbi të gjitha Spitali Memorial, i cili është një spital që ofron shërbime terciare për qytetarët e rajonit të jugut, do të kenë mundësi që të vënë hapësirat edhe burimet e tyre njerëzore në funksion të rritjes të kapaciteteve, të formimit dhe edukimit të studentëve dhe specialistëve të mjekësisë", shtoi Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se për rritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së mësimdhënies, tashmë ka përfunduar projekti i përbashkët i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Universitetit të Mjekësisë për të ngritur një qendër të bio-simulimit klinik, e cila do të ndërtohet në ambientet ku sot është Spitali i Sëmundjeve të Brendshme, pasi të përfundojë përmbyllja e ndërtimit të spitalit të ri.