Nga analiza dhe hapja e PS në vitin jubile të 30 vjetorit tek përgatitja për fitoren në 2025-në dhe shkarkimi i Metës, të gjitha mesazhet që Edi Rama u dha deputetëve socialistë

Nga analiza dhe hapja e PS në vitin jubile të 30 vjetorit tek përgatitja për fitoren në 2025-në dhe shkarkimi i Metës, të gjitha mesazhet që Edi Rama u dha deputetëve socialistë

Së pari, urime!

Urime nga afër të gjithëve për fitoren shumë domethënëse të mandatit të tretë!

Një arritje historike për Partinë Socialiste që kemi detyrimin dhe përgjegjësinë e jashtëzakonshme ta kthejmë me punë, me përkushtim të jashtëzakonshëm, në një arritje historike për Shqipërinë e kësaj dekade ku sapo kemi hyrë.

Urimi im është për të gjithë ju, pa përjashtim, pavarësisht se jo të gjithë keni dalë të lumtur në nivelin personal nga ndeshja sfiduese që sëbashku e fituam me një rezultat të qartë, bindës, kuptimplotë.

Nuk është aspak retorike kjo që po them e sinqerisht, të gjithë pa përjashtim duhet të ndiheni fitues, si pjesë e kësaj skuadre fituese e duhet të mendoni si fitues e të jeni gati të punoni në parlament, në qeveri apo në çdo nivel të ekzekutivit, për ta kthyer këtë fitore të  madhe tonën në një fitore të madhe për Shqipërinë, sepse pavarësish arritjeve apo mosarritjeve individuale në këtë ndeshje, që ishte dhe një garë e brendshme për një vend në skuadër e më pas për një vend në parlament, të gjithë këtu, pa përjashtim, e kanë dhënë një kontribut në këtë fitore, e cila është përgatitur në katër vjet, jo në katër javët e fundit të fushatës elektorale.

Ndërkohë dua të jemi qartë dhe për faktin se për mua, siç e kam thënë dhe para ndeshjes nuk kanë asnjë rëndësi votat individuale që secili ka marrë, por ka rëndësi vetëm realizimi i objektivit të madh, i triumfit të numrit 12 të Partisë Socialiste, si dhe realizimi i objektive të çdo skuadre në nivel qarku.

Gara e brendshme në listat e hapura, e cila ndodhte për herë të parë, ka sjellë patjetër edhe të mirat e saj, por ka sjellë dhe disa dëme anësore që duhen analizuar me kujdes, për të nxjerrë mësimet e duhura mbi këtë sistem të ri zgjedhor për ndeshjen tjetër pas katër vitesh. Gjynah që nuk kemi mundur ta maksimizojmë rezultatin final me plus 4 mandate, të cilat i kemi lënë rrugës për shkak të numrit të madh të votave të pavlefshme, të atyre që kanë zgjedhur 12-n në Dibër, në Shkodër, Tiranë dhe Elbasan, por kanë gabuar në shënjimin e numrit të preferencës për kandidatët. Por sigurisht kjo nuk e bën më pak të çmuar rimarrjen e 74 mandateve, njësoj si 4 vjet më parë, përkundrazi, kjo është një 74-ër shumë më domethënëse pas një mandati të dytë skajshmërish të vështirë për shkak të tërmetit e të pandemisë, që e bënë këtë mandat të dytë më të jashtëzakonshmin të historisë së pluralizmit politik në Shqipëri.

Mesazhi im i parë për të gjithë familjen tonë politike është: Jini gati!

Gati për të nisur që tani përgatitjen e fitores tjetër, edhe tjetrës më tej, në zgjedhjet e ardhshme vendore e në ato të përgjithshme të vitit 2025. Gati për të mbajtur me dinjitet lartë përgjegjësinë e shumicës së re qeverisëse në Kuvend e në çdo nivel të ekzekutivit. Gati për të analizuar në çdo aspekt mandatin e dytë dhe ndeshjen e sapo përfunduar, që të kuptojmë sa më qartë se ku dhe si duhet të ndërhymë për përmirësime të mëtejshme të makinerisë sonë elektorale, si dhe natyrisht, për të reformuar më tej qeverisen, strukturën e Partisë Socialiste, padyshim vetë Shqipërinë.

Me gatishmëri maksimale duhet të nisim menjëherë një fushatë hapjeje të re të Partisë Socialiste ku nga njëra anë duhet të krijojmë një mundësi të besueshme përfshirjeje të të gjithë atyre që duan të bëhen pjesë e kësaj familje e nga ana tjetër duhet të rirreshtojmë nga e para të gjitha forcat në terren, bazuar në rezultatet e arritura. Kush nuk e ka arritur objektivin, që nga niveli i drejtimit të organizatës, deri tek niveli më i lartë organizativ, duhet t’i lërë vendin dikujt tjetër. Nga ana tjetër,  kush nuk ia ka zbardhur faqen kësaj shumice në nivelet ekzekutive në territor duhet gjithashtu që t’ia lërë vendin dikujt tjetër.

Një komisioni i posaçëm riorganizimi duhet të ngrihet me shpejtësi, për ta orientuar e koordinuar këtë proces. Po ashtu, në çdo qarku duhet të ngrihen nën drejtimin e të deleguarve komisionet rajonale të riorganizimit që do ta jetësojnë këtë operacion ripërtëritës me anëtarësime të reja e me lëvizje të brendshme organizative.

Në 12 qershor, Partia Socialiste mbush 30 vjeç dhe 12 qershori është dita e duhur për të thirrur kongresin e jashtëzakonshëm, ku jo vetëm të kremtojmë si duhet këtë përvjetor kaq të rëndësishëm me gjithë brezat, por dhe të paraqesim vizionin Shqipëria 2030, si dhe angazhimet kryesore të programit të ri qeverisës.

Qeveria e re do të formohet fill pas sezonit të verës, por puna për kalendarin e reformave legjislative e për planet e detajuara të ekzekutivit do të bëhet tani e deri në formimin e qeverisë.

Kongresi i jashtëzakonshëm duhet të zgjedhë dhe Asamblenë e re Kombëtare ku duhet të hyjnë më të dalluarit në ndeshjen që sapo kemi fituar, të cilët pastaj do të marrin menjëherë detyra për fushatën e anëtarësimeve të reja e për riorganizimin e partisë në territor, sipas një kalendari të paracaktuar.

Mesazhi im i dytë është për të gjithë ju këtu, jini gati për ta braktisur llogoren e luftës së vjetër politike e për ta përçuar këtë frymë e qasje të re në gjithë organizmin e Partisë Socialiste.

Mandati i tretë nuk duhet t’i ngjajë në asnjë mënyrë dy të parave në aspektin e marrëdhënieve me opozitën, Partinë Demokratike, sado të na sulmojnë, të na shajnë, të na provokojnë apo sado ta kontestojnë legjitimitetin e padiskutueshëm të fitores sonë nga mos gëlltitja kronike e humbjes së tyre të qartë e të thellë.

Shqipëria na ka ridhënë besimin e madh e mbështetjen e plotë për të udhëhequr e ne do të udhëheqim pa humbur më kohë dhe energji me politikën bajate dhe banale të akuzave e të kundërakuzave të përditshme. Kemi një plan shumë ambicioz për Shqipërinë dhe koha, energjitë, forcat e mendimit dhe e veprimit tonë duhet të jenë të tëra në dispozicion të vizionit Shqipëria 2030. Ne nuk kemi marrë një mandat për të luftuar me Partinë Demokratike, por për të çuar deri në fund, punët e mëdha që kemi nisur e për të nisur punë të mëdha që duhen çuar deri në fund.

Ne natyrisht nuk do ta presim PD-në deri kur të rivendosë lidhjen me realitetin, por të jemi gati të bashkëpunojmë me demokratët, kudo qoftë e sido qoftë kjo të jetë e mundur. Pa u lodhur, pa e humbur as durimin e as toruan, ne do ta mbajmë të shtrirë dorën e bashkëpunimit për opozitën e nuk do lëmë rast pa ua kujtuar me fjalë e pa ua treguar me sjellje e me vepra se kjo për ne është dekada për ta ngjitur lartë Shqipërinë, sëbashku me gjithë të tjerët, jo për të shtyrë njëri-tjetrin duke u kacafytur në mes të rrugës ku duhet të ecë sa më shpejt vendi e populli ynë.

Akuzave të tyre, ne do t’i përgjigjemi me rezultatet e punës. Sharjeve të tyre, ne do t’i përgjigjemi me idetë tona për t’i çuar punët përpara. Kritikave të tyre, ne do t’i përgjigjemi me mendjen e hapur e gatishmërinë për dialog e bashkëveprim. Kjo nuk do të thotë aspak se do t’i kthejmë kurrizin arenës së debatit demokratik, por do të thotë se baltës së konfliktit të vjetër politik e gurëve të sherrit të padobishëm mediatik, ne do t’i kthejmë faqen tjetër e do të vazhdojmë punën për të cilët shqiptarët na zgjodhën pikërisht ne e nuk zgjodhën ata.

Këtë mandat, ne do të përkushtohemi për ta qytetëruar sa të mundemi mjedisin politik dhe për të afruar sa më shumë talente të rinj në këtë mjedis. Qeverisja jonë do t’i kushtojë një rëndësi shumë më të posaçme të rinjve e fëmijëve.

Tre programet e reja kombëtare për inovacionin, artet dhe zejet do të jenë mes prioriteteve kyçe të qeverisë sonë, ndërsa Partia Socialiste duhet e do të fuqizohet edhe me një krah të munguar deri më sot, një akademi politike të rangut europian për lidershipin dhe menaxhimin në dispozicion të të rinjve e të rejave që duan të marrin nesër përgjegjësi në këtë shoqëri.

Mesazhi im i tretë është për të gjithë opinionin publik. Me Ilir Metën e me partinë e tij nuk ka e nuk mund të ketë asnjë bashkëpunim. Ilir Meta duhet të shkarkohet nga detyra si një personifikim i antishtetit, i ndëshkuar nga populli shqiptar në 25 prill, një personazh grotesk që e turpëron Shqipërinë. Që e turpëron shoqërinë shqiptare, që turpëron çdo qytetar normal të këtij vendi me praninë e tij në krye të shtetit.

Shkarkimi i Ilir Metës nuk është i gjithi në dorën tonë, këtë e dimë, por duhet të bëjmë gjithçka kemi në dorë për ta çminuar institucionin e Presidentit të Republikës, duke votuar në bllok shkarkimin e dua ta bëj të qartë se ky shkarkim nuk ka lidhje me asnjë motiv tjetër, përveç pozicionimit tonë publik në anën e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, të cilët me të drejtën e Zotit e të popullit sovran nuk duan ta shohin më tutje Ilir Metën në rolin e Presidentit të Republikës. Është shumë herët për të folur për zëvendësimin e për zëvendësuesin e tij, por në çdo rast, qoftë para kohe, qoftë në kohë, në varësi se si do shkojë ky proces, ne do konsultohemi me Partinë Demokratike për emrin e presidentit të ri.

Partia Socialist ka mundësinë historike që në mandatin e tretë ta çojë Shqipërinë në një nivel tjetër, realisht, duke e bërë gati për majën ku Shqipëria mund e duhet patjetër të ngjitet brenda kësaj dekade.

Ne do t’i mbajmë një për një zotimet tona, duke nisur nga zerimi i taksës mbi pagat deri në 400 mijë lekë në 1 janar të vitit të ardhshëm. Ulja e taksës mbi pagat mes 1.2 dhe 2.5 milionë lekë nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Rritja e përvitshëm e pagës minimale për ta rritur deri në 380 apo mundësisht 400 mijë lekë brenda mandatit të tretë, mos prekja e Tatim-fitimit zero dhe TVSH-së zero për biznesin e vogël deri në 2029-ën, duke ndërtuar me ndërtimin e porteve dhe aeroporteve të reja që, me përjashtim të portit turistik të Shëngjinit, do të kenë nisur të tëra brenda qershorit të vitit të ardhshëm, si dhe me gjithë paketën e 10 miliardë euro investime, ku përpos porte e aeroporte hyjnë projekte të infrastrukturës rrugore e të energjisë.

Pa harruar asnjë moment revolucionin dixhital dhe modernizimin e plotë të shërbimeve për qytetarët. Me revolucionin dixhital, ne kemi hedhur bazat e një shteti në shërbim të qytetarëve pa vonesa e pa ryshfet, por na duhet një sforco e re, e madhe dhe e përbashkët për ta finalizuar këtë revolucion, duke e kthyer çdo shërbim në një ndërveprim online dhe paralelisht, duke pastruar deri në fund administratën nga ata që janë turpi i këtij shteti, turpi ynë në marrëdhënie me qytetarët.

Dua që të jemi të gjithë sëbashku në këtë sforco, me qartësinë që, siç kemi bërë me policët, me mësuesit, me infermierët, duke hequr dorë përfundimisht nga ndërhyrjet politike për punësimin e tyre, duhet të bëjmë me të gjithë administratën në territor. Kjo është domosdoshmëri dhe e panegociueshme. Një rrugë e re mundësish të barabarta dhe konkurrence në bazë të meritës duhet të hapet për çdo vajzë e çdo djalë, çdo burrë e çdo grua që ka dëshirë të kontribuojë si një shërbëtor publik në administratën e këtij shteti.

Partia Socialiste ka më pak se 100 mijë anëtarë. Ka thuajse 800 mijë zgjedhës dhe Shqipëria ka mbi 2 milionë qytetarë që duhet ta gëzojnë po njësoj të drejtën për të shërbyer për këtë shtet, sipas aftësisë dhe meritës e jo sipas lidhjeve të llojllojshme me deputetë, me ministra apo sipas xhepit dhe tekave të drejtuesve e të përgjegjësve në zyrat e shtetit në territor. Kjo duhet të jetë vetëdije e kjo duhet të jetë qasje e mandatit tonë të tretë. Dëshiroj shumë që gjithë ju, sëbashku me mua, të pedalojmë në të njëjtin drejtim, pa u lodhur dhe pa e humbur durimin e që askush këtu, me apo pa vetëdije të mos pengojë, por vetëm të kontribuojë me vullnet të mirë që administrata të çlirohet përfundimisht nga kthetrat e interesave politike dhe që fytyra jonë të mos njolloset në vazhdimësi për shkak të atyre që përfitojnë nga këto kthetra interesash politike e pastaj nuk bëjnë asgjë tjetër, përveç se shikojnë xhepin e tyre.

Dua t’u shpreh me gjithë zemër mirënjohjen time për besimin e palëkundur dhe mbështetjen pa rezervë që më dhatë për të realizuar sëbashku këtë objektiv historik të tre mandateve radhazi të Partisë Socialiste. Kjo është një arritje fantastike, por të mos harrojmë ama për asnjë sekondë se ndryshe nga sporti ku fitorja e një kompeticioni është fundi i lumtur i një përpjekje të madhe, fitoret në politikë janë vetëm fillimi i ri i një përpjekje edhe më të madhe.

Ne kemi fituar tre herë radhazi, sepse përtej të gjithave kemi qenë dhe jemi sot e gjithë ditën, forca më e besueshme e ndryshimit dhe kush do ndryshim të mëtejshëm, deri tani ka vetëm një zgjedhje, Partinë Socialiste, që nuk ka ardhur as për rastësi dhe as për inerci, por sepse qysh në lindjen e kësaj force politike, ne kemi bekimin e një shtyse të vetëndryshimit në ADN-në e organizmit të kësaj partie.

Jemi e vetmja forcë politike që ndryshon edhe kur fiton dhe arrin të jetë më e re se çdo forcë e re dhe kjo është sfida e vazhdueshme. Prandaj jeni gati që të vazhdojmë të përballemi me këtë sfidë, duke e ndryshuar vetveten, duke ripërtërirë përsëri Partinë Socialiste që të vazhdojmë të ndryshojmë Shqipërinë, duke  e ngjitur në majën ku meritojnë fëmijët tanë.

Kampionët e Formula UNO-s, pasi  ngrenë trofeun, futen në garazh dhe bëjnë remont të plotë të makinës, duke këmbëngulur që ta bëjnë atë më të shpejtë, më kompetitive dhe më të pathyeshme.

Kjo është ajo që kemi bërë dhe që kemi mësuar ta bëjmë jo keq, por që mund ta bëjmë gjithmonë e më mirë, duke iu përkushtuar bashkërisht misionit që kemi. Misioni ynë është ta ngjisim Shqipërinë në majë dhe ky është momenti ynë, për ta provuar përpara gjithë shqiptarëve se ne jemi të vetëdijshëm për çfarë barre të madhe përgjegjësie dhe për çfarë nderi të pashoq, shqiptarët na kanë bërë në 25 prill dhe se ne dimë të jemi në lartësinë e besimit dhe të mbështetjes së tyre.

Shumë faleminderit të gjithëve!

Fjala ime e fundit, duke e parë këtu përballë, është se sot jemi këtu të gjithë deputetë, një pjesë e madhe e juaja janë përsëri deputetë, një pjesë tjetër nuk do të jenë më deputetë, por të mos harrojë askush se skuadra jonë ka fituar falë secilit dhe secilës prej jush që jeni këtu, në radhë të parë. Sepse kjo nuk është një fitore e arritur në kilometrin e fundit, por kjo është fitorja e një maratone të vështirë që ka zgjatur plot 4 vjet. E për këtë, duke u ndjerë të gjithë pa asnjë rezervë dhe pa asnjë dyshim fitues, ne duhet të bëjmë tani gjithçka na takon për ta merituar plotësisht atë që shqiptarët panë dhe besuan kur votuan për numrin 12.

Dhe në nder të numrit 12, në 12 qershor ta kremtojmë me krenari dhe me gjithë dinjitetin që na takon ditëlindjen e Partisë Socialiste.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Besnik Hasanaj: 10/05/2021 15:59

    Me vizionin tuaj mund të jetë kushdo në qeveri dhe do punoj për Shqipërinë. Por jo të gjithë liderët kan të njëjtën mendim se nuk quhen lider prandaj mendoj nëqoftëse do të ngrini struktura në partin tuaj në PS atëherë me gjithë optimizmin mund të themi që kemi arritur në Evropë

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet e vitit 2025/ Presidenti Bajram Begaj pret nesër në konsultime për datën PD dhe PS, e mbyll me Celibashin

Zgjedhjet e vitit 2025/ Presidenti Bajram Begaj pret nesër në konsultime për datën PD dhe PS, e mbyll me Celibashin