Tropoja feston vetveten. Nga sheshi i Bajram Currit, buçitja e tupanëve përplaset në faqet e maleve dhe rikthehet si jehonë mbi qytet. Mes ngjyrave të kostumeve tradicionale, qindra njerëz mbushin pedonalen. Në qendër të vëmendjes janë 12 tupanxhinjtë e Tropojës, të cilët udhëheqin marshimin mes duartrokitjeve të qytetarëve dhe vizitorëve të shumtë.

"I bie tupanit prej 40 vitesh. Që kur kam qenë në moshën 12 vjeçare. Jam i nderuar dhe i respektuar për këtë. Dhe më don e gjithë Tropoja dhe Malësia e Gjakovës" shprehet Sokol Morina, tupanxhi nga Tropoja.

Ndërsa kolegu i tij, Hysni Nkaj, tregon: "Jemi 12 tupanxhi në Tropojë. Sa herë që bëhet Sofra Dardane ne marrim pjesë med grupin tonë."

Ky ritëm i paraprin festivalit "Sofra Dardane". Nën moton “Një komb, një histori”, ky aktivitet tradicional mbledh artistë nga të gjitha trojet shqiptare, duke ndërthurur kulturën, patriotizmin dhe turizmin. Ky festival nuk është thjesht një ngjarje kulturore, por një urë lidhëse shpirtërore që bashkon trashëgiminë e lashtë të Ilirisë me të tashmen. Përmes këngëve të vjetra e valleve plot temperament, "Sofra Dardane" kthehet në një institucion të gjallë të ruajtjes së identitetit kombëtar. I themeluar si një manifestim i vlerave shpirtërore, ky festival numëron tashmë më shumë se dy dekada rrugëtim të pandërprerë historik. Ai lindi në fillim të viteve 2000 si një nevojë emergjente për të rindërtuar urat kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës pas periudhave të vështira të historisë. Vit pas viti, "Sofra" u rrit nga një festë lokale në një festival mbarëkombëtar me përmasa ndërkombëtare. Për disa ditë me radhë, Tropoja shndërrohet në kryeqendrën e folklorit mbarëshqiptar, ku çdo kostum dhe çdo tingull tregon një histori që i ka rezistuar shekujve.

Mes turmës, një flamur i madh kombëtar tërheq vëmendjen e të gjithëve. Ai mbahet nga Hysen Shala, një emigrant nga Drenica që ka udhëtuar nga Zvicra vetëm për këtë ditë.

Ai shprehet: "Vijmë për herë të parë. Është shumë bukur. Natyrë fantastike, mikpritje shumë e mirë. Vetëm mungojnë investime nga qeveria. I bëj apel që të investojnë në zhvillimin e turizmit malor. T’i japin përkrahje kësaj treve, këtij rajoni sepse keni bukuri të mahnitshme. Unë jetoj në Zvicër prej shumë vitesh. Këto bukuri nuk i ka as Zvicra. Pikë së pari do doja të kishte rrugë më të gjerë dhe më të sigurtë nga rënia e gurëve. Ka nevojë për skilift. Që t'i çojnë skiatorët edhe në bjeshkë gjatë sezonit të dimrit. Ndërsa gjatë verës me shkuar për të bërë ciklizëm, hiking, duhet bërë investim që këto zona t’i prekësh e t’i shijosh."

Skena shndërrohet në një mozaik të gjallë identiteti. Mbi treqind artistë – nga fëmijët e vegjël deri te grupet e njohura folklorike – sjellin vlerat e Kosovës, Shqipërisë së Veriut, Maqedonisë së Veriut dhe Luginës së Preshevës.

"Vij nga Shkupi me ansamblin “Emin Duraku”. Unë vij për herë të parë në Sofrën Dardane. Veshja ime është kombëtare dhe përdoret gjerësisht në zonën nga vij" tregon Sevdije Abdurramani, valltare.

"Vij nga Shkupi me ansamblin “Emin Duraku”, një ndër ansamblet më të vjetra në trojet shqiptare. Është një ansambël që promovon gjithmonë vlerat, traditat kulturore, mundohet ta mbajë gjallë traditën dhe ta prezantojë atë kudo nëpër botë. Veshja ime është nga Tetova. Vishet nga vajzat. Ka shumë gjëra karakteristike, gjithçka e punuar me dorë. Ka shumë larmishmëri dhe ngjyra... Për ne është shumë e rëndësishme ta ruajmë traditën" shprehet Xheneta Zeneli, valltare.

Ruajtja e traditës është kryefjalë edhe për valltaren Vranina Hajdari: "Jam nga Komuna e Drenasit, përfaqësuese e ansamblit “Shqipet e Drenicës.” Merrem prej disa vitesh me këtë. Është një kënaqësi e madhe të marr pjesë në “Sofrën Dardane.” E vlerësoj shumë që përfaqësoj në mënyrë të denjë traditat shqiptare."

Vetëm pak kilometra më tej, festa merr përmasat e një sezoni të ri turistik. Rruga drejt Valbonës gjarpëron mes maleve që ende mbajnë dëborë në majat e tyre. Ndonëse në luginë bie shi, vizitorët e parë kanë mbërritur. Bujtinat kanë ndezur oxhaqet dhe restorantet po bëhen gati për një fluks të ri. Infrastruktura rrugore që lidh zonën me Plavën dhe Gucinë pritet të krijojë një korridor krejt të ri turistik në Alpe.

"Kisha disa kohë pa e shkelur Valbonën. Për hir të vërtetës ne kemi disa anëtarë të shoqatës sonë këtu që i vlerësuam me certifikata. Të them të drejtën u surprizova nga ky ndryshim rrënjësor që ka Valbona. Janë ndërtime dinjitoze, bujtina që i kanë dhënë emër Shqipërisë brenda dhe jashtë saj. Tre arsye janë që turistët e huaj vizitojnë Shqipërinë: është pikërisht mikpritja shqiptare. Është produkti ushqimor bio shqiptar e sigurisht dhe çmimet favorizuese. Edhe këto vende piktoreske i japin mjaft vlerë Shqipërisë. Valbona është unike përsa i përket vendit, klimës, ujit, mediat e huaja dhe vendase kanë bërë të mundur që të vlerësohet të gjitha këto atraksione turistike. Pyjet e Valbonës janë pafund, uji është kristal, edhe njerëzit e Valbonës janë vërtet mikpritës",- shprehet Kujtim Dervishi, Kryetar i Shoqatës së Restoranteve.

Në Valbonë, tradita nuk mbrohet vetëm në skenë, por edhe përmes artizanatit të grave tropojane të cilat ekspozojnë punimet e dala nga duart e tyre.

Gjatë hapjes së sezonit u nderuan edhe pionierët e parë, që hapën dyert e shtëpive të tyre kur pak kush besonte se kjo luginë do të kthehej në një destinacion ndërkombëtar.

Mbrëmja zbret sërish mbi Bajram Curri, por ritmi i tupanëve nuk ndalet. Sezoni turistik këtu nuk çelet thjesht me një ceremoni zyrtare; ai nis me këngë, me krenari kombëtare dhe me një lidhje të pathyeshme mes kulturës dhe natyrës alpine.