Nesër televizioni i vendit tonë mbush gjashtëdhjetë vjet nga themelimi i tij!…

Nesër televizioni i vendit tonë mbush gjashtëdhjetë vjet nga themelimi i tij!…

Pëllumb Kulla

U ula të shkruaj me dëshirën për ta përshëndetur këtë përvjetor për të kujtuar ata që e ngritën, ata që e drejtuan dhe ata që ia zbardhën faqen me punën e palodhur, – kronistët, folësit, teknikët dhe veçanërisht artistët, me të cilët pata rast të afrohem më shumë.

Valët televizive të prodhuara në vend e nisën rrugën drejt vatrave të shqiptarëve, por në ato vatra televizorët mungonin, thuaj-thuaj, tërësisht. U deshën shumë vite të tjerë që të fillonte prodhimi i tyre. Duhet të kenë qenë shumë të paktë në numër ata që festuan këtë ngjarje dhe jam i bindur që, edhe ndër ata të paktët, 29 prilli i 1960 nuk duhet të jetë vënë re ngaqë, edhe pas asaj dite kënaqësinë ata vazhduan ta merrnin nga kanalet italianë, jugosllavë dhe grekë. Televizorët ekzistues ishin të prurë nga jashtë, më të shumtët nga BS dhe nga vendet e europianë përqark.

Unë vetë deri atë ditë nuk isha ndodhur ende përballë ndonjë ekrani. Imazhet e para televizivë që kam shijuar unë kanë qenë ato në shtëpinë e të ndjerit Pineo Shkurti, imazhe të RAI-t italian që sillnin një finale të Kupës së Kampionëve. Dhe ende nuk e dija që televizioni ynë atë natë kishte kapërcyer katër vjetët. Në studiot e tij po përmirësoheshin rubrikat e lajmeve, dokumentarizoheshin ngjarjet madhore të vendit, jepeshin koncerte dhe programet artistike po shumoheshin.

Si artist, apo shkrimtar, gjurmën e parë të krijimtarisë sime në ekranin e TV shqiptar unë e shënova 14 vjet më pas nga emetimi i valëve të para. Mbaj mend që ishte pjesëza humoristike “Lipe Shtogu prapa listës”. Ftesa për të bashkëpunuar brënda korpusit të televizionit më erdhi pas 18 vjetësh. Familja ime e vogël u ul ballë një televizori të porsa blerë 22 vjet pas datës që kremtohet këto ditë. Kjo paisje iu shtua inventarit familjar, kur televizoni shqiptar prej kohësh më pat angazhuar si bashkëpunëtor part-time dhe i pat shfaqur gjërësisht miniaturat e mia humoristike, shto këtu një dramë historike dhe dy komedi të plota. Dhe, paradoksalisht, për shkak të prodhimit të paktë të uzinës durrësake të televizorëve dhe për një sërë arsyesh të tjera, shfaqjet e krijimtarisë sime për ekranin, deri atë mbrëmje, më duhej t’i shijoja tek komshinjtë përballë, në familjen e dashur të një punonjësi të fushave të naftës.

U përpoqa të bëj një kronologji të vogël të marrëdhënies time me këtë medie relativisht të re dhe të rëndësishme, që m’u bë e dashur dhe më dha mundësi të bëhem i njohur. Gjatë viteve të afrimit me të, statura e televizionit shqiptar u rrit. Qëllimi primar, propaganda dhe shushatja ideologjike u përsosën, por në atë pak hapësirë paralele për artet, u rritën artistë dhe lindën vepra, filma, variete gazmore, koncerte, spektakle dramatikë, festivale të bujshëm të këngës, serialë, të paktë në numër vërtet, por që edhe sot janë të kërkuar, – dhe aspak vetëm për shkak të nostalgjisë!

I thirrur të bashkëpunoja në ato hapësira, pata lumturinë të njihesha dhe miqësohesha me artistë dhe administratorë të shquar që kanë bërë historinë e Radio Televizionit Shqiptar (Rtsh), për të arritur deri në këtë ditë jubilare. Ndjej një shtysë të brendshme të mos le këtu pa përmendur emrat e njohur të Albert Mingës, Mevlan Shanajt, Koço Devoles, Vera Grabockës, Stefan Gajos, Pali Kukes, Agron Çobanit, Zhaneta Petushit, Virgjil Kules, Shaqir Rexhvelajt, atë të drejtorit të përgjithshëm, Marash Hajatit, e plot emra të tjerë mbresëlënës, që do të ma bënin listën shumë të gjatë. Që pas vitit 1977, katër muajt e fundviteve, edhe duke qenë anëtar i trupave teatrore të Fierit, praktikisht unë mund ta quaja veten, edhe punonjës të sektorit artistik të televizionit të vetëm kombëtar. Dhe projekti më i rëndësishëm, që më thërriste, ishte i përvitshmi koncerti i madh i ndërrimit të viteve.

Ishte e natyrshme që shteti do ta përdorte televizionin si mjet të fuqishëm të propagandës.  Imazhet vizuale të një vendi të lumturuar u bënë produkti kryesor i tij. Dhe gjithnjë në favor të këtij qëllimi, duke turbulluar sinjalet televizive të vendeve përqark, kanali ynë televiziv mbeti, për 40 vjet të plotë, i vetmi ushqyes i atyre sipërfaqezave të ndritura prej qelqi, ku shqiptarët do të mbërthenin vështrimët e tyre e aty do të mësonin të rejat, do të zbaviteshin, do të qanin e do të qeshnin. Programet artistike, sado që nuk e shmangnin dot kundërmimin politik, do të ishin më të kërkuarit dhe më të ndjekurit. Errësimi i sinjaleve të huaja në njëfarë mase bëri që arti dhe sporti të lartësonin talentet vëndase dhe ndihu të hidhnin shtat figura të dashura për publikun që them me bindje, edhe po të krahasoheshin në terrene ndërkombëtarë, do të qëndronin me siguri kryelartë. Edhe sektori i teknikës, megjithëse me paisje disi të prapambetura pati rritjen e natyrshme që selitën vitet…

Të tillë e gjeti përmbysja e diktaturës Rtsh-në. Për inerci kuzhina propagandistike, edhe pas ndryshimeve historike, vazhdoi edhe për nja dhjetë vjet të tjera të ishte dominuese në atë çka dilte nga televizioni publik. Që kohërat që përmenda, fatmirësisht, kishin perënduar, mjerisht, nuk i bënë të vetdijshëm as drejtuesit e radiotelevizionit dhe as pushtetarët e rinj. Etiketimi si “altoparlant i qeverisë” për Rtsh publik ka qenë i pashqitshëm edhe nga mendjet e teleshikuesve. Direktivat nga kupola e pushtetit nuk rreshtën edhe për shumë vite të tjerë, bile edhe pas pluralizmit televiziv, që solli shekulli i ri. Drejtuesit e institucionit nuk u shëruan dhe as nuk tentuan dot kurën e shërimit nga kjo lëngatë duke u pajtuar me depersonalizimin e tyre të pashmangshëm…

Sot televizionin shqiptar, që kremton 60 vjetorin e krijimit, e takojmë dhe e shohim me endje tek përpiqet të lundrojë në kushte të reja, krejtësisht të ndryshme nga çka përshkrova më lart. Rreth një vit e gjysmë më parë pata rastin të riangazhohesha, si dikur, në realizimin e një koncerti tjetër të ndërrimit të viteve. Pra, ashtu nostalgjik, pata mundësinë të njoh bashkëpunëtorë të rinj, drejtues të rinj dhe pretendoj se njoha mjaft nga problemet me të cilat përballen ata që mbajnë më këmbë këtë institucion.

Sot Radio televizionit shqiptar i është dhënë rasti fatlum që të përvishet në konkurenca të egra me kanale të fuqishëm privatë. Kjo stimulon energji gare, që në të gjitha rastet do të sillnin rritje dhe përsosje.

Dhe kjo lumturisht vihet re që po ndodh.

Është për t’u përshëndetur ardhja në krye të institucionit e zotit Thoma Gëllçi, një individi me përvojë në fushën e mediave. Është meritë e tij që sot Rtsh ofron një platformë që angazhon këtë ent publik në pesëmbëdhjetë transmetime të njëkohëshme me profile të përcaktuara mirë dhe me “meny” të pasura. Kam patur rast të ve re me kënaqësi se sot në korridoret e televizionit fryn një fllad diversiteti dhe bëhen përpjekje të dukshme të xhvishen këmishët e neveritshme të pushtetit. Në krye të ca rubrikave të reja, u është bërë vend një numëri gazetarësh me integritet, bile edhe me zëra të fuqishëm dhe qartësisht opozitarë.

Puna që bëhet tani në televizionin shtetëror e ndjen dëmin që ka ardhur nga largimi i artistëve të shquar dhe me një mal përvoje që u rritën dhe patën lënë gjurmë të ndritshme. Përthithja e tyre nga kanalet e fuqishëm privatë dhe që paguajnë mirë, ka bërë që në institucionin publik, detyrimisht mbetet veç të pritet maturia e ca fillestarëve që vonojnë por japin shenja premtuese.

Rtsh kombëtar sot është në një garë të dyfishtë. Është në garë me veten, dua të them, me të kaluarën e tij, dhe në një garë tjetër me kanalet peshërëndë privatë, të cilësuar dhe ata kombëtarë. Në këtë përballje, shëmbëlltyra e vetvetes, ajo e dikurshmja, është mposhtur tashmë, megjithëse ajo rrojti dhe mbretëroi dikur në komoditetin e mungesës së konkurentëve dhe me një kuletë financiare të ushqyer mirë.

Në këtë garën tjetër Rtsh është ende prapa. Pavarësia financiare i bën kanalët privatë, më të fuqishëm, më të shkathët dhe më pak burokratikë në menaxhimin dhe në përqafimin e projekteve të rinj. I bën më të shpejtë në vendimmarrje. Këtë e ka pasur të pamundur dhe e ka të vështirë 60 vjeçari ynë.

Kam mendimin se në përballjen me kanalët private, Rtsh-ja ndihet jo vetëm e braktisur nga njerëzit që nëpër studiot e veta maturoi në vite dhe i pa të vrapojnë drejt kanaleve rivalë, por ndihet e plaçkitur në pasurinë arkivore. Pastaj është e papranueshme që një thesar pafund i arkivit mbetet ende i ndryrë në kasetat e vjetra e të dala mode.  Ato nevojiten të konvertohen në arsenal dixhital dhe t’i japin televizionit publik një lloj “rikthim prone” një lloj akti, që shteti postkomunist ka treguar që nuk e ka fort për zemër. Në atë trashëgimi të ngrirë ka një pasuri përrallore imazhesh, bollëk informacioni, portrete artistësh në performanca mahnitëse të lëna në harresë.

Televizioni publik, ai që në mendjen e të gjithëve është i qeverisë, pikërisht nga qeveria, mendoj se duhet të kishte një mbështetje më dashamirëse. Ndihet nevoja e hapësirave të prodhimit, siç janë studjot dhe mjediset, si ata të kanaleve privatë, që të zilepsin me sallat dhe sheshet e xhirimit. Do të ishte një përkrahje që të arrijë, në mos ta fitojë, po të paktën të garojë krah për krah me ta, duke e zgjeruar prodhimin me filma të njësuar, apo serialë, për t’i dhënë fund pushtimit turk(!) edhe në fushën e televizionit.

Natyrisht askush nuk do ta dëgjojë fjalën time, e cila meriton besueshmëri, ngaqë nuk buron nga asnjë interes i dukshëm apo i fshehur. Bile ka të ngjarë që Zotat as do t’i lexojnë këto radhë. Lexuesi mund të bindet për këtë kur të drejtojë vëmendjen mbi një  nevojë më të brishtë e më pak të kushtueshme në favor të televizionit të tyre publik dhe që nuk plotësohet. Zotat shqiptarë të qeverisë dhe të Opozitës për betejat politike, shkojnë dhe shërbehen nga privatët e fuqishëm, aty bëjnë deklaratat historike, aty intervistohen dhe debatojnë duke  kërkuar pavdekësit e tyre.  Sikur e bëjnë enkas, bash për t’i dekretuar Klanit dhe Top Channelit, pavarësinë dhe për të treguar praktikisht se televizioni i vjetër nuk barabitet dot me ta. Për të thënë copë se në televizionin publik, politikanët e kanë kot që të shfaqen pasi aty shikueshmëria është e dobët. Duke e ditur mirë, se në një vend si ky i yni, ata janë vetë shikueshmëria!

Kjo është një goditje jo pas shpine, por e hapur dhe në ballë.

Televizioni publik, nga i cili kanë marrë fluturimin artistë të papërsëritshëm të komedisë, ka nevojë për t’u mbështetur financiarisht për një nyjëzë permanente të humorit, për të rikujtuar se aty nisi rruga e Aleko Prodanit, Zef Dedës, Vasillaq Vangjelit, Zyliha Milotit, Luftar Pajës, sime shoqe Xhuljetës, Agim Bajkos… Për të rikujtuar se në këtë kanal të vetëm televiziv, u ishte mbyllur me shtatë kyçe porta fjalëve të përdhosura dhe të turpshme, që shiten sot si dëshmi e lirisë nga diktatura. Një artist i pashterrshëm, si Koço Devole, një pus i vërtetë fantazie në tërë vitet e tij të suksesshëm, nuk u bë kurrë banal. Regjisorët e mënçur që përmenda aty më lart, në një situatë, si kjo, kur njerëzit  e terrorizuar nga kërcënimet e Covidit-19 janë ngujuar brenda apartamenteve me porta dhe dritare të kuptosura hermetikisht, nuk do t’u sillnin këtyre shikuesve në ekrane programe humori laj-thaj, vetëm me temën e viruseve, duke përqeshur sterilizimin, kollat dhe teshtimat! Do t’i shkëpusnin të ngujuarit e gjorë të paktën ato dy-tri orë të shumëpritura dhe t’i dërgonin ata në qiejt e kthjellët të së qeshurës, larg temës zukatëse të numërave me të infektuar, me të shëruar dhe me të vdekur.

Aty më lart nuk harrova të listoj, por e lashë për në fund të përmend rrugën që nisi dhe arritjet në televizionin publik, një artist i kompletuar, si Agron Llakaj, që – shiko-shiko! – qënkesh lindur pesë ditë përpara themelimit të televizionit shqiptar! Pra, bash gjashtëdhjetë vjet më parë edhe ai! Dhe nuk do t’u besoj, – e mos u besoni as ju! – të dashur lexues ca teprimeve, apo sajesave të krenarisë tepelenase: se thuhet, sikur gjoja, vetëm kur e mori lajmin të sigurtë, që bebja i Llakajve më në fund pat ardhur në këtë botë, Enver Hoxha, me largpamësinë e tij legjendare, urdhëroi themelimin këtij televizioni, për të cilin po flasim! E pastaj, jo rastësisht, kur filluan të shumohen kanalet televizivë, artisti ynë i vyer do të kalonte kanal më kanal, mbi ura të ndritshme, si xha-Teme, si gjyshe romuzemadhe, si trafikant kinezësh dhe si shumë karaktere mahnitës. Janë aftësitë fizike dhe vokale, syri dhe vëzhgimi i mprehtë, që përbëjnë binarët e talentit të tij të pakrahasueshëm.

Nuk kish se si të mos përdorja rastësinë e bukur gjashtëdhjetë vjeçare, për ta mbyllur këtë shkrim në mënyrë gazmore: urime dhe jetë të gjatë e të shtruar me suksese, Gon Llakaj!

Dhe, kuptohet, urimin më të fundit do ta le për televizionin tonë publik, që ai të arrijë lartësi të tilla saqë, ashtu, nën këtë qiell me shkrepëtima sinjalesh të huaja dhe vëndase  të bëhet ai, më i kërkuari!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 29/04/2020 03:28

    Nuk ka si koncerti i madh i Vitit te Ri,shume e kane imituar por zor se e kane arritur.Ketu ne U.S.A.po ta kalosh naten e Vitit te Ri ne shtepi eshte pak e trishtueshme,programet amerikane jane pertoke, diferenca ne ore pamundeson ti shohesh programet shqiptare direkt edhe ata qe shohim ne internet nuk jane ne nivel artistik,keshtu perfundojme duke pare shfaqje te vjetra.Te vjen keq qe shkrimtaret nuk punojne me shume.Per disa vjet u be humor per humor duke banalizuar fjalorin e skecet ne nivelin me te ulet.Urojme qe gjithcka te behet me mire URIME RTSH,KENI QENE NJESHI NE CDO KUPTIM E DREJTIM!

    Përgjigju
  • Kanace UHF: 28/04/2020 22:18

    RTSH GEZUAR 60 VJETORIN.Shume rrespekt per ju z.Kulla,sa i perket RTSH eshte e vertete ajo qe thoni ju qe vitet e fundit sidomos epoken e dixhitalizimit eshte ngritur edhe nr e kanaleve edhe cilesine e transmetimit HD,dhe merita e vecante qe e permendni nuk eshte pushtuar nga telenovelat turke.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës