Nga dritat e skenës nën mjegullën e internimit, historia e valltares Adivije Alibali

Nga dritat e skenës nën mjegullën e internimit, historia e valltares Adivije Alibali

Valltarë popullorë

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka sjellë historinë e Adivije Alibalit, një nga valltaret më të njohura të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, e cila u përball me përndjekje politike në vitin 1975.

Vitin në të cilin ajo dhe familja e saj u internuan për shkak të lidhjeve të bashkëshortit të saj me grupe të cilësuara si armiq të regjimit. Pas një karriere të shkëlqyer artistike prej 30 vitesh, ajo la skenën për të jetuar në kushte të vështira internimi për 13 vjet në disa fshatra.

Pavarësisht përkushtimit të saj artistik dhe rolit të rëndësishëm në kulturën kombëtare, regjimi e trajtoi si “armike të popullit”. Historia e saj simbolizon fatin e shumë artistëve të përndjekur nga regjimi komunist dhe shërben si një kujtesë për pasojat e ideologjive represive mbi individët dhe kulturën.

Shkrimi i plotë: 

49 vjet më parë, “Vasha me shtambë”, artistja Adivije Alibali la vallen, pasionin dhe adrenalinën e skenës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe së bashku me bashkëshortin dhe dy djemtë, u internua në fshatin Labovë të Gjirokastrës, ku jetoi për rreth 13 vjet.

Vallëtarja e admiruar nga publiku, që për 30 vjet ndërtoi profilin e saj si artiste në skenat brenda dhe jashtë vendit, është sot 90 vjeç.

As nuk i kish shkuar kurrë një ditë të bukur do të linte veshjet e vallëtares, për të veshur simbolikisht rrobat e të dënuarit politik.

Ajo njihet për rolin e saj në filmin e kinematografisë shqiptare “Skënderbeu,” që e bëri të dashur për publikun e gjerë dhe i dha një njohje të veçantë. Puna dhe talenti i saj në balet dhe kinematografi, të kombinuara me përkushtimin artistik, e pozicionuan Adivijen si një emër të spikatur në skenën artistike të kohës. Megjithatë, as ajo nuk mund ta imagjinonte se një ditë do të linte veshjet e valltares për të veshur “rrobat e armikut të popullit.”

Në tetor të vitit 1975, ajo dhe familja e saj u bënë objekt i përndjekjes politike, për shkak të lidhjeve të bashkëshortit të saj me individë të pushtetshë të etiketuar si grupi anti-parti. “

Sipas dokumenteve arkivore të Drejtorisë së Arkivit në Autoritetin e Dosjeve, më 13 tetor 1975, Komisioni i Internim-Dëbimeve nxori Vendimin nr. 11 për internimin e saj dhe të familjes, duke argumentuar se kishin lidhje me “grupin komplotist” të Beqir Ballukut.

Familja e Adivijes u zhvendos disa herë: nga fshati Labovë i Gjirokastrës në Kutalli, dhe më pas në Sheqëz të Beratit. Ata jetuan nën kushte të ashpra dhe mbikëqyrje të vazhdueshme nga autoritetet. Në vitin 1980, masa e internimit u zgjat edhe për pesë vjet të tjerë me pretekstin se familja “nuk kishte mbajtur qëndrim të mirë politik” dhe dyshohej për “agjitacion dhe propagandë.” Dokumentet arkivore dëshmojnë se regjimi përdorte masa të tilla për të mbajtur nën kontroll individët dhe për të krijuar një atmosferë frike në shoqëri.

Në vitin 1985, një tjetër vendim për zgjatjen e internimit përfshinte lidhjet e bashkëshortit të Adivijes, Jusuf Alibali, me Mehmet Shehun. Në Dosje nr. 144.4, përfshihen letrat e Jusuf Alibalit drejtuar zyrtarëve të lartë të kohës, përfshirë Ministrin e Brendshëm. Në një letër të datës 28 mars 1983, Jusufi kërkonte lirimin dhe rikthimin e dinjitetit për familjen, duke theksuar pafajësinë e tyre.

Në një letër tjetër, e drejtuar nga nëna e Adivijes, Naxhije Sharofi, Ramiz Alisë, kërkohej rikthimi i një jete normale për familjen. Në përgjigje, Ramiz Alia propozonte që familja të lejohej të jetonte në qytete të tjera përveç Tiranës. Megjithatë, kërkesa për të jetuar në shtëpinë e tyre në kryeqytet nuk u pranua. Familja qëndroi në internim deri në vitin 1987, kur masa e internimit u hoq përfundimisht.

Këto dokumente janë dëshmi të qarta të persekutimit të pamerituar që pësuan figura të shquara kulturore dhe artistike. Pavarësisht kontributit të tyre në kulturën kombëtare, individë si Adivije Alibali u përndoqën dhe u harruan për dekada.

Historia e Adivije Haki Alibalit nuk është thjesht një episod i kaluar; ajo përfaqëson një brez të tërë njerëzish që pësuan përndjekje politike dhe humbën të drejtën për një jetë të lirë për shkak të një regjimi represiv, tek ideologjia e te cilit ata kishin besuar verbërisht.

Ajo shërben si simbol për gratë dhe artistët që, pavarësisht suksesit dhe talentit të tyre, prishja e biografisë politike iu kushtonte karrierën. Përkujtimi i figurave si Adivije Haki Alibali është i rëndësishëm për të nxjerrë mësime për të ardhmen, për të kuptuar vështirësitë e një periudhe të errët të historisë sonë.

Hapja e dosjeve, si ajo e Adivije Haki Alibalit, është jetike për të kuptuar ndikimin e përndjekjes politike mbi personalitetet kulturore dhe njerëzit e zakonshëm. Këto dokumente ndihmojnë për të rikthyer në vëmendje figura të harruara, si Adivije Alibali, duke nderuar kontributin e tyre në shoqëri.

Nga Migena Demirxhiu

G.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit