Sot në orën 10:00 Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet për herë të parë në një javë të ngjeshur ku do të mbahen tre seanca. Këtë të henë, në rend dite, është futur edhe ' Raporti përfundimtar i komisionit hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore si dhe për të kontrolluar e ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës të ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues”.

Më thjeshtë pritet që kuvendi sot të miratoi vendimin e komisionit të ligjeve për mos shkarkimin e Metës, i cili u hetua për shtyerjen e zgjedhjeve të 30 qershorit, për shkak të një dekreti që ai nxorri, me pretekstin se protestuesit do të digjnin kuvendin, si dhe për emërimet në gjykatën kushtetuese.

Seancë plenare PUBLIKE E hënë, 27 korrik 2020, ora 10.00

"Rendi i ditës Në mbështetje të Urdhrit nr. 40, datë 24.7.2020 të Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, rendi i ditës është si më poshtë vijon: 1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 23.07.2020 (Neni 44, pika 2 e Rregullores) 2. Njoftimi i çështjeve të depozituara në Kuvend për shqyrtim (Neni 44, pika 3 e Rregullores) 3. Raporti përfundimtar i komisionit hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore si dhe për të kontrolluar e ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës të ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues”. (Ligji nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, neni 25 Rregullore Kuvendi, votim i hapur, shumicë e thjeshtë votash për miratim) - Leximi i raportit nga kryetari i komisionit hetimor - Diskutime - (Shprehen grupet parlamentare) - Koha e votimit."

Ndërkohë të dielën presidenti Ilir Meta ka postuar një foto me familjen nga pushimet që po kalon në Sarandë. Nga kalaja e Lëkurësit, Meta uroi një mbrëmje të këndshme krah bashkëshortes Monika Kryemadhi dhe tre fëmijëve.

Një mbrëmje të këndshme për të gjithë me familjet tuaja ju uroj nga kalaja e Lëkurësit në Sarandë”, shkruan Meta në facebook.

Ilir Meta me familjen ne Sarande

I nxirë nga plazhi, Meta duket i buzëqeshur dhe i relaksuar një ditë para se Kuvendi të vulos përfundimisht shpëtimin e tij nga shkarkimi.

Raporti i hartuar nga komisioni hetimor i ngritur posaçërisht për shkarkimin e tij do të kalojë nesër në Kuvend për miratim. Pas anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit shkarkimi i Presidentit Meta nga socialistët u duke çështje ditësh, por një vit më pas gjithçka ndryshoi, ato u tërhoqën dhe në raport theksuan se "Meta ka kryer shkelje, por jo aq të rënda sa të justifikojnë shkarkimin e tij".