TIRANE - Pensionet do të rriten me 2% edhe për vitin 2015-të. Ministria e Mirëqenies Sociale do t’i propozojë Këshillit të Ministrave, brenda muajit korrik, rritjen me 2% për të gjitha kategoritë e pensionistëve. Drejtor i Inspektimit të Marrëdhënieve të Punës, Pagave dhe Pensioneve në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Astrit Kuka u shpreh për “Shqiptarja.com” se edhe për këtë vit rritja do të jetë 2%, ndërkohë që inflacioni është në shifrat 1.5-1.6%.

Sipas drejtorit të pensioneve në MMS, rritja është parashikuar dhe në buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale për vitin 2015-të. “Pavarësisht se inflacioni është rreth 1.5%, do të bëhet një rritje prej 2% e të gjitha pensioneve. Vendimi ende nuk është çuar në Këshillin e Ministrave, por do mblidhet grupi, i cili do të hartojë vendimin. Deri tani është menduar që rritja të jetë me 2% dhe ky fakt është parashikuar dhe në buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale. Realisht inflacioni është më i ulët por ne kemi parashikuar një rritje më të lartë për të gjithë pensionistët”, - u shpreh Astrit Kuka.