TIRANE - Një ditë intensive për drejtësinë kjo e nesërmja, përsa 2 çështjeve më të bujshme në vend, pasi pritet zbardhja e vendimit të 21 Janarit dhe vendimi i Gjykatës së Apelit për ngjarjen e 5 viteve më parë, atë të tragjedisë së Gërdecit.

Nesër pritet që Gjykata e Apelit të japë vendimin për 29 personat e akuzuar për tragjedinë e 15 marsit të 2008-ës në Gërdec, ku mbetën të vrarë 26 persona, dhjetëra të tjerë u plagosën ndërsa u dëmtuan shumë objekte. Vendimi i formës së prerë pritet të jepet nga treshja gjykuese, Gent Shala, Shëklqim Miri, kryesuar nga Alaudin Malaj.  Apeli duhej të kishte dalë me një vendim disa ditë më parë, por më 4 shkurt kreu i trupës gjykuese kërkoi kohë duke u shprehur se nuk ishte gati pasi dosja ishte shumë voluminoze.

Vendimi i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë u apelua nga Prokuroria e cila kërkon që të deklarohen fajtorë 28 persona për tragjedinë e 15 marsit të 2008 në Gërdec, mes të cilëve edhe shoqërinë “Albademil”, dhe vetëm për Lavdi Shatron të tërhiqen aktet e gjykimit.

Ndërkohë, të gjithë avokatët e të pandehurve gjatë shqyrtimit gjyqësor kanë këmbëngulur për pafajësi, si dhe kanë kërkuar rrëzimin e vendimit të Shkallës së Parë, ku pjesa dërrmuese e tyre janë dënuar.

Në vendimin e gjykatës së Tiranës për procesin ‘Gërdeci’ 10 prej 29 të akuzuarve u shpallën të pafajshëm, për një prej tyre do të rishqyrtohet çështja ndërsa për 18 të akuzuarit e tjerë u dhanë në total 97 vjet burg.

Sipas vendimit të Gjykatës, Dritan Minxholli, ish-përgjegjësi i fabrikës se demontimit të armëve u dënua me 18 vjet burg, ish-drejtori i MEICO, Ylli Pinari, po me 18 vjet burg, ndërsa administratori i fabrikës Alba-Demil, Mihal Delijorgji, u dënua me 10 vjet burg, ndërsa prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm nën akuzën e vrasjes. Por Gjykata i dënoi ata për "shpërdorim detyre" dhe "shkatërrim të pronës".Gjykata e Tiranës dënoi me 10 vite burg Sokol Ngjecin dhe me 6 vjet ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha

21 JANARI, GJYKATA THOTE NESER PSE I DHA PAFAJESI DY GARDISTEVE
Gjykata e Tiranës zbardh paraditen e nesërme vendimin ndaj të akuzuarve për tragjedinë e 21 Janarit. Burime pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet kanë bërë të ditur për televizionin A1 REPORT! se rreth orës 11:00 do të zbardhet vendimi i marrë nga treshja gjykuese, Besnik Hoxha Ardiana Bera dhe Arjana Caco më 7 shkurt.

Sipas vendimit të dhënë një javë më parë, Gjykata shpalli të pafajshëm ish-kreun e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe ish-gardistin Agim Llupo.

Dokumenti prej 40 faqesh do të argumentojë vendimin e dhënë nga togat e zeza më 7 shkurt, se përse u dha pafajësi për dy ish gardistët.

Ndërkaq burime nga organi i akuzës kanë theksuar për A1 REPORT! se sapo të zbardhet vendimi nga Gjykata do të ketë edhe një vendim nga Prokuroria për apelimin apo jo të verdiktit të Gjykatës.

Vendimi i shpallur zyrtarisht më 7 shkurt solli reagime të shumta jo vetëm në skenën politike shqiptare, por edhe nga institucionet ndërkombëtare. Reagimi më i ashpër erdhi nga Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila u shpreh e tronditur nga verdikti i Gjykatës së Tiranës.

Redaksia Online
(Gre.M/j.d/Shqiptarja,.com)