Superliga shqiptare e futbollit është në përgatitje të raundit të 32-të, me pesë duelet që do të zhvillohen në dy ditë. Të shtunën në orën 19:00 në stadiumin 'Air Albania' do të luhet derbi i kryeqytetit mes Dinamos dhe KF Tiranës. Të dyja skuadrat kanë objektiva të ndryshme, Dinamo për një vend në 'Final 4' që do e lejonte të garonte për trofeun e kampionit, ndërsa KF Tirana për mbijetesën.

Sot përpara medieve foli trajneri i KF Tiranës, Orges Shehi. Durrsaku nuk trembet nga kalendari i vështirë që kanë bardheblutë në pesë takimet e mbetura (Dinamo, Partizani, Teuta, Vllaznia dhe AF Elbasani), duke vënë në pah agresivitetin e të tijve për të shpëtuar sezonin. Shehi thotë se çdo pikë vlen dhe ekipin e sheh të motivuar për t'i marrë më të mirën ndeshjeve.

Skuadra? Unë mendoj që nga ana psikologjike skuadra është në gjendje të mirë edhe për shkak të rezultateve të fundit. Por kjo është gjithmonë një indicie për ta, për ta filluar ndeshjen ose për ta përgatitur. Por brenda ndeshjes ka shumë situata që shpresojmë t’i interpretojmë edhe nesër ashtu siç duhet, që në fund të ditës të marrim atë që kërkojmë.

Ilaçi? Në qoftë se çdo skuadre në botë, edhe skuadrat më të mira që janë në kontinentin tonë, po t’i heqësh agresivitetin, i bie çdo lloj produktiviteti. Kështu që do të vazhdojmë të jemi të vëmendshëm për të qenë agresiv, sepse agresiviteti na çon aty ku duhet. Qasja do të jetë e njëjtë, në çdo moment duhet vlerësuar situata.

Vlerësimi dhe interpretimi siç duhet i situatave të veçanta do të jetë ajo që mund të na çojë drejt suksesit. Sepse mendojmë që situatat janë shumë të rëndësishme në mbarëvajtjen e ndeshjes, mund ta kthejnë në favor ose disfavor. Kështu që fokusin do ta vendosim te përqendrimi dhe patjetër pastaj që brenda ndeshjes ka shumë episode në anën e lëvizjes së njerëzve ose ndryshimit të lojës.

Ndryshimet? Unë nuk dua ta ndaj në dy tablo para se të vija unë dhe tani që jam unë. Mendoj që skuadra edhe në këto momente meriton komplimente për të gjithë djemtë. Është rritur përgjegjshmëria, sepse javët ikin dhe duhen marrë pikët pasi zvogëlohet mundësia. Kështu që përgjegjshmëria dhe ajo që ne kemi ardhur në pikën e fundit të sezonit dhe tani merren gjithë frytet, kjo ka bërë që djemtë ta vlerësojnë më shumë çdo moment të lojës.

Kalendar 'ferri'? Patjetër që në letër mund të duket më të vështira, por nga ana psikologjike mund të jetë edhe disi më favorizuese për ne. Sepse kur luan me skuadra që janë aty në fundin e tabelës, stresi është më i madh dhe ka edhe gjëra të mira që skuadrat që ne përballemi kanë dhe ato objektivin e tyre. Kështu që kur dy skuadra janë brenda objektivave ndeshja bëhet më e luftuar dhe ndeshja bëhet më e barabartë në disa momente. Na mungojnë dhe pesë ndeshje, por nuk duhet të mendojmë për ndeshjet që vijnë pas kësaj, por duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e nesërme”, tha Shehi për mediet.

KF Tirana vuan këtë sezon pasi në 31 raunde të zhvilluara ka grumbulluar 31 pikë për vendin e shtatë që për momentin të shpëton nga zona play-out dhe ajo e rënies direkte një kategori më poshtë. Duke parë kalendarin, bardheblutë kanë një 'mal' përpara që duhet 'ngjitur'.

Kalendari i plotë i javës së 32-të:

FK Vora - Vllaznia, 18.04.2026, ora 16:00, Stadiumi “KF Vora”
Egnatia - Flamurtari, 18.04.2026, ora 16:00, Stadiumi “Arena Egnatia”
Teuta - AF Elbasani, 18.04.2026, ora 19:00, Stadiumi “Niko Dovana”
Dinamo - Tirana, 18.04.2026, ora 19:00, Stadiumi “Air Albania”
Partizani - Bylis, 19.04.2026, ora 19:00, Stadiumi “Arena e Demave”

Renditja: