Nga dogana fizike në atë digjitale. Një projektligj i ri i hedhur në konsultim Publik nga Ministria e Financave synon krijimin e një dritareje të vetme kombëtare online për doganat, përmes së cilët procedurat e zhdoganimit të mallrave, si në eksport dhe në import do të bëhen elektronikisht.

“Lehtësimi i përpunimit dhe qarkullimit të informacionit përmes DVKD, përkthehet në krijimin e një mjedisi tërësisht elektronik “pa letër” dhe konvertimin e dokumentacionit në letër, në dokumente dhe të dhëna digjitale”, thuhet në relacion.

Kjo ‘dritare’ do të ndërlidhë autoritetet doganore dhe institucionet e tjera kompetente, në mënyrë që të shkëmbehet informacion në kohë reale.

“Koncepti i një dritareje të vetme paraqitet si: Një lehtësi që lejon palët e përfshira në tregti dhe transport të depozitojnë elektronikisht, vetëm një herë, informacionin e kërkuar përmes dokumenteve të standardizuara, në një pikë të vetme hyrjeje, për të përmbushur të gjitha kërkesat rregullatore që lidhen me importet, eksportet dhe tranzitin”, vijon relacioni.

Kjo nismë thotë qeveria sjell ulje të korrupsionit, lëvizje më të shpejtë të mallrave, administrim më të mirë të procedurave, zhdoganim më të shpejtë dhe më pak kosto për bizneset.

Financimi i fazës së ndërtimit dhe implementimit të ‘dritares’ sigurohet nga një kredi e Bankës Botërore 5.9 milionë dollarë. Pas përfundimit të implementimit, sistemi do të kërkojë një fond operativ vjetor prej 1.3 milionë dollarë. Në projektligj thuhet se opsionet për të mbuluar kostot për mbulimin e shpenzimeve operative janë disa, përfshirë edhe caktimin e tarifave për bizneset.

Qeveria mund të vendosë të zbatojë një strukturë tarifash për vetëfinancimin e sistemit, me tre burime potenciale: tarifa regjistrimi dhe abonimi për bizneset, tarifë për transaksionet doganore dhe tarifë për licencat, lejet apo certifikatat.

Propozohet që tarifa e regjistrimit të jetë 25 dollarë, ndërsa abonimi vjetor 50 dollarë. Ndërsa tarifat e transaksioneve dhe ato për lejet do të jenë në vlera më të vogla, por kjo do të varet nga politikat fiskale të qeverisë.