Nesër ndeshja Shqipëri - Andorra/ Policia e Shtetit publikon planin e masave të ndërmarra! Ja rrugët që do të bllokohen

Nesër ndeshja Shqipëri - Andorra/ Policia e Shtetit publikon planin e masave të ndërmarra! Ja rrugët që do të bllokohen

Kombëtarja shqiptare duke u stërvitur

Policia e Shtetit ka përgatitur një plan masash me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas ndeshjes të futbollit Shqipëri - Andorra, ndeshje e cila do të zhvillohet nesër (24 mars) në kuadër të kualifikueseve të botërorit 2026, në orën 20:45, në 'Arenën Kombëtare', Tiranë.

Sipas njoftimit të Policisë masat konsistojnë në eskortimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të Andorrës, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas, eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Shqipërisë, në stadium.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të sendeve të jashtëligjshme si: banderola me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sende të tjera të forta.

"Me qëllim garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës, janë parashikuar planëzime të shërbimeve nga Patrullat e Përgjithshme, Shqiponjat, Policia Kriminale, Policia Rrugore dhe Forca Kombëtare e Sigurisë, të cilat do të kenë si prioritet dhe sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës dhe menaxhimin e trafikut rrugor.

Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, konkretisht me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe UEFA-n me Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, Shërbimin Zjarrfikës, Shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë), Spitalet, qëndrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.

Gjithashtu, janë vendosur kontakte dhe po bashkëpunohet dhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Andorrës, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare", thuhet më tej në njoftim.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, ditën e nesërme, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, do ketë kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Rrugët ku do të ketë kufizime të qarkullimit të mjeteve:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqezimi i Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”
Rruga “Papa Gjon Pali II”
Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së
Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së
⁠Rruga “Themistokli Germenji”
Rruga “Gjergj Filipi”
Rruga “ Lekë Dukagjini”, nga  ish-Garda e Republikës deri te stadiumi
Rruga “Faik Konica”
Rruga “Skerdilajd Llagami”

Policia gjithashtu bën me dije për të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë.

"Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj. Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Gjithashtu dublikimi/shumëfishimi i biletës, konsiderohet falsifikim dhe mashtrim, vepra të cilat ndëshkohen nga Kodi Penal i Shqipërisë. Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas radhës, do të kalojë vetëm, për t’ju kontrolluar barcodi nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar", thuhet më tej në njoftim.

Hyrja në stadium e tifozëve kanë blerë biletë, fillon në orën 18:00.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 26 Mars, 08:02

    Sa të rëndësishme janë zgjedhjet e 11 majit për integrimin në BE?



×

Lajmi i fundit

Skualifikimi i paprecedentë në Formula 1, Ferrari tregon pse Hamilton dhe Leclerc u përjashtuan nga Çmimi i Madh i Kinës

Skualifikimi i paprecedentë në Formula 1, Ferrari tregon pse Hamilton dhe Leclerc u përjashtuan nga Çmimi i Madh i Kinës