BALLSH - Këtë të martë duke nisur nga ora 13:30 nisi rrugëtimin faza çerekfinale e Kupës së Shqipërisë. Në stadiumin "Adush Muça" të Ballshit, Bylisi u mposht në shtëpi 0-1 nga Vllaznia.
Ndeshja nisi më mirë për Bylisin, me arbitrin që akordoi një 11 metërsh në favor të mallakastriotëve, por e anuloi më pas për shkak të një pozicioni jashtë loje të parë me VAR. Në minutën e 28-të ishte Vllaznia që fitoi një 11 metërsh pas pengimit të Bismarck në zonë dhe nga pika e bardhë Lirim Kastrati u tregua i saktë për t'i dhënë shkodranëve golin e fitores.
Sfida e kthimit mes dy skuadrave do zhvillohet më 4 mars në stadiumin "Loro Boriçi" duke nisur nga ora 15:00. Sot në fushë zbret Teuta dhe Egnatia, me dy skuadrat që do ndeshen në 'Niko Dovana' të Durrësit (16:30).
Nesër do luhen edhe dy ndeshjet e tjera të vlefshme për çerekfinalet e para të Kupës së Shqipërisë. Duke nisur nga ora 13:30 luhet derbi Tirana - Dinamo, ndërsa në orën 16:30 AF Elbasani pret Partizanin.
Kupa e Shqipërisë, faza çerekfinale - takimet e para:
E martë, 10 shkurt 2026:
13:30 Bylis 0-1 Vllaznia
16:30 Teuta - Egnatia
E mërkurë, 11 shkurt 2026:
13:30 Tirana - Dinamo
16:30 AF Elbasani - Partizani
*Ndeshjet e kthimit luhen më 4 mars 2026.
Komente










