Ligjet e kthyera për rishqyrtim nga presidentit duhet të kalojnë sërish për shqyrtim në Komisionet përgjegjëse Parlamentare. Sipas rregullores së Kuvendit në nenin 86 thuhet se: “1. Kur Presidenti i Republikës, në përputhje me nenin 85 të Kushtetutës, rikthen ligjin për rishqyrtim në Kuvend, Kryetari i Kuvendit e kalon menjëherë atë për shqyrtim në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht; 2. Komisioni përgjegjës e shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës dhe brenda 8 javëve nga data e fillimit të shqyrtimit paraqet raportin e tij. Ky raport përmban mendimin e komisionit dhe, sipas rastit, edhe propozime për nene të veçanta të ligjit.”

Por për reformën territoriale duket se do të ketë një ngërç pasi mandati i komisionit të posaçëm parlamentar ka mbaruar në datën 31 korrik kështu që do të duhet të zgjatet mandati për këtë komision ose të ngrihet një tjetër në mënyrë që dekreti i kthyer nga Nishani të mund të votohet sërish.