Viti 2025, sipas kryeministrit u mbyll me një rritje ekonomike 3.9%.
“Bizneset e reja janë shtuar me afro 20%, paga mesatare në 3-mujorin e tretë ka rezultuar 833 euro”, tha kryeministri Rama.
Nga një janari paga minimale shkon në 500 euro dhe bashkë me të, do të rriten dhe pensionet.
“Pensioni urban me vite të plota pune, duke filluar nga janari do të rritet me 18 mijë lekë të vjetra në muaj, gjë që do të dyfishohet në janarin e 2027, trefishohet në janarin e 2028 dhe katërfishohet në janarin e 2029 dhe kështu me radhë dhe kjo vlen për të gjitha shifrat që do të jap; Pensioni urban i pjesshëm do të rritet me 8 000 lekë në muaj, pensioni rural do të rritet me 1 000 lekë në muaj, pensioni familjar do të rritet me 700 lekë në muaj, pensioni i invaliditetit do të rritet me 600 lekë në muaj dhe kështu me radhë”, vijoi Rama.
Të gjitha bizneset do të jenë të detyruar vitin tjetër të pranojnë pagesat me kartë dhe jo vetëm me para në dorë.
“Deri në qershor të vitit të ardhshëm në çdo biznes që operon në sektorin e turizmit dhe në atë të transportit, do duhet të garantojë me patjetër format alternative të pagesave për qytetarët. Dhe brenda vitit të ardhshëm çdo biznes në Shqipëri duhet të garantojë formën alternative të pagesës “, tha Rama.
Mësuesit dhe nxënësit që i kanë shkollat larg shtëpive, morën nga Rama një premtim për shtatorin tjetër.
“Duke filluar nga sezoni i ardhshëm arsimor në vitin 2026 do të fusim në përdorim mjetet e para që do të shtrihen pastaj në të gjithë territorin për të garantuar transportin e mësuesve dhe nxënësve”, u shpreh shefi i qeverisë.
Në sektorin e shëndetësisë, krenaria e parë e kryeministrit ishte një fond të posaçëm plus prej 15 milionë eurosh, dhe onkologjiku deklarohet prioritet.
“Faktikisht është një tendencë botërore që ka një rritje shumë agresive të kancerit në përgjithësi. Rrjetëzimin e sistemit të shërbimit të kimioterapisë edhe në një sërë spitalesh të tjera për të ulur fluksin shumë të madh që ka spitali këtu në Tiranë”, theksoi Rama.
Mjekët do të vijojnë të kenë rritje pagash dhe kushtet e përmirësuara, sipas kreut të qeverisë, po japin efekte.
“Më në fund po lexojmë që një rënie kuptimplotë të tendencës së ikjes së mjekëve dhe të zgjedhjes së parë vajtjen jashtë shtetit”, vijoi kryeministri.
2025-ën që po lëmë pas, e quajti viti i fillimit të rilindjes së industrisë sonë ushtarake teksa deklaroi se kemi ushtrinë më të mirë paguar në rajon.
“Ky vit është vit historik për ushtrinë tonë sepse janë hedhur themelet e industrisë së mbrojtjes ‘’Made in Albania’’. Më në fund do të prodhojmë uniformat këtu në vendin tonë. Do të prodhojmë mjete të blinduara dhe mjete të emergjencës civile; do të prodhojmë dronët luftarakë dhe do të prodhojmë dhe sistemet anti-dronë”, vazhdoi Rama.
Sipas të dhënave të qeverisë, numri i vizitorëve të huaj këtë vit u rrit me 7%. Kryeministri e mbylli përmbledhjen me turizmin, ku tha se gjatë verës 2025 numri i plazheve publike u dyfishua.
Kryeministri Edi Rama solli në fokus sulmin kibernetik që iu bë Shqipërisë këtë vit nga Irani. Rama theksoi se asnjë sulm deri më sot nuk ka arritur të thyejë apo të depërtojë sistemin mbrojtës duke theksuar se Shqipëria është vendi me kapacitetin më të lartë të mbrojtjes kibernetike.
“Patëm një sulm të egër nga bota e terrorit kibernetik që për fat të mirë nuk arriti të shkatërronte infrastrukturën tonë digjitale. Kemi investuar në mënyrë inteligjente në mbrojtjen kibernetike. Sot jemi një nga vendet me kapacitetin më të lartë të mbrojtjes kibernetike. Asnjë sulm deri në momentin të flasim nuk ka arritur të penetrojë murin mbrojtës që i është ngritur murit tonë të infrastrukturës publike digjitale”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës vjetore për shtyp tha se turizmi ka pësuar një rritje në krahasim me vitin 2024.
“Te turizmi kemi një zhvillim tjetër në krahasim me vitin 2024, një rritje me 7% sa i përket numrit të vizitorëve të huaj. Të ardhurat nga turizmi kanë qenë domethënëse, në 9 mujorin vlerësohen rreth 4.4 miliardë euro. Kemi patur një rritje të plazheve publike, 18% plus ose 1.1 milionë metra plazhe publike të shtuara. Nga 523 parcela ranore publike kemi shkuar në 1014. Ndërkohë kemi vazhduar punën për sezonin e ardhshëm me disa risi pozitive në këtë drejtim", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit deklaroi se viti 2025 ka shënuar “rilindjen e industrisë ushtarake” në Shqipëri, duke theksuar se vendi po rikthen bazën e vet industriale, e cila sipas tij u çmontua në fillim të viteve ’90.
Rama deklaroi se Shqipëria ka “ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, përfshirë edhe Serbinë”, ndërsa qeveria do të vazhdojë rritjen e pagave me synimin që ato të afrohen me mesataren e ushtrive të NATO-s. Ai përmendi gjithashtu pajisjen e vendit me sistem raketor, tre anije patrulluese të dhuruara nga Italia dhe radarë të rinj vëzhgimi ajror në bashkëpunim me Francën.
Shefi i qeverisë tha se duke nisur nga 2026, Shqipëria do të prodhojë dronë, mjete të blinduara, unfiroma ushtarake apo sisteme antidron. Rama shtoi se është ndarë fondi dhe shumë shpejt do blihen dy avionët e parë zjarrfikës.
“Ky vit ka qenë viti i rilindjes së industrisë ushtarake, që u çmontua në fillim të viteve 90 se na u tha që s’keni nevojë për këto se na keni ne. Të gjitha vendet kanë nevojë të kenë bazën e tyre industriale dhe Shqipëria ka nisur ta bëjë këtë, ndërkohë që kemi parë me pozitivitet të madh edhe një tendencë në rritje të qasjes së të rinjve ndaj FA, ku objektivi është që personeli aktiv të rritet me 30% deri në fund të këtij mandati, janë 721 rekrutë të rinj që i janë bashkuar FA vetëm këtë vit. Kemi ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, përfshirë edhe Serbinë. Do vazhdojmë të rrisim mbështetjen me paga të ushtarakëve tanë sepse ambicia jonë është që të arrijë në mesataren e ushtrive të NATO-s sa i përket mbështetjes financiare. Ky vit na gjen me sistem raketor, me 3 anije patrulluese që i kemi dhuratë nga Italia, na gjen me radarë të vëzhgimit ajror falë bashkëpunimit me Francën. Shqipëria vend prodhues i kapaciteteve ushtarake, por edhe të eksportojë kapacitete industriale ushtarake. Janë hedhur themelet e industrisë së mbrojtjes Made in Albania. Do prodhojmë uniformat në vendin tonë dhe do ta bëjmë pikë referime për të prodhuar uniforma edhe për të tjerët. Ushtria suedeze qep një pjesë të uniformave të veta në Shqipëri, por me një marrëveshje kontraktuale me një manifakturë private. Do prodhojmë mjete të blinduara, autoambulanca, do prodhojmë dronë luftarak dhe sistemet antidronë. 6 mujorin e parë të 2026 do shihen dhe produktet e para. Na akuzojnë për një kompani shtetërore që kemi ngritur për shtetin, e kemi ngritur që në çdo lloj qasje nga të huajt në Shqipëri, shteti ynë të marrë pjesën e vet, jo siç ndodhte më parë, por tenxheret zien. Kemi vënë në dispozicion fondin për të blerë dy avionët e parë zjarrfikës”, tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se për sektorin e shëndetësisë është parashikuar një fond i posaçëm prej 15 milionë eurosh si fillim për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale.
Rama bëri me dije vendimin për të njohur vitet e punës për punonjësit e shërbimit shëndetësor përsa i përket rritjes së pagave dhe shpërblimeve, si dhe bëri me dije rikonstruksionet e bëra përgjatë këtij viti në Shqipëri. Këtu theksoi se nga shtatori i ardhshëm në QSUT do të ketë një godinë të posaçme për parkimin e automjeteve.
“Kemi hedhur një hap domethënës në funksion të rritjes të kapacitetit të trajtimit të pacientëve me sëmundje tumorale. Kemi vendosur një fond të posaçëm prej 15 milionë eurosh si fillim dhe kemi filluar punën për 2 gjëra, krijimin e institutit kombëtar të tumoreve dhe rrjetëzimin e sistemit të kimioterapisë në një sërë spitalesh të tjera për të ulur fluksin që ka spitali në Tiranë dhe për të rritur ndjeshëm kapacitetin e shërbimit.
Ka vazhduar rritja e pagave të punonjësve të shëndetësisë dhe është marrë një vendim i ri për të filluar dhe njohjen e vjetërsisë në punë të mjekëve dhe infermierëve duke rritur dhe shpërblimet në bazë të viteve. Në tërësi parashikohet që pagat për mjekët të rritet më 135 euro të tjera në muaj. Janë hapur dhe janë në proces godina multifunksionale e parkimit në QSUT që do të mbyllet në shtatorin e ardhshëm dhe do të transformojë tërësish QSUT duke hequr të gjitha makinat nga territori i spitalit që do të behet një park i madh dhe i bukur që do të jetë një rritje e cilësisë së shërbimit për pacientët”, tha Rama.
Në konferencën e fundvitit, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se nga shtatori 2026 do të mundësohet transporti për shkollat. Rama tha se transporti për nxënësit dhe mësuesit do të bëhet me mjete ‘Made in Albania’.
“Më vjen mirë që kemi bërë hapa të rëndësishëm këtë vit në arsim. Duke nisur nga fuqizimi I sistemit të teknologjisë në dispozicion të nxënësve. Ka shkuar në 350 numri laboratorëve inteligjentë. Do punohet për të patur 1000 brenda vitit 2027. Që do të sjellë një bazë shumë ndihmëse dhe domethënëse për të gjithë fëmijët dhe nxënësit. Ndërkohë ka vijuar ndërtimi infrastrukturës arsimore.
Ka nisur projekti i transportit, besojmë se duke nisur nga sezoni i ardhshëm arsimor do të futen në të gjithë sistemin. Është nënshkruar marrëveshja për smart city. Projekti francez në Korçë, ka avancuar pozitivisht është bërë gati struktura dhe është përfunduar edhe projekti i zbatimit të ndërtesës. Ndërkohë është dyfishuar numri i oficerëve të sigurisë në shkolla. 839 është numri I punonjësve sociale, mekanizëm për komunikim të drejtpërdrejtë mësues nxënës.
Ka nisur rishikimi i kurikulave. Klasat I, VI dhe X nisin me kurikul të re vitin e ardhëm. Në arsimin e lartë janë bërë investime që vijojnë. Ka përfunduar faza e parë për studiot që do marrin pjesë në konkursin për universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës, janë 40 kompani që kanë shprehur interes. Vijon transformimi i Bujqësorit në Tiranë, për diploma te njehsuara me Universitetin e Bokut. Janë 252 projekte, ku numrin më të madh e ka Universiteti i Tiranës”, tha Rama.
Në konferencën e fundvitit, Rama ka bërë një përmbledhje përsa i përket sektorit ekonomik. Rama specifikoi përmbylljen e vitit me një rritje ekonomike me 3.9%, rritjen e pensioneve duke vijuar dhe vitin e ardhshëm, përfshirë këtu dhe pagën minimale, rritjen e investimeve të huaja dhe të bizneseve të reja.
“Parashikohet që viti të mbyllet me një rritje ekonomike 3.9% që është një rritje kuptimplotë dhe mbase më e larta në të gjithë këtë pellg ë gjendemi ne. Bizneset e reja janë shtuar me 20% në 11 mujorin e vitit. Investimet e huaja vetëm ne 3mujorin e 3-të kanë rritje me 10% dhe stoku i investimeve të huaja është domethënës më i lartë me mbi 10% krahasimisht me vitin e mëparshëm. Paga mesatare në 3 mujorin e 3-të ka rezultuar 833 euro që është një rritje domethënëse. Kemi për pak ditë dhe hyrjen në fuqi të pagës minimale që shkon në 500 euro dhe do të prekë një numër të konsiderueshëm punonjësish. Kontributet për këta punonjës për 9 muaj do tëe paguhen nga punëdhënësit. Duke filluar nga tetori i këtij viti është kryer indeksimi i radhës i pensioneve. Me hyrjen e vitit të ri nis dhe rritja e qëndrueshme e pensioneve përmes një mbështetje që do të shkojë duke u dyfishuar vit pas viti. Duke filluar nga janari pensionet do të rriten përtej indeksimit. Pensioni urban me vite të plota pune duke filluar nga janari do të rritet me 18 mijë lekë të vjetra në muaj, dhe do të dyfishohet në vitin pasardhës.
Në arsimin profesional kemi arritur në afro në 20% duke shënuar një rezultat të ri pozitiv. Punësueshëmëria e nxënësve të arsimit profesional është e lartë. Për vitin 2024 kemi pasur 63% të punësuar nga nxënësit që kryejnë arsimin profesional. Buxheti për arsimin profesional është rritur dhe do të rritet më shumë vitin e ardhshëm. Përsa i përket borxhit kemi vazhduar të kemi ulje dhe këtë vit borxhi ulet, ndërkohë që vlerësimet e kreditit të Shqipërisë janë pozitive dhe kanë rezultuar me rritje ku Shqipëria pas shumë vitesh në B+ ka kaluar në BB. Janë miratuar disa politike të reja qoftë për paketën fiskale me marrëveshjen e paqes fiskale dhe ligjin për faljen e detyrimeve të prapambetura. Është gati skema e garancisë shtetërore për ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe bujqësinë që ka filluar të japë efektet e para. Edhe sipas vlerësimit të Sigmas, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria konsiderohet vend lider në funksionimin e administratës publike në rajon dhe në disa fusha specifike si menaxhimi i financave publike, shërbimeve publike dhe menaxhimi i burimeve njerëzore”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë konferencës së fundvitit se qeveria ka hapur një kapitull të ri sa i përket reduktimit të përdorimit të cash-it në ekonominë shqiptar. Sipas tij, objektivi është që brenda vitit të ardhshëm çdo biznes në vend duhet të ofrojë mundësi pagese elektronike, në mënyrë që qytetarët dhe vizitorët të mund të paguajnë jo vetëm me para në dorë, por edhe me kartë. Ndërsa brenda qershorit 2026, bizneset e turizmit dhe të transportit duhet të garantojnë format alternative të pagesave.
“Kemi hapur një kapitull tjetër lidhur me nevojën për të ulur cash në ndërveprimet ekonomike të vendit dhe janë vendosur disa limite si fillim. Ajo që dua të theksoj është që deri në qershor çdo biznes që operon në sektorin e turizmit dhe transportit do duhet të garantojë format alternativat të pagesave për qytetarët, jo vetëm cash dhe asgjë tjetër, por edhe mjetet për të bërë pagesa elektronike. Brenda vitit të ardhshëm çdo biznes në Shqipëri duhet të garantojë formën alternative të pagesës. Që vendas apo vizitorë të paguajnë me kartë apo forma të tjera të pagesë elektronike”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama po mban konferencën e fundvitit me gazetarët. Rama u ndal edhe tek vlerësimet ndërkombëtare për Shqipërinë në raport me liritë ekonomike dhe njerëzore, duke përmendur Indeksin e Lirisë ekonomike e njerëzore të publikuar nga Instituti amerikan Cato. Rama tha se Shqipëria është renditur e 39 në klasifikimin e përgjithshëm dhe vetëm e 9 në të gjithë pjesën e Europës Lindore.
“Instituti amerikan Cato që është institut i mirënjohur dhe publikon edhe Indeksin lidhur me lirinë njerëzore dhe ekonomike dhe më vjen mirë të ndaj me ju që Shqipëria ka një pozicion shumë inkurajues dhe është renditur e 39 në klasifikimin e përgjithshëm dhe vetëm e 9 në të gjithë pjesën e Europës lindore, ku sa i përket lirisë ekonomike rendit para vendeve si Polonia, Bullgaria, Kroacia e kështu me radhë dhe për lirinë njerëzore”, tha Rama.
Komente













U boshatis Shqiperia e ky thore qe mjeket nuk po ikin. Ku jeton or teeeejjjjj?
Përgjigju