Aleksandër Vuçiç, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Progresive Serbe (SNS), ka paralajmëruar se do të nisë grevë urie nëse autoritetet tentojnë ta arrestojnë. Gjatë një interviste në televizionin Pink, ai deklaroi se në një rast të tillë një milion njerëz do të dilnin në rrugë, ndërsa këmbënguli se nuk ka ndërmend të fshihet apo të arratiset.

Vuçiç e lidhi mundësinë e arrestimit të tij me Listën Studentore, duke akuzuar kundërshtarët politikë se duan të dëmtojnë njerëzit që urrejnë.

“Çfarë do të bëni atëherë me një milion njerëz në rrugë, në momentin kur kjo të ndodhë? Unë nuk jam Marinika Tepiq apo Boshko Obradoviç që të bëj sikur, të ha ëmbëlsira natën dhe fruta ditën. Nuk kam asnjë problem me këtë. Ata mendonin se do të ikja dhe do të fshihesha”, tha ai.

Gjatë së njëjtës intervistë, Vuçiç foli edhe për zgjedhjet presidenciale, duke njoftuar se SNS do të vendosë në mbledhjen e partisë më 13 dhjetor nëse do të marrë pjesë në to.

Ai u shpreh se personalisht është më shumë në favor të mospjesëmarrjes, pasi nuk dëshiron t'u japë legjitimitet kundërshtarëve politikë.

“Pse duhet ta bëjmë këtë, ndërkohë që ata përndjekin, keqtrajtojnë dhe ngacmojnë njerëzit tanë? Është plotësisht e mundur që partia të marrë edhe një vendim tjetër”, deklaroi Vuçiç.

Duke folur për humbjen në zgjedhje, ai tha se SNS mund ta përmirësojë rezultatin në votimet e ardhshme, por për këtë duhet fillimisht të ndryshojë, të pranojë gabimet dhe të jetë më objektive me veten.

Vuçiç pretendoi gjithashtu se një ditë më parë ishte kërcënuar me vrasje nga i ashtuquajturi “klani i Vraçarit”.

Ai deklaroi se nuk do t'i denoncojë kërcënimet në polici, pasi nuk ka besim tek ajo. Sipas pretendimeve të tij, Lista Studentore dhe grupet e protestuesve kanë marrë kontrollin e policisë.

“Nuk kam çfarë t'u raportoj atyre, jo vetëm sepse nuk kam besim, por sepse e di për kë punojnë ata njerëz”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se mesazhi që kishte marrë ishte i qartë dhe se bëhej fjalë për një kërcënim për eliminimin e tij fizik. Vuçiç akuzoi gjithashtu policinë se nuk kishte arrestuar anëtarët e këtij grupi kriminal.