Nëse nuk duam të mbajmë mbi shpinë mallkimin e demokratëve

Nëse nuk duam të mbajmë mbi shpinë mallkimin e demokratëve

Foto nga selia e PD, pas protestës së dhunshme më 8 janar

8 janari ishte një ditë tragjike për Partinë Demokratike, mbase më tragjikja në historinë e saj! Nga ato që nuk harrohen duke shenjur kujtesën e saj politike, por edhe atë shoqërore. Skena që nuk donim kurrë t’i shihnim, i pamë, ankth që nuk donim kurrë ta provonim, e provuam, dhimbje që nuk do donim ta kishim, e kemi.

Secili prej nesh ka mort në shpirt. Selia e Partisë Demokratike sot i ngjet një gërmadhe. Policia e ka rrethuar ndërtesën me shirita si skenë krimi. Dje u finalizua në akt dhune retorika e katër muajve. Ajo gjeti për disa orë apogjeun e vet fatkeq. U njoftova se të shtunën në orën 10 kishim mbledhje në seli. Natyrisht, në këtë moshe s’më lejohet naiviteti. E dija që nuk po shkoja për mbledhje dhe të gjithë ata gra e burra që pranuan atë ftesë të njëjtën gjë dinin. Megjithatë, ishim të shumtë drejtues të gjitha nivele të kësaj Partie që pranuam sfidën. Nuk shkuam aty për luftë as për t’u ndeshur trup me trup. Nuk shkova as për Lulzim Bashën. Së paku personalisht e gjykoja prezencën time dhe të të tjerëve brenda si mundësi që ata jashtë t’i thërrisnin arsyes, të kuptonin që nuk është forca që duhet t’i zgjidhë ndasitë e politikes, që nuk është dhuna alternativa e ligjësive. Por jo, shpresa imja dhe e shumëkujt nuk u përligj. Grupet e para të foltoristëve që u shfaqën në oborrin e PD-së e filluan me goditje, sharje e kërcënime ndaj mikut e kolegut Roland Bejko, i cili po ndëshkohej për mendimet e veta. Më pas filluan gurët, qyskitë, varretë, lëndët plasëse, shkallët, sharje që na rrethonin para, prapa, anash e ngado.

Shumë zgjedhës të mi më shkruanin sms. Disa tejet të shqetësuar për ne që ishim brenda, të tjerë më nxisnin të qëndronim, disa më kërkonin llogari pse kam mbështetur linjën legjitimiste të Lulzim Bashës ndërsa ime bije gati 10 vjeç lebetitej nga skenat e frikshme që shihte në Tv dhe me kërkonte që të kthehesha në shtëpi. Nuk e kuptonte ajo që nuk dilja dot se isha i rrethuar nga një grup që udhëhiqej nga Sali Berisha, të cilin për vite të tëra e kisha mbrojtur në debate televizive dhe e kishim votuar për 31 vjet. Në çastet e retorikës më kritike nuk më ka munguar respekti për disa cilësi dhe arritje të Sali Berishës ndër vite edhe gjatë kësaj kohe. Dje i kishte mbetur në dorë vetëm karikatura e personalitetit dhe varreja e dhunës.

Mendimi që më vërtitej në kokë ishte pse fëmijët tanë duhet të rriten me pamje të tilla ciklike, me gjuhë dhune, me urrejtje në gji dhe perspektivën e linçimit të prindërve të tyre në horizont. Nga pas dyerve vinte tërbim, gjuhë kërcënuese. Në ekran shihnim Sali Berishën që u bënte shenja mësymjeje. Nuk janë të paktë ata që thonë na mbyllët dyert, i blinduat! E djeshmja tregoi që në PD disa dyer ishin blinduar. Personalisht i pashë për herë të parë. Nuk kisha shkelur në seli prej javësh qysh një ditë para mbledhjes së Këshillit Kombëtar, ku nuk mora pjesë në shenjë simbolike për mënyrën sesi u zhvillua ajo mbledhje, për mungesën e garës dhe aspekte të tjera sektarizmi, për të cilat nuk akuzoj dot më Sali Berishën, ndonëse ne i premtuam në Kuvendin e 18 dhjetorit.

Por kudo në horizont, nga gjysma e shtatorit e këtej, ishte gjuha e përjashtimit, linçimit e dhunës, e cila nuk njihte legjitimitetin e Kryetarit të PD-së, organeve të saj të zgjedhura dhe rëndësinë e partneritetit me SHBA-të, shto edhe etiken e çështjes, metamorfozën e gjithçkaje pas 9 shtatorit.

Sfidë e madhe kjo: t’i nënshtrohesh apo të rezistosh?! Linjën e rezistencës me protagonizëm publik e kam zgjedhur dhe atë i kam sugjeruar edhe Bashës, i vetëdijshëm për kostot personale në lidhje me votues, demokratë e miq, sidomos me gjendjen emocionale. Në këtë kontekst e merr një përligjje vendosja e portave të hekurit, për të cilën nuk më është kërkuar mendim, në raport me legalitetin dhe dhunën që e kërcënonte atë. Gjithmonë kam besuar e ende besoj se mes legalitetit e dhunës duhet zgjedhur legaliteti. Që para kërcënimeve duhet qëndresë. Por tani kriza ka marrë një përmasë tjetër dhe ajo nuk mund të zgjidhet më me mjete teknike. 8 janari nuk duhet të përsëritet me kurrë. Retorika dhe sjellja e deritashme nuk mjaftojnë më, kërkohet një zgjidhje e re, eksperimentuese.

Lulzim Basha ka fituar betejën me formalitetin dhe me dhunën e Sali Berishës, me të cilin nuk duhet të kërkojë më asnjë kompromis e as me dy a tri vegla agresive pranë tij, e arriti këtë me rezistencë institucionale, por edhe me mbështetje demokratësh. Tani nuk duhet kursyer asgjë për t’i bashkuar demokratët, të gjithë ata që e duan atë, për t’u shëruar atyre plagët, për t’i bërë të ndihen krenarë e fitues. PD duhet të dalë nga lufta civile. PD duhet të ringrihet se ajo është me fytyre përdhe. Krimi u pa dje. Turpin e kemi ende sot. Dhimbja do na mbetet më gjatë.

Duhet forcë, kurajë dhe dashuri për njerëzit më shumë sesa egoizëm personal për të dalë nga ky rreth vicioz. Lulzim Basha ka udhëhequr PD-në në aleancë me Perëndimin në këta muaj, duke marrë vendim tejet të vështirë, duke paguar kosto shumë të lartë personale, por sot atij më shumë se kujtdo i bie barra për të gjetur zgjidhje, jo fjalime, e përsëris, zgjidhje që ofrojnë shanse për të gjithë, për t’u kthyer për të konkurruar për kryetar e çdo gjë tjetër, për të kontribuar, duke mundur çdo gjykim e paragjykim. Nuk duhet të mendojë veten, por të tjerët, kohën dhe perspektivën e PD-së brenda saj. Duhet me patjetër nëse nuk do ta duam të mbajmë mbi shpinë mallkimin e demokratëve dhe të lëmë Shqipërinë pa opozitë./ Panorama

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë