TIRANE - Një ditë pas letrës së përbashkët që opozita i dërgoi kryeministrit Rama ku i kërkonte të tërhiqte aktin normativ për shfuqizimin e ligjit për 6 muaj të Nëpunësit Civil, reagon qeveria. 

Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike Milena Harito thotë se opozita ka afat deri më të enjten për të hyrë në dialog pa kushte me mazhorancën për të dhënë argumentet e saj në lidhje me ligjin e nëpunësit civil.
 
Përmes një deklarate për shtyp nga kryeministria mesditën e sotme Harito tha se mazhoranca është e gatshme të dëgjojë por dhe do të udhëhiqet.

 “Kërkojmë të mbajnë një tryezë me opozitën para të enjtes dhe të dialogojmë pa kushte. Takimi të zhvillohet përpara ditës së enjte, në të kundërt do të na duhet të votojmë me shumicën 84 vota sic na lejon filozofia e Kushtetutës.  Jemi gati të dëgjojmë por dhe të udhëhiqemi.”- tha Harito.

Partia Demokratike, në emër të opozitës, me anë të një deklarate të unifikuar, iu përgjigj dje ftesës së Kryeministrit Rama bërë më 12 tetor lidhur me diskutimin e ligjit "Për nëpunësin civil" me kërkesën: "Tërhiqni Aktin Normativ. Ky nuk është kusht. Kjo është rruga e arsyes.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)