Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thotë se nëse rizgjidhet, ai do të aneksojë vendbanimet hebraike në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Në një intervistë televizive, Netanjahu tha se Izraeli do të "kalojë në fazën tjetër” dhe do të ruajë kontrollin e Bregut Perëndimor, duke imponuar sovranitetin izraelit pa hequr vendbanimet ekzistuese.
Komentet e tij bëhen për të joshur partitë e vogla të ekstremit të djathtë dhe votuesve radikalë, të cilët nuk duan t'u japin toka palestinezëve.
Vendbanimet janë një nga çështjet më të nxehta në përpjekjet për të rinisur bisedimet izraelito-palestineze të paqes, të ngrira që nga viti 2014.
Një zëdhënës i presidentit palestinez Mahmoud Abbas, i tha agjensisë së lajmeve Reuters se "çdo masë dhe njoftim nuk do të ndryshojë faktet. Vendbanimet janë të paligjshme dhe ato do të hiqen," tha ai.
Palestinezët duan të krijojnë një shtet në Bregun Perëndimor, në Jeruzalemin lindor dhe në Rripin e Gazës, që të treja të pushtuara nga Izraeli në vitin 1967. Që nga ajo kohë, Izraeli ka aneksuar Jeruzalemin lindor, por është tërhequr nga Gaza. Bregu Perëndimor mbetet nën pushtimin ushtarak izraelit me autonomi të kufizuar palestineze. voa