Se në Kosovë ka devalvuar edhe protesta qytetare, më nuk është lajm. Në kohën e okupimit protestat ishin përditshmëri dhe si rezultat i demonstratave të përgjakshme arritëm ta sensibilizojmë botën me gjendjen e rëndë në vend.  

Pas çlirimit, protestat devalvuan në atë masë saqë organizatorët rrallëherë patën sukses që të mbledhin numër të konsiderueshëm të qytetarëve. Në mars të 2004-s protestat dolën nga kontrolli, turmat po digjnin objekte kulti, pasojat e të cilës i ndjejmë edhe sot.

A do të jetë ofendimi i Jabllanoviqit për nënat tona dhe viktimat e luftës, "sebepi" që do të na bashkojë të gjithëve ndaj pakënaqësive të shtresuara prej vitesh, si dialogu i imponuar me Serbinë, ku nuk diskutohet pozita e shqiptarëve në Serbi, formimi i Gjykatës Speciale për krime të luftës, favorizimet e pakuptimta për pakicat në kurriz të popullit të varfër shumicë, koncesione këto të bëra nga klasa jonë politike, e pafuqishme e zhytur në krim dhe korrupsion, ku si pasojë e izolimit, papunësisë dhe varfërisë po i shtyn mijëra të rinj të paperspektivë që të ikin kampeve të Evropës.
 

A është kjo pika e vlimit?

Të shtunën Policia e Kosovës do të jetë e blinduar në mbrojte të institucioneve, por do të jenë qytetarët e Kosovës policët e vërtetë, ata që nuk duhet lejuar që protesta të devijojë, siç ka qenë rasti më 2004? Ende i kemi të freskat skenat më 2007, ku policët rumunë provokuan gjakderdhje duke vrarë dy demonstrues të paarmatosur.

Serbët do ta shfrytëzojnë çdo sulm ndaj tyre, ku nuk do të mungojnë as inskenimet po qe nevoja, për t’u barrikaduar, duke kërkuar ndihmë nga Serbia apo Rusia. Skenari i Ukrainës është shumë real. Mos të harrojmë se edhe opozita siriane fillimisht u ngrit për ta luftuar diktatorin, Bashar Al Asad, por shumë shpejt revolucionin atje e rrëmbyen terroristët islamikë. Duke analizuar situatën gjeopolitike, disa mund të thonë se rrezikshmëria është e lartë dhe se protestat mund të nxisin trazira me pasoja të paparashikueshme dhe të rrezikshme.

Kërkesa për dorëheqje të ministrit Jabllanoviq është legjitime, por nuk mjafton. Arroganca e Jabllanoviqëve duhet te na homogjenizojë dhe protestat nuk duhet ndalur deri në realizimin e të gjitha kërkesave, pa realizimin e të cilave po rrezikohet ekzistenca e shtetit të ri të Kosovës.

Modeli më i mirë i protestës paqësore ishte ai i 2014-s para Rektoratit, ku fuqia dhe maturia e studentëve dhe e qytetarëve rezultoi me dorëheqjen e rektorit. Të shtunën të qetë dhe të vendosur, për reforma, për t’i dhënë fund kësaj arrogance dhe të papërgjegjshmërisë politike!