Arsenali është vetëm një hap larg historisë dhe trajneri Mikel Arteta beson se çelësi i suksesit ndaj PSG-së në finalen e Champions League do të jetë guximi për të sjellë vazhdimisht risi.
Përpara finales së madhe evropiane që do të luhet nesër në orën 18:00 në stadiumin e Budapestit në Hungari, tekniku spanjoll foli me shumë optimizëm për gjendjen e skuadrës së tij, duke theksuar se 'Topçinjtë' nuk janë më ekipi që kënaqet vetëm me paraqitje të mira.
“Puna ime është që nëse diçka nuk është e mjaftueshme për të fituar, nuk mund të jem i kënaqur. Duhet të gjejmë mënyra të tjera për të fituar dhe qasje të ndryshme nga ato të mëparshmet. Kjo është ajo që kemi bërë deri më tani”, deklaroi Arteta.
Pas triumfit në Premier League, Arsenali synon të kompletojë sezonin perfekt duke ngritur edhe trofeun më të madh evropian për klube, kjo për herë të parë. Trajneri spanjoll pranoi se këtë sezon ka ndjerë diçka ndryshe brenda skuadrës.
“Në vitet e mëparshme ishim afër, por gjithmonë mungonte diçka. Këtë herë atmosfera ishte ndryshe që nga fillimi. Ishim të bindur se mund të arrinim shumë larg”, u shpreh ai.
Arteta shtoi se një pjesë e rëndësishme e punës së tij ka qenë aspekti psikologjik dhe motivues.
“Puna ime ishte t’i bindja lojtarët se janë më të mirët. U dhashë energji dhe i shtyva ta shijonin futbollin si kurrë më parë”, tha trajneri i Arsenalit.
Në finalen e madhe, londinezët do të përballen me PSG-në e Luis Enriques, një trajner për të cilin Arteta ka respekt të madh, si në aspektin njerëzor ashtu edhe profesional.
“E kujtoj me shumë dashuri mënyrën si i trajtonte lojtarët e rinj. Si trajner, ai tregoi lidership të jashtëzakonshëm. Pavarësisht kritikave, vazhdoi të besonte te filozofia e tij dhe në fund fitoi. Është një shembull për të gjithë”, deklaroi Arteta për bashkëkombasin spanjoll.
Arsenali ka mbërritur tanimë në Budapest dhe sot do të zhvillojë stërvitjen gjenerale në 'Puskas Arena', ndërsa sfida e të shtunës pritet me interes nga tifozët e futbollit.
Komente




