3 makina luksoze me vlerë 450 mijë euro janë sekuestruar nga Policia e Tiranës. Një 22 dhe një 24 -vjeçar të dyshuar për trafikimin e tyre janë shpallur në kërkim, kurse 3 të tjerë që drejtonin automjetet po hetohen në gjendje të lirë.
Makinat janë “Mercedes Benz G-Class 63 AMG”, me vlerë rreth 200 mijë euro, 1 “Mercedes Benz GT 63 AMG”, me vlerë rreth 150 mijë euro, dhe 1 “Mercedes Benz S-Class 580e”, me vlerë rreth 100 mijë euro. Dyshohet se ishin vjedhur në Gjermani.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni policor i koduar “Stolen line”, kundër trafikimit në Shqipëri, të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë shtetit.
Sekuestrohen 3 automjete luksoze, me vlerë totale rreth 450 000 euro, të dyshuara të vjedhura në Gjermani.
Procedohen penalisht 3 shtetas, të cilët i drejtonin automjetet në momentin e konstatimit.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas, të dyshuar se kanë trafikuar automjetet në Shqipëri.
Si rezultat i punës hetimore, të kryer në kuadër të operacionit “Stolen line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri, të automjeteve luksoze, të vjedhura jashtë shtetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme konstatuan një tjetër rast në këtë fushë.
Në vijim të veprimeve procedurale u sekuestruan 3 automjete luksoze, konkretisht 1 automjet tip “Mercedes Benz G-Class 63 AMG”, me vlerë rreth 200 000 euro, 1 automjet tip “Mercedes Benz GT 63 AMG”, me vlerë rreth 150 000 euro, dhe 1 automjet tip “Mercedes Benz S-Class 580e”, me vlerë rreth 100 000 euro.
Në lidhje me këtë rast u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit F. D., 24 vjeç, dhe K. V., 22 vjeç, të dyshuar se kanë trafikuar në Shqipëri automjetet, me qëllim shitjen e tyre.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit E. H., 41 vjeç, S. U., 27 vjeç, dhe K. B., 39 vjeç, të cilët u konstatuan duke drejtuar automjetet në momentin e sekuestrimit të tyre.
Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tyre.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë












Komente
Komento