TIRANË - Qershorin e vitit 2017 Arjan Shanaj, një nga biznesmenët më të fuqishëm në qytetin e Fierit në fushën e ndërtimit dhe tregtimit të gazit, u arrestua në Greqi me 20 kilogramë kokainë nga Amerika Latine, me logon "Play Boy" së bashku me një biznesmen grek nga Triakala, Thanasios Karatzounis, tashmë  63-vjeçar, ku vlera e kokainë shkonte në tetë qind mijë euro.

Nga ky moment, për policinë shqiptare, Shanaj nuk ishte më thjesht një biznesmen, që tashmë ndodhet në qeli në Greqi.

Pasuria e tij, aktiviteti tregtar i tij dhe familjarëve u vu në hetim nga një sërë strukturash ligjzabtuese, ku më 20 tetor, u vendos sekuestro preventive e pasurive të tij në vlerë 12 milionë euro, e shoqërisë së ndërtimit e tregtimit të gazit në Fier, Durrës, Tiranë, Korçë e disa qytete të tjera, një hoteli në Fier, vilave, apartamenteve, garazheve, sipërfaqe toke, 20 mijë euro në llogari bankare, dhe një makine me vlerë 40 mijë euro.

Në Greqi, 56-vjeçari shqiptar, bënte jetë luksoze, me një vilë të marrë me qira në një nga zonat më të shtrenjta në jug të Greqisë dhe disa makina të shtrenjta.

Vila ku jetone Arjan Shanaj ne Greqi

Në vitin 2014, Arjan Shanaj ra në prangat e policisë pasi u kap në zonën e ish-bllokut me dy pistoleta pa leje në makinë, një Berreta dhe një revolver Smith, si dhe një sasi lekësh. Por teksa fitoi lirinë për armëmbajtje pa leje, vetëm dy vite më pas, në 2016-ën (18 korrik), ai u shpall në kërkim nga autoritetet për plagosjen dhe kanosjen në bashkëpunim të një personi në Ishull Lezhë.

Por emri i tij është lidhur edhe me trafikun e drogës me organizator një nga të shumëkërkuarit shqiptarë, Gëzim Çela. Ky i fundit dyshohet të ishte në krye të trafikut të kokainës nga Kosova në Shqipëri, ku vetëm kokaina e sekuestruar në atë kohë, kapte vlerën e 2.5 milionë eurove.

Arjan Shanaj u arrestua në Greqi edhe me biznesmenin grek Thanasios Karatzounis, i cili bashkëpunoi me drejtësinë helene duke zbërthyer disa elementë kyçë të rrjetit. Kokainë u gjet në banesën e tij, por ai tha se e dinte që lënda narkotike ishte kanabis dhe jo kokainë. Duke e pranuar si një gabim faktin që fshehu drogë në shtëpinë e tij, biznesmeni grek tha se kokaina vinte nga Amerika Latine dhe tregtohej brenda territorit grek.

Biznesmenin grek Thanasios Karatzounis dhe droga me logon Play Boy

Karatzounis tha se i gjithë trafiku koordinohej nga një shqiptar me emrin Arjan nga qyteti i Fierit, i cili sipas Thanasit ishte një biznesmen hidrokarburesh dhe gazi. Kokainë e sekuestruar, 20 kilogramë,  ishte me logon “Play Boy” ku sipas hetuesve Helen kjo është shenjë e pastërtisë së kokainës të mbërritur direkt nga Kolumbia. Në hetim në atë kohë u përfshi ehde DEA amerikane.

Kokaina dhe parate e sekuestruara ne Greqi

Për hetuesit grekë, Arjan Shanaj ka mohuar të ketë lidhje me grupin kriminal, duke pretenduar se është një biznesmen në Shqipëri, që nuk ka nevojë ekonomike të merret me trafik droge, pasi është shprehur se ka shumë lekë. Kontaktet me biznesmenin grek, Shanaj i justifikoi në atë kohë, me faktin që i duhej për ta ndihmuar të lidhte disa kontrata shitje-blerje të gazit me kompani të njohura greke.

Arjan Shanaj akuzohet për importim, magazinim, përzierje, falsifikim, ricertifikim, trafikim, transportimin dhe shpërndarjen e kokainës nga vende të Amerikës Latine.

Pasuritë që iu sekuestruan bosit fierak të kokainës
• 3 shoqëri dhe konkretisht shoqëri ndërtimi e tregtimi gazi në Fier, Durrës, Tiranë, Korçë etj.
• 1 hotel trekatësh në Fier dhe një njësi shërbimi bashkëngjitur;
• 2 vila trekatëshe;
• 5 njësi shërbimi me sipërfaqe 7 982 m2;
• 3 apartamente banimi;
• 4 garazhe me sipërfaqe prej 1 092 m2, në Fier, Tiranë, Durrës;
• 8 793 m2 tokë, në Tiranë, Durrës, Fier;
• 20 000 euro në llogaritë bankare;
• Një automjet me vlerë 40 000 euro

1572865383_arjanshanaj.jpg

Arjan Shanaj

Më poshtë videot e aksioneve të policisë greke në Korrik 2017