Rrugëtimi i Michael Olise drejt majave të futbollit evropian është një histori sakrifice dhe këmbënguljeje që sot frymëzon shumë të rinj. Ylli i Bayern Munich, i vlerësuar me rreth 140 milionë euro në treg, dikur përballej me vështirësi të mëdha vetëm për të qenë në kohë në stërvitje.
Ish-trajneri i tij te Reading, Mark Bowen, ka zbuluar një detaj domethënës nga fillimet e karrierës së francezit. Sipas tij, Olise shpesh mbërrinte shumë herët në stërvitje dhe flinte në makinë në parking, për të shmangur trafikun e rënduar në Londër.
“Ai nisej që në orët e para të mëngjesit dhe kur lojtarët e tjerë vinin në stërvitje, ai ishte aty prej kohësh, duke fjetur në makinë”, kujton Bowen, sot pjesë e Forest Green Rovers.
Karriera e Michael Olise nuk ka qenë e lehtë. Ai u refuzua nga akademitë e Chelsea dhe Manchester City, pavarësisht talentit të dukshëm. Megjithatë, në moshën 15-vjeçare gjeti stabilitet te Reading, ku shumë shpejt u bë pjesë e ekipit të parë.
'Shpërthimi' i tij erdhi te Crystal Palace në Premier League, duke tërhequr vëmendjen e gjigantëve evropianë. Në vitin 2024, Bayern Munich investoi 53 milionë euro për transferimin e tij, një lëvizje që rezultoi më shumë se e suksesshme.
Sot, 24-vjeçari është një nga lojtarët më vendimtarë në skuadrën bavareze, me statistika mbresëlënëse; 20 gola dhe 29 asistime në 47 paraqitje këtë sezon, ndërsa në total numëron 40 gola dhe 52 asistime në 102 ndeshje me fanellën e Bayern Munich.
Nga një adoleshent që flinte në makinë për të mos humbur stërvitjen, në një nga yjet më të shtrenjtë të futbollit botëror, historia e Michael Olise është dëshmi se talenti dhe puna e palodhur shpërblehen gjithmonë.
Komente









