“Jemi gati”, “mund të godasim”, “ka hapësirë për një marrëveshje”, “keni 48 orë kohë ose do t’ju zhdukim”, “është momenti për t’u ndalur”. Brenda njëzet ditësh Donald Trump thotë gjithçka dhe të kundërtën për krizën me Iranin, duke alternuar kërcënime, hapje dhe armëpushim në një varg deklaratash që e mbajnë botën pezull.

21 mars – 48 orë për të hapur Ngushticën

Në një postim në rrjetet sociale, Trump kërcënon Iranin, duke i dhënë vendit 48 orë kohë për të “HAPUR PLOTËSISHT Ngushticën” (atë të Hormuzit, shën. red.), përndryshe Shtetet e Bashkuara “do të shkatërrojnë centralet elektrike, duke filluar nga më i madhi!”. Në të njëjtat orë, Ali Mousavi, përfaqësues i përhershëm i Iranit pranë Organizatës Ndërkombëtare Detare, deklaron se ngushtica është “e hapur për të gjithë”, përveç armiqve të vendit të tij. Zyrtarë të tjerë iranianë paralajmërojnë Trump-in se sulmet ndaj infrastrukturës energjetike do të konsiderohen një sulm i drejtpërdrejtë ndaj popullit iranian dhe se Irani do të përgjigjet duke i kthyer SHBA-së me të njëjtën monedhë.

23 mars – Bisedimet produktive

Dy ditë pas lëshimit të kërcënimit të parë, Trump deklaron se Shtetet e Bashkuara kanë pasur bisedime “produktive” me Iranin dhe se ka urdhëruar Pentagonin të shtyjë për pesë ditë çdo sulm ndaj centraleve elektrike dhe infrastrukturës energjetike iraniane. Zyrtarët iranianë e mohojnë publikisht që këto bisedime të jenë duke u zhvilluar.

26 mars – Shtyrja

Ndërsa aksionet në Wall Street bien, Trump e shtyn përsëri me 10 ditë afatin e ultimatumit, këtë herë deri më 6 prill në orën 20:00 sipas kohës së Bregut Lindor, duke deklaruar se ka “pezulluar planin për shkatërrimin e centraleve energjetike” me kërkesë të qeverisë iraniane.

30 mars – Linja e ashpër

Pavarësisht se Trump flet për “progres të madh” në negociatat për t’i dhënë fund luftës, njëkohësisht ai e ashpërson tonin e përplasjes duke thënë se nëse ngushtica nuk do të hapet “jemi gati të bëjmë atë që është e nevojshme”. Shtetet e Bashkuara, sipas tij, do të shkatërrojnë të gjitha centralet elektrike dhe puset e naftës iraniane, si dhe ishullin Kharg, nyja kryesore iraniane për eksportet e naftës, dhe “ndoshta të gjitha” impiantet e desalinizimit. Trump hap fazën më të mprehtë të krizës duke vendosur një vijë të qartë dhe pa mëdyshje: “do të jetë e shpejtë”, “do të jetë vendimtare”. Mesazhi është ai i një ndërhyrjeje të shkurtër, të kontrolluar, me Shtetet e Bashkuara të afta për të imponuar kohën dhe rezultatin.

31 mars – Ngushtica dhe Europa

Trump deklaron se është pranë fitores, por papritur thotë se nuk është i interesuar për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. “Nuk do të zgjasë edhe shumë, po i shkatërrojmë, po i bëjmë copë-copë, shkatërrim total. Nuk kemi pse të qëndrojmë gjatë atje, por kemi ende punë për të bërë për të eliminuar armët e tyre, çfarë ka mbetur nga aftësia e tyre për të goditur. Ngushtica? Do të hapet automatikisht kur të largohemi. Ne na intereson që Irani të mos ketë armë bërthamore. Ngushticën, le t’ua lëmë vendeve që e përdorin ta rihapin.”

1 prill – Hapjet e para

“Do të shohim çfarë ndodh”, “shumë opsione në tryezë”. Gjuha e presidentit ndryshon ton; ai thotë se Irani ka kërkuar armëpushim, gjë që Teherani e mohon prerazi. Siguritë e ditëve të para zëvendësohen nga një formulim më i hapur, më pak përfundimtar. Trump nuk flet më vetëm për forcë, por fut idenë e një situate në zhvillim, ku vendimet nuk janë ende të mbyllura. Megjithatë, manjati në rrjetet sociale shkruan se Shtetet e Bashkuara do të merrnin në konsideratë një armëpushim vetëm kur ngushtica të ishte “e hapur, e lirë dhe e pastruar”. Dhe shton: “Deri atëherë, po bombardojmë Iranin derisa ta reduktojmë në pluhur ose, siç thuhet, ta kthejmë në epokën e gurit!!!”

2 prill – Marrëveshja e mundshme

“Ka hapësirë për një marrëveshje”, “mund të gjejmë një zgjidhje”, “mund të përfundojë shpejt”. Kthesa e Shtëpisë së Bardhë bëhet e qartë. Nga premtimi për një veprim “të shpejtë dhe vendimtar” kalohet te mundësia e një negociate. Fundi i konfliktit përmendet jo më përmes fitores ushtarake, por përmes një marrëveshjeje.

3 prill – Kontaktet

“Po flasim”, “ka kontakte”. Diplomacia hyn hapur në narrativë. Trump lë të kuptohet se një kanal tashmë ekziston, ndërsa presioni ushtarak mbetet në sfond si levë. Është momenti i parë kur dy linjat — forca dhe negociata — fillojnë të mbivendosen.

4 prill – Kërcënimi

Presidenti ndërhyn në rrjetet sociale rreth orës 10 të mëngjesit, duke deklaruar se “koha po mbaronte”. “Irani ka 48 orë para se të shpërthejë ferri. Hapni Hormuzin ose përballuni me pasojat”. Postimi i tij vjen pasi në ditët e mëparshme kishte bërë deklarata kontradiktore për ngushticën, duke sulmuar herë pas here aleatët për mosveprim dhe duke thënë se ajo do të rihapej vetvetiu.

5 prill – Ultimatumi

Të dielën e Pashkëve, Trump bën disa deklarata për shtypin dhe në rrjetet sociale, duke thënë se SHBA kanë vendosur afatin për të martën, 7 prill në orën 20:00 ET (e mërkurë, 8 prill ora 3:30 në Teheran). Presidenti publikon gjithashtu një mesazh vulgar dhe fyes në ditën më të shenjtë të kalendarit të krishterë, duke i kërkuar Iranit të hapë ngushticën, përndryshe “do ta hedhim në erë të gjithë vendin”, duke arritur deri te kërcënimi për shkatërrim sistematik të infrastrukturës: “ura”, “centrale”, “gjithçka”. Është momenti kur linja ashpërsohet: jo më vetëm deklarata, por një numërim mbrapsht drejt sulmit.

6 prill – Pritja

Presidenti mban një konferencë për shtyp në të cilën kërcënon vazhdimisht udhëheqjen iraniane nëse nuk arrihet një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara. “I gjithë vendi mund të zhduket brenda një nate, dhe ajo natë mund të jetë nesër”, thotë Trump.

7 prill – “Një civilizim i tërë do të vdesë sonte”

Bota dridhet. Trump kthehet te gjuha më ekstreme: “këtë natë një civilizim do të zhduket”. Një fjali që vjen në prag të afatit të vendosur për sulmin dhe e rikthen krizën në nivelin maksimal të tensionit, pas ditësh ultimatumesh, shtyrjesh dhe hapjesh./CorrieredellaSera