Kryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu, ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke përcjellë mesazhe paqeje, mirësie, solidariteti dhe harmonie.

Kurban Bajrami është një ndër festat më të rëndësishme të besimit islam. Është festa e sakrificës, e bindjes ndaj Zotit, solidaritetit dhe dashurisë ndaj njeriut. Ajo na rikujton shembullin e Profetit Ibrahim, i cili tregoi besim, durim dhe përkushtim ndaj Krijuesit”, shprehet Spahiu.

Sipas kreut të Komunitetit Mysliman, mesazhi i kësaj feste mbetet një thirrje e fuqishme për forcimin e moralit, përgjegjësisë dhe humanizmit në jetën e përditshme.

“Feja jonë ndërtohet mbi paqen, respektin dhe vlerat njerëzore universale. Kjo festë na fton të reflektojmë më shumë për njëri-tjetrin, të jemi më pranë familjeve, të moshuarve dhe njerëzve në nevojë, jetimëve dhe çdo zemër që ka nevojë për shpresë”, theksoi Spahiu.

Ai nënvizoi se Kurbani përfaqëson solidaritetin, ndarjen dhe kujdesin për tjetrin, sidomos në një kohë kur bota përballet me sfida dhe konflikte të shumta.

“Kemi nevojë më shumë se kurrë për mirëkuptim, dialog, respekt dhe bashkim mes njerëzve. Shoqëria jonë ka nevojë për më shumë dashuri dhe shpresë.”, thotë ai.

Bujar Spahiu vlerësoi harmoninë fetare në Shqipëri si një pasuri të çmuar që duhet ruajtur dhe forcuar çdo ditë.

“Uroj që kjo festë të sjellë gëzim në çdo vatër shqiptare dhe mirësi për të gjithë shoqërinë tonë. Gëzuar Kurban Bajramin!”, përfundon urimi i tij.

Falja e Kurban Bajramit do të zhvillohet ditën e mërkurë, (27 maj), në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Sipas programit zyrtar, aktiviteti do të nisë në orën 06:00 me hapjen e programit, për të vijuar me lexim Kurani nga Hafiz Enes Hyka në orën 06:05. Më pas, në orën 06:10, besimtarët do të përshëndeten nga Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, ndërsa në orën 06:20 do të mbahet një ligjëratë nga Nënkryetari i KMSH-së, Taulant Bica.

Falja e namazit të Bajramit do të kryhet në orën 06:30, nën drejtimin e Kryetarit të KMSH-së, ndërsa hutbeja e Bajramit do të mbahet në orën 06:35 nga Myftiu i Tiranës, Bilal Teqja.

Programi i plotë i faljes së Kurban Bajramit:
06:00 - Hapja e programit
06:05 - Lexim Kurani, Hafiz Enes Hyka
06:10 - Fjala përshëndetëse e Kryetarit të KMSH-së, H. Bujar Spahiu
06:20 - Ligjëratë nga Nënkryetari i KMSH-së, Taulant Bica
06:30 - Falja e namazit të Bajramit, prin Kryetari i KMSH-së
06:35 - Hutbeja e Bajramit nga Myftiu i Tiranës, Bilal Teqja

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:22
Ilir Meta uron besimtarët myslimanë për Kurban Bajramin: Vetëm duke sakrifikuar për të mirën e përbashkët, ne jetojmë në përputhje me mësimet e shenjta

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u ka uruar besimtarëve myslimanë Kurban Barjamin, që kremtohet ditën e nesërme.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta ka uruar më shumë mirësi, lumturi, begati dhe dashuri në familjet shqiptare.

Sipas ish-Presidentit, vetëm duke sakrifikuar për të mirën e përbashkët, ne jetojmë në përputhje me mësimet e shenjta.

Për Metën, Kurban Bajrami na kujton se vlera e vërtetë e besimit qëndron tek devotshmëria, mëshira dhe përkushtimi i sinqertë ndaj njëri-tjetrit.

Reagimi i Metës:

GËZUAR KURBAN BAJRAMIN!

Ju uroj nga zemra të gjithë besimtarëve më shumë mirësi, lumturi, begati, dashuri dhe paqe në familjet tuaja!

Vetëm duke sakrifikuar për të mirën e përbashkët ne jetojmë në përputhje me mësimet e shenjta dhe porositë e Profetit.

Kurban Bajrami na kujton se vlera e vërtetë e besimit qëndron tek devotshmëria, mëshira dhe përkushtimi i sinqertë ndaj njëri-tjetrit.

“Tek Zoti nuk arrin as mishi dhe as gjaku i kurbanëve, por arrin devotshmëria juaj.” – Kuran

Ora 15:51
Kurban Bajrami, myftiu i Korçës uron paqe e lumturi: Kush agjëron sot, i falen mëkatet e vitit të mëparshëm dhe të ardhshëm!

Në prag të festës së Kurban Bajramit, myftiu i Korçës Ledian Cikalleshi ka uruar besimtarët myslimanë.

“Më lejoni që në këtë prag feste të Kurban Bajramit t’ju përcjell urimet më të përzemërta, paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë kjo festë në familjet tuaja”, shprehet myftiu ndërsa kujton ritualin e kësaj feste që ka si simbolikë flijimin e një bagëtie në shenjë mirënjohjeje ndaj Zotit dhe më pas shpërndarjen te familja e të tjerët.

Cikalleshi thotë se në ditën që i paraprin Kurban Bajramit mund edhe të agjërohet.

“Sot, është dita e Arafatit kur haxhinjtë në Mekë mblidhen në zonën e Arafatit për t’u lutur. Besimtarët e tjerë mund të agjërojnë këtë ditë dhe Profeti a.s. na lajmëron se shpërblimi i agjërimit të kësaj dite është se falen gjynahet e një viti më parë dhe vitit të ardhshëm. Kush e ka kaluar agjërueshëm këtë ditë, lus Allahun t’ia pranojë dhe t’ia mundësojë shpërblimin!”, thotë Cikalleshi.

Falja e namazit në Korçë do të zhvillohet në orën 06:20 në oborrin e xhamisë “Iljas Bej Mirahori”.