Nga 11 maji deri më 24 nëntor, Shqipëria prezantohet në Bienalen e Venecias

Nga 11 maji deri më 24 nëntor, Shqipëria prezantohet në Bienalen e Venecias

Edhe këtë vit Shqipëria do të ketë veprën e saj përfaqësuese në Bienalen e Venecias. Vepra e Driant Zenelit,  “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm”, e kuruar nga artistja Alicia Knock do të prezantohet nga 11 maji deri më 24 nëntor 2019 në “Arsenale Artiglierie”. Në përshkrimin që i bëhet veprës së artistit shqiptar në faqen zyrtare të Bienales, thuhet se, “vepra është një instalim skulpturor i cili zgjerohet si një projekt multidisiplinar duke lënë idenë se “nën një sipërfaqeje ka një sipërfaqeje tjetër”. Zeneli nisi të punonte me këtë ide më 2015-tën në ish Metalurgjikun, në qytetin e Elbasanit. Zeneli thotë se “Idea për këtë vepër ka lindur nga leximi i romanit të parë fantastiko-shkencor në Shqipëri, “Drejt Epsilonit të Eridanit”, i botuar në vitin 1983 (ribotuar i plotë në vitin 2018) nga Arion Hysenbegas.” Në qendër të veprimit performativ, si dhe në punët e tjera të artistit ku përdoret gjuha e narrativës filmike, ndodhet ripërkufizimi i dështimit – si çasti themelor për të krijuar një alternativë të re.

Vepra e Driant Zenelit sfidon limitet intelektuale dhe fizike, duke vendosur në skenë dhe duke performuar situata sureale dhe ironike, ndonjëherë dhe absurde. Shpesh puna e Zenelit identifikohet me ëndrrat, luan me arsyen, ndërkohë që ndërvepron me publikun. Në vitin 2008 Zeneli fitoi çmimin Ndërkombëtar “Onufri” në Tiranë dhe në vitin 2009 çmimin “The Young European Artist Aëard”, Trieste Contemporanea. Në vitin 2017 ai fitoi çmimin “MOROSO”, Itali. Driant Zeneli ishte drejtor artistik i “Mediterranea 18”, “Bienalja e Artistëve të Rinj nga Evropa dhe Mesdheu”, që u zhvillua për herë të parë në vitin 2017 midis Tiranës dhe Durrësit. Ai është gjithashtu bashkëthemelues i Platformës së Artit Bashkëkohor Harabel në Tiranë.

Kuratorja e veprës Alicia Knock punon në Qendrën “Pompidou” në Departamentin e Artit Bashkëkohor, në Paris, të krijuar dhe drejtuar nga Christine Macel. Alicia Knock po punon për zgjerimin e këtij muzeu drejt Afrikës dhe Evropës Qendrore, nëpërmjet blerjeve dhe ekspozitave.

Përgjegjëse për ekspozitat e fundit të çmimit “Duchamp” (Kader Attia, Yto Barrada, Ulla von Brandenburg dhe Barthélémy Toguo, 2016, “The most foreign country”, gratë artiste nga çmimi “Duchamp”, Fondacioni Fernet Branca, 2017, Maja Bajevic, Joana Hadjithomas dhe Khalil Joreige, Charlotte Moth, Vittorio Santoro, 2017), ajo është gjithashtu e përfshirë në projektin e ri të Qendrës “Pompidou”, Galerie 0, me qëllim kthimin e tij në laborator për praktika të reja.

Për ceremoninë e hapjes së kësaj hapësire të re (Museum On/Off, 2016) ajo ftoi artistë dhe kuratorë të administronin hapësirën për të promovuar muzeun si një përvojë më vete. Instalimet nga Otobong Nkanga, Meschac Gaba, Ahmet Ogut dhe Arseny Zhilaev, ofruan sfondin për trillime në evolucion të vazhdueshëm.

Muzeu u kthye një vend jo për ekspozim, por për prodhim, riprodhim dhe interpretim. Në praktikën e saj kuratoriale, Alicia Knock përpiqet të eksplorojë formatin e ri të ekspozitës, duke vënë në dyshim vetë muzeun përmes projekteve multidisiplinare.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë