Derbi i kryeqytetit mes Partizani dhe Tiranës është gjithmonë një ngjarje e veçantë për futbollin shqiptar dhe kjo fundjavë nuk do të bëjë përjashtim. Të dielën, në “Air Albania” duke nisur nga ora 16:30, Partizani dhe Tirana do të përballen në ndeshjen e tyre të 211-të në histori, duke vijuar një traditë rivaliteti që daton dekada më parë.

Deri më sot, janë luajtur 210 përballje direkte mes dy ekipeve. Partizani ka regjistruar 83 fitore, Tirana ka triumfuar në 62 raste, ndërsa 65 ndeshje kanë përfunduar me barazim. Këto statistika tregojnë balancën e fortë mes dy skuadrave dhe emocionet që çdo takim sjell për tifozët dhe dashamirësit e futbollit.

Derbi i radhës vjen në një moment të ndryshëm për dy klubet. Partizani me 30 pikë ndodhet në vendin e pestë, ndërsa Tirana me 21 pikë mban pozitën e tetë në renditje dhe vetëm një javë më parë la zonën e ftohtë.

Sfida e fundit mes tyre foli për Partizanin, me të kuqtë që fituan 0-2 më 7 dhjetor me golat e Human dhe Skukës, për t'i dhënë trajnerit Oltijon Kërnaja fitoren e parë në derbi.