Nesër studentët kthehen në auditorë, Ministria e Arsimit: Vaksinohuni, qëllimi nuk është të nxjerrim vetëm shkencëtarë por edhe qytetarë

Nesër studentët kthehen në auditorë, Ministria e Arsimit: Vaksinohuni, qëllimi nuk është të nxjerrim vetëm shkencëtarë por edhe qytetarë

Me rastin e nisjes së vitit të ri akademik ditën e nesërme, ministrja e Arsimit Evish Kushi i ka uruar të gjithëve një vit të mbarë, ndërsa i ka bërë sërish thirrje studentëve të pavaksinuar.

Në fjalën e saj përmes rrjetit social Facebook, Kushi është shprehur se fillimi i këtij viti akademik u bë i mundur falë efekteve pozitive të fushatës masive të vaksinimit, por edhe falë një ndërgjegjësimi më të lartë personal dhe kolektiv për të respektuar protokollet e institucioneve shëndetësore.

Ministrja është shprehur se vaksinimi është i nevojshëm, pasi universitet nuk formojnë vetëm shkencëtarë por edhe qytetarë të një shoqërie.

Fjala e plotë:

Të dashur studentë dhe pedagogë,

Dëshiroj t’ju uroj të gjithëve me zemër për fillimin e një viti të mbarë e të suksesshëm akademik!

Ky fillim viti është një moment veçanërisht i rëndësishëm për të gjithë ne, sepse përkon pikërisht me fundin e emergjencës së një pandemie që na detyroi të heqim dorë dhe të sakrifikojmë shumë gjëra prioritare të jetës sonë. Por së bashku ne ia dolëm që të përshtatemi në kohë rekord me kufizimet dhe kushtet e reja. Madje edhe në muajt më të vështirë të krizës ne nuk qëndruam në pritje, por kemi kërkuar të gjitha mënyrat e mundshme se si të vazhdonim përpara me leksionet, seminaret, konferencat e çdo aktivitet tjetër pjesë e kurrikulave universitare.

Fatmirësisht, sot falë efekteve pozitive të fushatës masive të vaksinimit, por edhe falë një ndërgjegjësimi më të lartë personal dhe kolektiv për të respektuar protokollet e institucioneve shëndetësore, më në fund ne po e nisim vitin e ri akademik me prezencë fizike në auditore.

Jam e kënaqur që universitet tashmë i kanë marrë të gjitha masat e duhura dhe ju nesër do të gjeni një mjedis edhe më të ngrohtë e mikpritës nga ai që latë përpara fillimit të pandemisë, jo vetëm auditore dhe rezidenca studentore të rikonstruktuara, por edhe stafe akademike të motivuar dhe plotësisht në dispozicionin tuaj.

Prandaj, më lejoni edhe një herë që të ftoj të vaksinohet secili prej jush që nuk ka patur mundësi deri më tani. Sepse ne besojmë që universiteti nuk formon vetëm profesionistë apo shkencëtarë të fushave të ndryshme, por formon qytetarët e një shoqërie, të cilët mësojnë të jenë anëtarë të një komuniteti duke respektuar të drejtat e njëri-tjetrit. Dhe kjo është e pamundur të realizohet duke qëndruar përpara ekranit të një kompjuteri apo telefoni celular, por vetëm nëpërmjet ndërveprimit me pedagogët tuaj, kolegët dhe duke u parë sy me sy me njëri-tjetrin.

Ky vit do të jetë një sfidë e re edhe për shkak të objektivave madhorë që kemi vendosur së bashku me universitetet tona për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, në bashkëpunim të ngushtë edhe me universitetet më të mira dhe  prestigjoze europiane dhe botërore. Po ashtu ne do të punojmë intensivisht për të përmbushur edhe çdo angazhim tjetër me qëllim që diplomat tuaja të kenë sa më shumë vlerë dhe integrimi juaj në tregun e punës të jetë sa më i shpejtë.

Pas sakrificave të jashtëzakonshme të vitit të kaluar, unë jam sot besimplotë që ju do të dini ta ktheni këtë vit në një përvojë unike të jetës suaj universitare. Ju rikujtoj që pjesa më e madhe e pasurisë së vërtetë që kemi, jo vetëm njohuritë por edhe marrëdhëniet, miqësitë, madje dhe ndjenjat që i mbartim gjatë gjithë jetës tonë, fitohen në auditoret, bibliotekat, korridoret dhe të gjitha mjediset universitare.

Fillim të mbarë të vitit të ri akademik!

Përqafime,

Evisi


Lajmi kryesor:

Studentët kthehen nesër në auditorë, një grup të rinjsh paralajmërojnë prostestë kundër vaksinimit me detyrim! Hoxha dhe Kushi: Vaksinohuni


J.GJ./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Alban Daci: Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe politika si fenomen mosbesimi ndaj proceseve zgjedhore

Alban Daci: Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe politika si fenomen mosbesimi ndaj proceseve zgjedhore