DURRËS- Kryeministri Edi Rama mezi po pret të dëshmojë ditën e nesërme në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve. Kështu ka deklaruar nga qyteti i Durrësit, nga ku prezantoi Këshillimin Kombëtar me qytetarët, madje iu kërkoi atyre që nëse nuk kanë ndonjë gjë më të mirë për të bërë ta ndjekin live. Komisioni Hetimor do të nisë marrjen e dëshmisë së Ramës ditën e nesërme në orën 12:00.

“Me atë komisionin të paktën u krijua një mundësi për ata që duan të dëgjojnë dhe jo të shikojnë. E vërteta është diçka krejt tjetër, pasi s’po flas më gjatë për këtë se mezi pres që të shkojë nesër. Po s’patët ndonjë gjë më të mirë për nesër, më ndiqni”, tha Rama.

Rama ka ironizuar zhvillimet brenda Partisë Demokratike mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PD-së Lulzim Basha. Sipas tij, Basha dhe Berisha po i nxjerrin njëri-tjetrit të vërteta që PS u ka thënë atyre vite më parë.

“S’kemi aleatë në këtë mes, kë të kemi ?! E shihni ça bëhet atje. E keni dëgjuar ju që Saliu i thotë Lulit ato që ia kemi thënë ne. Luli ia thotë Saliut ato që i kemi thënë ne. Ata të dy po thonë të vërtetat që kemi thënë ne. Ata do vazhdojnë punën e tyre, ta hajë kush ta hajë”, u shpreh Rama.

Nisma  e Këshillimit Kombëtar, ku qytetarët pyeten për cështje me rëndësi do të praktikohet çdo vit tha Rama. Ai theksoi se qytetarët do pyeten në këtë nismë vetëm për cështje që janë vendimmarrje e qeverisë dhe jo për referendume.

“Duam ta kthejmë në një praktikë qeverisë të përvitshme. (...) Këto nuk janë çështje referendumesh, këto janë vendimmarrje të qeverisë. Referendumet bëhen për ndryshimet kushtetuese. Duke mësuar edhe nga dëgjimi i njerëzve. Nuk mund të vësh në pyetësor vendime që janë shumë të qarta”, vijoi kryeministri.

Gjatë fjalës së tij Rama u ndal në disa prej pyetjeve të shtruara në Këshillimin Kombëtar për qytetarët, ku një ndër to ishte edhe deklarimi i të ardhurave të emigrantëve që janë përfituar nga puna në të zezë. Rama u shpreh se njohja e këtyre kursimeve është një çështje e debatueshme, pasi mund të shërbejë dhe për pastrimin e parave të grupeve kriminale dhe ndaj maxhoranca i drejtohet popullit për të marrë një opinion.

“Marrim një çështje përshembull që është shumë e rëndësishme. Të gjithë emigrantë kanë kursye para, që një pjesë kanë mundur t’i sjellin pjesë-pjesë, por një pjesë e kanë mbajtur kash. Për ata është e pamundur që t’i çojnë nëpër banka në vendet që janë. Këtu nuk bëhet fjalë për paratë e fituara në aktivitet kriminale, por për paratë e fituara me punë. Një problem ligjor ekziston se është punë e zezë. Është shumë e vështirë që të argumentosh disa dhjetëra mijë euro që nuk i përgjigjen historikut të punësimit. Ky është një vendim për tu marrë dhe ka padiskutim një shtysë të fortë të brendshme, por ka edhe ato kundërshtinë. Një kundërshti që vjen edhe brenda nesh se këto janë vendime që çojnë në amnisti për kursimet e padeklaruara të cilat mund të përdoren edhe për pastrim parash, ky është një risk. Në këtë pikë ka edhe një kundërshti, ftohtësi nga institucionet partnere që shprehin këtë rezervë. Nga ana tjetër këtë mekanizëm e kanë përdorur shumë vende, Italia fqinje. Prandaj ne mendojmë që duhet të vendosim vetë dhe këtë do ta vendosim sëbashku me qytetarët shqiptarë”, u shpreh Rama.  

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:17
'Nga Luli i babës te Lul Brava', Rama nga Durrësi thumbon kandidatët e Bashës dhe Berishës

 

Nga Durrësi, Edi Rama ka ‘thumbuar’ kandidatin e Lulzim Bashës, Luan Hotin dhe atë të Sali Berishës, Ardian Muka.

“S’kemi aleatë në këtë mes, kë të kemi ?! E shihni ça bëhet atje. E keni dëgjuar ju që Saliu i thotë Lulit ato që ia kemi thënë ne. Luli ia thotë Saliut ato që i kemi thënë ne. Ata të dy po thonë të vërtetat që kemi thënë ne. Ata do vazhdojnë punën e tyre, ta hajë kush ta hajë. Mos të përmendim faktin se jam dhe deputet i Durrësit. Pse janë duke thënë të vërtetën tani ata? Deri dje ai ishte Luli babës vet, sot është Lul brava. Kaq mbaroi filmi. Që këtu ka mbaruar për mua.

Të jesh në Durrës dhe të kesh mundësi të zgjedhësh mes tre vetave ku dy janë burra, patjetër që po ta kesh mendjen në vend do zgjedhësh një grua. Për ca që të dëgjosh nesër kush është dryni e brava. Me Durrësin s’kan pse ngatërrohen, ti zgjidhin vetë problemet. Këtu është një votë shumë e thjeshtë, dy burra që këtu a kanë qenë po të ishin aq të zot do kishin shkëlqyer, dhe një grua që ka pasur kohën ta tregojë që është një person që e meriton mbështetjen e qytetarëve të këtij qyteti se kur ra tërmeti shkoi shtëpi më shtëpi. Po të mos kishte qenë ani këtu, nuk do kishte qenë e mundur që të arrinin të bënim gjithë atë që bëmë. Po punojmë për një projekt të madh për të gjithë pjesën e plazhit të Durrësit që të bëjmë një transformim të madh. Kemi filluar me rrugët nëpër lagje. Do bëjmë shumë gjëra të mira. Kemi edhe një takim më mbrapa me të rinjtë”, tha Rama.