Fushata ndërkombëtare për shpalljen Vjosës “Park Kombëtar” ka hyrë në një fazë të re, pas vendimit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për të nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit me organizatën amerikane “Patagonia” me qëllim rritjen e shkallës së mbrojtjes së lumit të Vjosës.
Në janar, Vjosa mori statusin “Park Natyror” duke u bërë për herë të parë pjesë e zonave të mbrojtura, ndërsa tanimë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Patagonia zotohen se do të punojnë së bashku me qëllim arritjen e shkallës më të lartë të mbrojtjes. Ky konsiderohet një hap i madh i shumëdëshiruar nga aktivistët në gjithë botën, për krijimin e Parkut të parë Kombëtar për një lumë të egër në Europë.
Në ceremoninë dedikuar nisjes së këtij bashkëpunimi, ishin pjesëmarrës kryeministri Edi Rama, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, CEO i Patagonia Ryan Gellert, organizata që bëjnë pjesë në koalicionin europian “Save the Blue Heart of Europe" si Riverwatch, EuroNatur, EcoAlbania, të ftuar nga trupi diplomatik, donatorë dhe ekspertë mjedisorë.
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u shpreh:
“Vjosa shqiptare është forca e paepur e natyrës, e mbijetuara e vetme e lumenjve të egër të kontinentit tonë, damari i fundit lumor ku s'ka asnjë gjurmë kontaminimi të zhvillimit industrial që i ka kthyer lumenjtë e Europës në egërsira të zbutura për cirkun e prodhimit energjitik. Vjosa do të mbetet e vetmja egërsirë ujore që do të vazhdojë ta dëshmojë, mu siç ishte në ditën e krijimit, spektaklin e shtretërve të lumenjve europianë. Nën mantelin mbrojtës të Parkut Kombëtar, Vjosa do të jetë aty e paprekur, për Shqipërinë, për Europën, për planetin që duam për fëmijët e fëmijëve tanë.ë jemi të qartë se kur flasim për park kombëtar, marrim përsipër ndalimin kategorik të çdo biznesi apo veprimtarie ekonomike që mund të cënojë trupin e lumit dhe krahët e tij. Duke shpallur Vjosën Park Kombëtar do të kemi përfitime ekonomike.”- tha Rama.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha: “Në shqip Vjosa është lumi, por është edhe emër gruaje. Vjosa në të vërtetë është metafora më e përsosur e natyrës shqiptare me gurët e bardhë sa të magjeps vështrimin, me ishujt e zallit spërkatur aty këtu nga filiza lulesh të egra që flasin gjuhën e gjallesave të kësaj ane të Shqipërisë, në shtratin e hershëm sa bota, midis meandrave të saj që hapin derën nga kufiri me fqinjin grek deri sa derdhen në detin Adriatik. Por Vjosa është simbol i historisë njerëzore të një pjese të rëndësishme të Shqipërisë ku gruaja që kujdeset për shpirtin e vatrës është mbretëresha e shtëpisë, siç është Vjosa “mbretëresha kokëfortë e lumenjve europiane” mes të cilëve e mbron fronin, me energjinë e vet të bukur, me gërshetat e veta njësoj si flokët e grave të Përmetit, Gjirokastres, Tepelenës, Mallakastrës, Vlorës, Fierit, Memaliajt, Këlcyrës por edhe me ngjyrat e nuancat e lëkurës së pjekur të vajzave të Selenicës ku shkon Shushica, madje edhe të Libohovës ku valëzon Drinua. Është kjo martesë e pandashme e Natyrës me Njerëzit - projekti ynë më i ri për një zhvillim të qëndrueshëm të Parkut Kombëtar të Vjosës”
Ndërkohë, Ryan Gellert, CEO i Patagonia konfirmoi se ky ishte një hap i shumëpritur, që u bë realitet nga bashkëpunimi me MTM: “Sot udhëheqësit e Shqipërisë kanë treguar vizion dhe përkushtim, duke i treguar botës synimin e tyre për të bërë diçka të paprecedentë në mbrojtjen e natyrës. Nëpërmjet partneritetit tonë të gjatë me organizatat që qëndrojnë pas fushatës "Save the Blue Heart of Europe", ne kemi mësuar nga afër se sa e jashtëzakonshme është Vjosa dhe për këtë arsye jemi të përulur për të punuar së bashku me qeverinë dhe grupet e interesit, duke i kushtuar aftësitë dhe ekspertizën tonë punës për krijimin e Parkut Kombëtar të lumit të egër Vjosa”, shprehet ai.
E themeluar në vitin 1973, Patagonia është një organizatë me qendër në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E njohur ndërkombëtarisht për angazhimet e saj në fushën e mjedisit, ka marrë pjesë aktive në shumë kauza mjedisore.
Në këtë memorandum bashkëpunimi të nënshkruar në Tiranë, palët angazhohen për të punuar së bashku në rritjen e shkallës së mbrojtjes së lumit Vjosa në kategorinë e dytë, "Park Kombëtar", duke përfshirë edhe degëzimet. Brenda 45 ditësh nga nënshkrimi i këtij memorandumi, do të ngrihet grupi i punës, nën udhëheqjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë. Detyra e këtij grupi pune është të hartojë një propozim të plotë dhe profesional për statusin e Parkut Kombëtar, përmes zonimit dhe përcaktimit të kufijve të Parkut Kombëtar, konsultimin me palët e interesit dhe shqyrtimin e mundësive të zhvillimit të eko-turizmit.
Vjosa konsiderohet si lumi i fundit i egër në Europë, me një gjatësi 272 kilometra që shërben si habitat i mbi 1,100 specieve, ndër të cilat 13 janë gjallesa në rrezik zhdukje në rang global. Këto vlera ekologjike dhe kulturore ofrojnë mundësi të mëdha për eko-turizëm dhe përfitime të tjera ekonomike për njerëzit që jetojnë në rajonin përkatës. Me vendimet e qeverisë shqiptare në muajin janar 2022, sipërfaqja e zonave të mbrojtura u rrit në 21% të territorit të vendit.
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në nënshkrimin e memorandumit mes ministrisë së Turizmit dhe organizatës amerikane “Patagonia” me qëllim shpalljen e Vjosës Park Kombëtar, ka ironizuar aktorin e njohur Leonardo Di Caprion, i cili ka qenë mbështetës që Vjosa të shpallej Park Kombëtar. Sipas Ramës ai bëhet i gjallë për të goditur qeverinë dhe jo për ta mbështetur.
‘Më kanë shënuar diçka për Leo Di Caprion, por nuk po e them, sepse u bë i gjallë për të goditur qeverinë, por jo për ta mbështetur qeverinë. E ka shok të mirë ministrja e Turizmit, prandaj nuk po i bie më shumë. Mbase këto goditjet do t’i shkojnë në vesh, se mund ta kishim lavdëruar një orë dhe nuk do ta merrte vesh, mbase duke e sharë pak do t’ia kapi veshi. Se aty ku të lavdërojnë me miliona njerëz, se të lavdëron edhe një tjetër nuk bëhet lajm. Por kur miliona të lavdërojnë dhe të thonë që të ka sharë njëri, atëherë ka të ngjarë që të zgjohet edhe Nardi', - tha Rama.
THJESHT BRAVO QEVERIA RAMA. VENDIM I DREJT
PërgjigjuZ.Rama,mbeshtetja fitohet ose me pune,ose kur je ne pozicionin e Zelenskit,sa per kritikat,ato jane ne disa raste me me vlere e me te shendetshme se mbeshtetja dhe lavderimet,sepse kur dikush merr me shumice nga keto dy te fundit,fillon t'i hyje vetja pak ne qejf e t'i duket si Erdogani!!!
Përgjigju