Mbi 1000 mjekë, profesorë, studiues dhe studentë shqiptarë nga vende të ndryshme të Europës u mblodhën në Tiranë në Kongresin e 27-të të Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë, një nga aktivitetet më të rëndësishme që bashkon prej më shumë se dy dekadash komunitetin mjekësor shqiptar brenda dhe jashtë vendit.

Nën drejtimin e Dr. Aurora Dollenberg, Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë ka ndërtuar ndër vite një urë bashkëpunimi mes profesionistëve shqiptarë të shëndetësisë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, Kosovë dhe në disa prej vendeve më të zhvilluara europiane. Kongresi i këtij viti solli në Tiranë emra të njohur të mjekësisë shqiptare, të cilët ndanë përvojat e tyre profesionale, praktikat më të mira dhe zhvillimet më të fundit në fushat ku punojnë.

Mes folësve kryesorë ishin Dr. Esmeralda Babamusta, Gjergji Pashaj, Dr. Arbër Morina, Elion Kollcaku, Dr. Adela Perolla, Dr. Edmond Puca dhe Dr. Aurora Dollenberg. Ndërkohë, në sesionet shkencore kontribuuan edhe Dr. Orges Spahiu, Dr. Arsim Gerxhaliu, Dr. Alma Cili, Dr. Bernard Progni, Dr. Ilirjana Agolli, Dr. Anxhela Karaj, Dr. Arta Karruli, Dr. Drita Bujari dhe Naziona Malka, të cilët sollën raste konkrete, përvoja klinike dhe analiza mbi sfidat me të cilat përballet sot sistemi shëndetësor.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua rezistencës ndaj antibiotikëve, një fenomen që konsiderohet ndër kërcënimet më të mëdha për mjekësinë moderne. Përmes referimeve dhe diskutimeve, ekspertët ndanë përvojat e tyre mbi mënyrat e përdorimit racional të antibiotikëve dhe masat që mund të ndihmojnë në frenimin e këtij fenomeni, i cili po shqetëson gjithnjë e më shumë sistemet shëndetësore në Europë dhe më gjerë.