Nesër Ilir Meta përballë 'togave të zeza' të Gjykatës Kushtetuese! Shqyrtohet shkarkimi i tij si President, si e shtoi presionin ditët e fundit

Nesër Ilir Meta përballë 'togave të zeza' të Gjykatës Kushtetuese! Shqyrtohet shkarkimi i tij si President, si e shtoi presionin ditët e fundit

Ilir Meta del nga Gjykata Kushtetuese

Tetë muaj pasi 104 ligjvënës në Kuvendin e Shqipërisë morën vendimin për të shkarkuar Presidentin e Republikës Ilir Meta për shkelje të rënda të Kushtetutës, më në fund Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë seancën plenare për ta shqyrtuar këtë çështje kaq të ndjeshme të politikës shqiptare.

Pas shtyrjeve të shumtë, nga ato pa argumentim tek ato se relatori ishte me COVID, nesër në sallën e Gjykatës Kushtetuese do të jepen argumentet e palëve se pse Meta duhet apo jo të jetë në krye të shtetit shqiptar.

Ditët e fundit teksa po afrohej shqyrtimi i 'fatit' të tij nuk ka munguar as presioni i shtuar i Presidentit ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

2 ditë më parë Meta i është drejtuar me një shkresë kryetares së Gjykatës Kushtetuese ku i ankohet për mënyrën jo profesionale sipas tij që është sjell me të. Meta kërkoi t’i vihet në dispozicion procedura e ndjekur për  çështjen e shkarkimit të tij, duke thënë se përgjigjet e mëparshme kanë qenë jo përmbajtësore. Ndërkohë që më 26 janar Meta i kërkoi Komisionit të Posaçëm të Apelimit (KPA) hetimin disiplinor të relatores së çështjes së zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, Fiona Papajorgji, por edhe anëtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese. Në argumentimin e tij ligjor, prej 17 faqësh Meta thotë se Papajorgji dhe gjyqtarët e tjerë kanë konsumuar shkelje të rënda profesionale dhe etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të mandatit lidhur me vendimin për 30 qershorin. Pas këtyre akuzave nuk dihet nëse Meta do të jetë vetë i pranishëm në seancën plenare të ditës së nesërme, por kjo nuk e pengon zhvillimin e saj pasi ligji e thotë qartë se mungesa pa arsye nuk është shkak për ndërprerjeje.

Që Presidenti të shkarkohet, pro vendimit të Kuvendit duhet të votojnë të paktën 5 anëtarë dhe duhet patjetër të marrin pjesë në votim 6 anëtarë. Gjykata Kushtetuese ka aktualisht 7 anëtarë nga 9 që duhej të kishte gjithsej. Meta është shkarkuar nga Kuvendi më 9 qershor 2021 me argumente të tilla si shkelje të rënda të Kushtetutës, provokim të cenimit të marrëdhënieve me SHBA, shantazh ndaj drejtësisë, thirrje për veprime të dhunshme, nxitje urrejtje, cenim të sigurisë publike etj.

Deputetët e Partisë Socialiste në pushtet ngritën këtë Komision Hetimor parlamentar, i cili gjeti 17 shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit. Shkarkimin e Metës, Partia Socialiste e ka konsideruar si një nevojë për të "çliruar Presidencën nga një pengmarrje". Kjo ishte nisma e dytë përmes një komisioni të dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra. Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh se "s'do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare" dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor.

Vendimi i Kushtetueses është një 'e panjohur' e madhe e skenës politike shqiptare ende, por rikthimi i Ilir Metës në gjirin e partisë që krijoi tashmë është thuajse i sigurt. Shkarkimi apo jo nga Kushtetuesja vetëm sa do t'ia afronte apo do t'ia largonte me pak muaj rikthimin Metës duke qenë se mandati i tij mbaron më 24 korrik 2022, dhe rizgjedhja as nuk shihet si mundësi.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sifi: 31/01/2022 17:59

    Presidenti eshte garant i Kushtetutes .A mundet te jete president nje person qe ben presion gjykates kushtetyese per vendimin e pamvarur ndaj tij.Ky eshte sjandal politik shume i madh.Ne Shqipwri keta politikane e jane bete rruge nderhyrjen ndaj drejtesise

    Përgjigju
  • Azbiu: 31/01/2022 13:37

    Qeroheni kete burr badakçi,, I ka te gjitha te keqiat si çift,nuk kam lexuar nje koment te mire per keta te dy.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë