Erion Veliaj pritet të paraqitet nesër në Gjykatën Kushtetuese ku do të shqyrtohet ankimimi i tij për vendimin e marrë nga qeveria për shkarkimin e tij nga detyra si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Për “Frontline” me Marsela Karapançon në Report Tv, avokati i kryebashkiakut tha se “shkarkimi i kryetarit të bashkisë nuk është thjesht një masë administrative ndaj një “funksionari”, por një ndërhyrje direkte në mandatin e zgjedhur politikisht dhe në autonominë vendore, që mbrohet nga Kushtetuta dhe nga neni 3 i Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore”.
Më tej, në reagimin e tij avokati Alban Dokushi sqaron se autonomia vendore presupozon që ndërhyrja qendrore të jetë e kufizuar dhe e parashikueshme.
"Organi lokal mund të shkarkohet vetëm kur ekziston një shkelje e rëndë, jo kur qeveria krijon shkaqe të reja shkarkimi (p.sh. “mungesa objektive, e pa varur nga vullneti i të zgjedhurit, për shkak paraburgimi” = “shkelje e rëndë”). Pasi ligjvënësi, në pajtim me Kushtetutën, ka parashikuar mungesën tre mujore si shkak shkarkimi vetëm kur është e pajustifikuar, qeveria nuk mund ta zgjerojë me interpretim kompetencën e saj, duke përfshirë edhe mungesat me shkaqe objektive. Kjo është ultra vires ndaj nenit 115: në vend të kushtetutshmërisë, kemi zëvendësim të vullnetit të kushtetutëbërërsit, me një akt ekzekutiv të pajustifikuar normativisht”,- sqaron avokati Dokushi.
Komente












