Ende pa hyrë në tregun e punës, shumë të rinj shqiptarë mendojnë si sipërmarrës dhe novatorë. Të nxitur nga kurioziteti dhe dëshira për të provuar ide të reja, studentët po sjellin projekte që prekin teknologjinë, biznesin dhe mënyrën si mund të adresohen sfidat e përditshme. Ide që ‘nesër’ mund të ndikojnë mënyrën e të bërit biznes në Shqipëri.
Kjo frymë u reflektua edhe gjatë aktivitetit “Young Innovators 2026”, konkursi i organizuar nga Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Për të disatin vit, One Albania iu bashkua kompeticionit si partner, në mbështetje të studentëve dhe ideve të tyre.
Dhjetëra të rinj u bënë pjesë e këtij edicioni. Projektet më premtuese u prezantuan përpara një jurie profesionistësh dhe përfaqësuesish të industrisë. Nga ideja e parë deri te prezantimi final, i gjithë rrugëtimi u ndërtua për t’i afruar novatorët e rinj sa më shumë me dinamikën reale të sipërmarrjes. Një eksperiencë që i përballi me sfidat, pasiguritë dhe mundësitë që sjell ky proces.
Në vlerësim të projektit fitues, One Albania dhuroi laptopë për të gjithë anëtarët e grupit. Një mbështetje simbolike, për të përcjellë një mesazh të qartë: idetë e të rinjve kanë vlerë dhe meritojnë mbështetje.

Drejtoresha e Grupit të financës në One Albania, Brikena Hysi, e cila ndau çmimet për fituesit, u shpreh:
“Sa herë dëgjoj të rinj që prezantojnë idetë e tyre, më rikthehet bindja se potenciali më i madh i Shqipërisë janë vetë njerëzit e saj. Në fakt, në çdo ekonomi që kërkon të rritet dhe të mbetet konkurruese, investimi më i rëndësishëm nuk është vetëm tek infrastruktura apo teknologjia, por te njerëzit dhe idetë e tyre. Kur shoh studentë që vijnë me zgjidhje konkrete, me guxim për të sfiduar mënyrat tradicionale të të menduarit dhe me dëshirën për të ndërtuar diçka të tyren, shoh një brez që ka potencial real për të transformuar të ardhmen e vendit. Shqipëria ka nevojë për më shumë hapësira që nxisin inovacionin dhe sipërmarrjen te të rinjtë, sepse aty fillon zhvillimi i qëndrueshëm i një ekonomie moderne. Ky kompeticion na tregoi edhe një herë që ky brez kërkon të krijojë, jo vetëm të ndjekë.”
Prej vitesh, One Albania ka mbështetur iniciativa që i japin zë energjisë, kreativitetit dhe ambicies së të rinjve. Lideri i telekomunikacionit mbetet i angazhuar për inovacionin, përfshirjen digjitale dhe zhvillimin e një shoqërie më të lidhur dhe moderne.









