Netanyahu kritikon zbulimin izraelit lidhur me sulmin e Hamasit, më pas kërkon ndjesë

Netanyahu kritikon zbulimin izraelit lidhur me sulmin e Hamasit, më pas kërkon ndjesë

Benjamin Netanyahu

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, sulmoi të dielën shefat e tij të organeve të zbulimit përmes një postimi në platformën X, duke thënë se ata nuk e kishin paralajmëruar që Hamasi po planifikonte sulmin në shkallë të gjerë më 7 tetor. Më vonë ai i tërhoqi komentet e tij dhe kërkoi ndjesë.

Postimi në rrjetin X në orën 1 të natës, ndërsa gdhihej e diela, shkaktoi një termet politik dhe ndasi në kabinetin e luftës të Netanyahu, i cili ka shkaktuar zemërim mes publikut pasi nuk ka marrë përgjegjësinë për dështimin e organeve të zbulimit dhe operacionet në lidhje me sulmin e Hamasit në pjesën jugore të Izraelit.

Zyrtarët e lartë, që nga krerët e ushtrisë dhe agjencia e brendshme e spiunazhit “Shin Bet” e deri tek ministri i financave e kanë pranuar dështimin. Por Kryeministri Netanyahu nuk e ka bërë një gjë të tillë. Ai është shprehur se pas luftës do të vijë koha për të ngritur pyetje të vështira, përfshirë vetë atë. I pyetur në lidhje me komentet e zotit Netanyahu gjatë një konference shtypi me gazetarët, zëdhënësi i ushtrisë izraelite nuk pranoi të përgjigjet, duke thënë se: “Tani jemi në luftë, të përqendruar tek lufta”.

Zyrtarët izraelitë kanë thënë se do të ketë hetime për zhvillimet që çuan në sulmin e Hamasit si dhe reagimin gjatë sulmit, por se në qendër të vëmendjes ishte konflikti.

Në postimin e fshirë të zotit Netanyahu thuhej: “Në asnjë moment dhe asnjë etapë nuk pati paralajmërime për Kryeministrin Netanyahu në lidhje me qëllimet e luftës së Hamasit. Përkundrazi, të gjithë zyrtarët e sigurisë, përfshirë krerët e ushtrisë dhe Shin Bet, vlerësuan se Hamasi ishte i frenuar dhe i interesuar për një marrëveshje”.

Në një postim të dytë në rrjetin X rreth 10 orë më vonë, zoti Netanyahu tha: “Kam gabuar”, duke shtuar se vërejtjet e tij “nuk duhet të ishin bërë dhe unë kërkoj falje për këtë”.

“Shpreh mbështetje të plotë për të gjithë krerët e degëve të sigurimit”, shkruante ai.

Komentet e tij fillestare u kritikuan menjëherë nga aleatët aktualë dhe të mëparshëm, përfshirë nga Benny Gantz, ish-ministër i mbrojtjes, i cili tani shërben në kabinetin e luftës të Kryeministrit Netanyahu.

Gantz shkroi në rrjetin X se Kryeministri Netanyahu duhet ta tërheqë komentin dhe ta lërë këtë çështje.

“Kur jemi në luftë, udhëheqja duhet të tregojë përgjegjësi, të vendosë të bëjë gjërat e duhura dhe të përkrahë forcat në një mënyrë që të kryejnë atë që ne kërkojmë prej tyre”, shkruante zoti Gantz.

Sulmi befasues dhe i mirëplanifikuar i Hamasit ishte më vdekjeprurësi në historinë 75-vjeçare të Izraelit.

Izraeli reagoi me sulme ajrore duke bombarduar Rripin e Gazës ndërsa ditë më parë filloi operacionet tokësore për eliminimin e grupit islamik të mbështetur nga Irani dhe për të siguruar lirimin e mbi 220 pengjeve të rrëmbyera në Izrael më 7 tetor.

Udhëheqësi i opozitës Yair Lapid, i cili më parë ishte kryeministër, tha se Netanyahu “shkeli vijën e kuqe” me shkrimin në rrjetin X.

“Përpjekjet për të shmangur përgjegjësinë dhe për të fajësuar institucionet e sigurisë e dobësojnë ushtrinë ndërsa po lufton armiqtë e Izraelit”, tha ai.

Yossi Cohen, i cili drejtoi agjencinë e zbulimit Mossad nën qeveritë e mëparshme të Netanyahut, i tha Radios Izraeli: “Përgjegjësia merret që në fillim të punës, jo nga mesi”./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Diell dhe temperatura deri në 15 gradë, parashikimi i motit për sot

Diell dhe temperatura deri në 15 gradë, parashikimi i motit për sot