Nga Historia e Letërsisë
te Historia Letrare

Nga Historia e Letërsisë<br />te Historia Letrare
Shumë studiues në Europë dhe në SHBA e kanë ngritur diskutimin mbi paradigmat Historia e Letërsisë dhe Historia Letrare jo vetëm si shqetësim të çastit për disiplinën e tyre, por edhe për të ardhmen e letërsisë.

Megjithëse shqetësimi për të si disiplinë i takon kohëve të reja, koncepte dhe shembuj të Historisë Letrare mund të gjenden që te Aristoteli, kur thotë se, pasi shkon nëpër shumë ndryshime, tragjedia ndalon kur arrin natyrën e vet të qenësishme: fillon nga më e ulëta, derisa bëhet një formë fisnike arti (pra, asaj i duhen Eskili dhe Sofokliu për të gjetur dinjitetin e vet). Historia moderne e romanit dhe e filmit mund të ndihmojnë të kuptohet më mirë ky proces.

Argument i ekzistencës së Historisë Letrare merren edhe fjalët e Dantes (De Vulgari Eloquentia, VI) që thotë se te grupi i poetëve të së shkuarës ne thërrasim përjashtimet më të mëdha të llojit, ku ai veçon Virgjilin, Ovidin me Metamorfozat, Statiusin dhe Lucanin. Dihet se te Komedia Hyjnore ai zgjodhi si udhëheqës Virgjilin.

Shembujt e mësipërm u morën nga libri Çështje teorike të historisë letrare, ndërsa pyetja A është e mundshme një Histori Letrare? është huazuar nga libri po me këtë titull (Is it Literary History Possible? - The Johns Hopkins University Press, 1993) i autorit David Perkins, profesor i universitetit të Harvardit. Pyetja ngrihet për të theksuar rëndësinë themelore që ka pranimi apo mospranimi i një paradigme ndaj një tjetre, sepse, siç mund të kuptohet lehtë, nëse për një paradigmë flasim me ligjësitë e një tjetre, do të ngecnim në një pikë pa rrugëdalje.

Natyrisht, për të përparuar si duhet me këtë ide, me shumë rëndësi është edhe njohja e nënparadigmave që rrjedhin prej tyre, si:
a. autori,
b. letërsia,
c. tradita
Kjo do të na ndihmonte për të thyer tabutë me të cilat ato vlerësohen në paradigmën tjetër. Dyshimet mbi paradigmën Historia e Letërsisë i gjejmë që në librin “Teoria e letërsisë” të autorëve Rene Wellek dhe Austin Worren, ku pyesin: A është e mundur të shkruhet një histori letërsie, pra – të shkruhet diçka që do të jetë edhe letërsi, edhe histori? (Vlen të përmendet se vetë Wellek-ut i njihet një punim i mëvonshëm i titulluar “Historia letrare”).

Sot e dimë se sfidat që ngrenë paradigmat e reja metodologjike, por edhe mundësitë konkrete që hapin ato, i kanë tronditur konvencionet e njohura për trajtimin e historisë së letërsisë, edhe kur kemi të bëjmë me rastin më të mirë të saj – trajtimin e lëvizjeve artistike (romantizmit, simbolizmit, ekspresionizmit, avangardës, postmodernizmit) dhe të lëvizjeve kulturore historike (Rilindjes, Barokut) – apo edhe në rastin më të dyshimtë të saj – trajtimit të letërsisë brenda periudhave të caktuara historike (për shembull, viktorianët në Angli, Rilindja Kombëtare apo Pavarësia në Shqipëri).

Megjithatë, me gjithë familjarizimin, sipas studiuesve,  koncepti i Historisë Letrare vazhdon të kërkojë ndriçimin e disa prej veçorive të tij themelore, si:
-           Qëllimi i qasjes së brendshme është përcaktimi i forcave që veprojnë, udhëheqin, vënë detyra apo shprehen prej teksteve letrare – ajo që i bën çfarë ato janë – si dhe i rrugëve me të cilat këto forca ndikojnë te letërsia;

-           Në ndryshim me historinë tradicionale të letërsisë, historia letrare u pa jo thjesht si një koleksion i rrëmujshëm i teksteve në marrëdhënie arbitrare me njëra-tjetrën, por si një renditje e momenteve apo sekuencave që së bashku formojnë një narrativë koherente dhe bindëse;

-           Në sensin e ngjarjeve të jashtme, duke kërkuar formulën e një pamjeje të letërsisë në rrjedhën e kohës, historia letrare ia nënshtron historinë letërsisë;
-           Pa një zhvillim të teorisë letrare, nuk ka një histori letrare.

            Janë vitet ’60 të shekullit XX ato që institucionalizuan nocionet e reja mbi fenomenet që po shqyrtojmë, duke arritur pikën e vlimit, sepse u përfshinë në diskutim personalitetet më të njohura ndërkombëtare të fushës, personazhe që ndikojnë sot e kësaj dite në studimet letrare.

Në volumin II të revistës jetëgjatë amerikane Historia e Re Letrare (New Literary History) përfshihet edhe diskutimi Qasje stilistike te Historia Letrare i Michael Riffaterre, që shkruan: Historia Letrare interesohet për gjenezën e letërsisë, marrëdhëniet e saj me realitetin e brendshëm dhe ndryshimet nëpër vite në kuptimin e saj.
Analiza e stilit merret me tekstin, i cili është më i qëndrueshëm; me marrëdhëniet e brendshme midis fjalëve; me format më fort sesa me përmbajtjet, me veprën letrare si nisje e vargut të ngjarjeve më fort sesa si një produkt përfundimtar. 

Si rrjedhim, të dyja qasjet janë plotësuese.

Është shumë e dukshme – thekson Riffaterre - që historia letrare, edhe në zgrip të kthimit në historinë e ideve, sociologjisë, estetikës apo studimeve historike të çështjeve letrare, duhet të gjejë mbrojtjen e këtyre elementeve bazë të analizave të tekstit:

-           letërsia është e bërë prej tekstesh, jo qëllimesh;
-           fenomeni letrar mund të përcaktohet si marrëdhënie ndërmjet tekstit dhe lexuesit, jo i marrëdhënieve ndërmjet autorit dhe tekstit.  
Duke lexuar këtë konkluzion, nuk mund të mos kujtojmë se gjithçka kishte nisur më herët. Nëse duam të përcaktojmë pikënisjen e atyre ndryshimeve që ka pësuar teoria e letërsisë në shekullin e kaluar, thotë teoricieni anglez Terry Eagleton në librin me përdorim të gjerë ndërkombëtar Teoria e Letërsisë, nuk do të ishte aspak e gabuar sikur të merrnim në konsideratë vitin 1917, vit në të cilin formalisti i ri rus Viktor Shkllovskij botoi esenë “Krijimi, si procedurë”. 

Te tekste të tjera pohohet më në gjerësi: Pikëpamja më e përpunuar dhe fleksibël për letërsinë ka rrjedhur nga parimet themelore të formalizmit. Studimet letrare mbeten një shkencë specifike dhe koherente. 
Formalistët kujtohen se kishin marrë përsipër përcaktimin e objektit të studimit letrar, ndërsa me përcaktimin e këtij objekti shkenca do të synonte studimin e atyre specifikave, të cilat e dallojnë, apo e veçojnë letërsinë nga ndonjë material tjetër”. 

Termat “formë” dhe “përmbajtje”, që morën formë gjatë pozitivizmit, pushuan së qeni vepruese dhe u zëvendësuan me dallimin midis “materialit” dhe “mjetit”. Aplikimi i këtyre qëndrimeve tregonte se, kur ballafaqohesh intensivisht me gjuhën, në mënyrë më të ndërgjegjshme se zakonisht, realiteti që përmban kjo gjuhë do të ripërtërihet dhe gjallërohet (shih tekste të Ndre Mjedës, Poradecit, Fan Nolit etj.).

Ndryshe nga drejtimi pozitivist, që e përjashtonte dukshëm rëndësinë e letërsisë në vetvete, ai formalist veçoi letraren dhe u karakterizua nga përpjekja për të krijuar një shkencë të pavarur të letërsisë.
Sigurisht, në këtë pikëpamje, arti poetik nuk ndryshon nga e folura e përditshme jo vetëm për faktin se mund të përfshijë konstrukte ose fjalë që nuk gjenden në të, por sepse mjetet e tij formale (si rima dhe metri) veprojnë mbi fjalët e jetës së përditshme, duke ripërtërirë konceptin tonë mbi to dhe, në veçanti, mbi konstruktin e tyre. Është e njohur se Jakobsoni e përcakton themeloren e formalizmit:
Objekti i shkencës së letërsisë nuk është letërsia, por letrarësia, e cila bën që një vepër të konsiderohet letrare .

Dhe shton: Në qoftë se shkenca e letërsisë synon të bëhet shkencë e vërtetë, duhet të njohë “mjetin” si heroin e saj,  sepse, siç kishte theksuar Shkllovski, forma dhe rregulli mund të veprojnë si faktorë të fuqishëm.

Tradicionalisht, forma qe konsideruar si një enë ku derdhej përmbajtja. Nëse ndonjëherë forma ndryshonte, kjo vinte si pasojë e përmbajtjes. Megjithëse qe shprehur si koncept që në antikitetin grek (nuk ka rëndësi se çfarë thuhet por se si thuhet) vetëm formalistët e panë përmbajtjen të varur nga forma, duke thënë se nuk ka rëndësi ndarja mes tyre. Jakobsoni e shpjegonte raportin formë-përmbajtje ashtu si në krahasimin enë-lëng: Poetikja është si vaji në gatim, i cili nuk mund të shijohet vetë, pa u shoqëruar me ndonjë ushqim tjetër, por, kur ai shoqërohet me diçka tjetër, atëherë e ndryshon shijen e ushqimit; një sardele e freskët është ndryshe nga ajo e konservuar në vaj. Principi i tjetërsimit në art, ka ekzaktësisht të njëjtin efekt në “përbërësit” materialë të tij. Ai vë në vartësi dhe transformon mënyrën se si ato ndodhen në rrethana jo-letrare.

Ashtu siç veprojnë këmbët e kërkuara metrike, asonancat, aliteracionet, leksiku i zgjedhur qëllimshëm për muzikalitet dhe përsëritjet e shumta, në fjalinë eliptike, ndarë në konsonanca të brendshme, te këto vargje të Fahredin Gungës:
 
E, tani, shkëmbët, po shkel nëpër hijen
e bjeshkës së nëmave, pranë reve të etura,
nën mjegullën e nëmët, nga kohë e ime e thinjur
nga brymat e mërive të gëlltitura, nga etjet...
 
Ai përdor një leksik adekuat me situatën e menduar e të destinuar... në thënien poetike, të përfaqësuar nga një leksik i reduktuar me qëllim konotimin sa më të mundshëm. 
Përcaktimi se një vepër ndërtohet me qëllimin që të shfaqë gjithë mjetet e saj, forma, në vetvete, bëhet përmbajtje, këtu arrihet nga shumë shmangie konvencionesh letrare tradicionale.
Edhe në vargjet e mëposhtme të Lasgushit është muzika ajo që na rrëmben dhe na bën për vete, përpara se të priremi drejt kuptimit të asaj që thuhet aty, përpara se të gjejmë rolin që luajnë tetërrokëshat e saktë dhe alternimi po i tillë i tyre, përpara se të gjejmë me radhë asonancat dhe aliteracionet.
 
Këto kopshte ku fryn era
Muar ngjyrën e floririt...
Se ç’m’i shkel baluke - prera
Këto kopshte ku fryn era
 
Parëvera! parëvera!
Po më çel në mes të gjirit -
Këto kopshte ku fryn era
Muar ngjyrën e floririt.
 
            Në të dyja rastet, një analizë e veçorive stilistike do të na tregonte se si është realizuar secili prej efekteve, pasi për formalistët rusë dhe Kritikët e Rinj (amerikanë) objektivat ishin të njëjtë: të përcaktonin letërsinë si diskurs dhe formë arti, si dhe të tregonin funksionet e saj që vërtet mund të studioheshin.

Dy grupet e lartpërmendura – që gjatë viteve ’60 filluan të njohin ngjashmëritë dhe përkimet në qëllimet dhe metodat e tyre, duke mbrojtur idenë e dallimit midis letërsisë dhe tipave të tjerë të gjuhës dhe duke u përpjekur që ta përcaktojnë këtë dallim me terma të stilit dhe efekteve – nuk e shihnin stilin letrar si ekskluzivitet të plotë të letërsisë – ritmi është element i gjithë gjuhës së folur – por kur këto veçori stilistike kombinohen për të mbizotëruar ndërtimin e një teksti, ky tekst shihet si letërsi, pasi në një vepër arti çdo gjë është sistem (asgjë nuk është aksidentale, e rastësishme) dhe çdo gjë në një vepër arti është thyerje sistemi .

Për ta kuptuar më mirë këtë, le të bëjmë provë t’i vendosim në kohë, në stadin e poezisë së atëhershme shqipe, kur vargut të lirë që kishte dhënë shenja me Asdrenin dhe Migjenin, do t’i duheshin vite të tëra të pranohej të qytetarizohej, këto vargje të Gaspër Palit:
 
Mbi syt t’lodhun, dalngadalë,
nji tymtajë ndehet.
Në dhomë nga çdo anë,
hije burojnë e qasen me hap t’ploshtë.
Dielli ka mshehë ballin e gjanë.
E poshtë
i njellë, zogu zogut, gjumë...
 
Me këto vargje, nëse kemi kuptuar “sistemin” që mbizotëronte deri në atë kohë, i cili ishte rreptësisht strofik apo me vargje të matura monokolonë, mund të kuptojmë edhe “thyerjen” e tij. Analiza e studiuesit Gjergj Zheji për këto vargje tregon rastin tipik kur shmanget qasja e jashtme, duke u bërë një syth për diskutime më të gjata. Ai thotë: në mënyrë të veçantë prania e a-së dhe o-së kalon si një fill i kuq melodioz e lidh gjymtyrët, pa zënë në gojë këtu rimat (në fund të vargjeve apo të brendshme), vendosur me kujdes, si piketa paralajmëruese në momente kyçe, në fjalë që tërheqin vëmendjen (dalëngadalë-tymtajë-çdo anë-e gjanë etj) .

Pra, në kalimin nga Historia e Letërisë te Historia Letrare, metoda letrare bëhet gjithnjë e më e dallueshme.
Nga pikëpamja ku vështrimi e përfshin letërsinë si një tërësi, jo – historike, shohim se përpjekjet e strukturalizmit bëjnë edhe më përpara. Sipas Genette-it, kjo metodë ndërtohet si e tillë pikërisht në momentin kur gjendet mesazhi në kod, i nxjerrë nga një analizë e strukturave të brendshme, pa u imponuar nga jashtë me anë paragjykimesh ideologjike. 

Sipas tij, me kalimin nga formalizmi në strukturalizëm kemi kalimin nga fonetika në fonematikë, domethënë, nga pastërtia e substancës tingullore, e çmueshme tek frymëzimet e para të formalistëve, në organizimin e kësaj substance në sistemin shenjëzues, ose së paku të aftë për shenjëzim, sepse atje figuron mjaft qartë se ç’mund të jetë kontribut i strukturalizmit në tërësinë e studimeve të morfologjisë letrare: poetika, stilistika dhe kompozimi.

Nga kjo pikëpamje, tri ilustrimet e mësipërme, që në shikimin e parë, flasin shumë me strukturën, por Genette-i na shtyn të bëjmë përpara, sepse: Ambicia e strukturalizmit nuk kufizohet në llogaritjen e këmbëve ose në zbulimin e fonemave: ajo duhet të merret edhe me fenomenet semantike, të cilat, siç e dimë nga Malarme, përbëjnë esencialen e gjuhës poetike, dhe, më përgjithësisht, me problemet e semiologjisë letrare”. 

Ai e ndjen të nevojshme të sqarojë: më duket që në letërsi objekti historik, do të thotë njëherësh i qëndrueshëm e i ndryshueshëm, nuk është vepra: janë elementet konstitutive të veprave dhe konstitutive të lojës letrare, të cilat do të quhen, për të ecur më shpejt, forma: për shembull, kodet retorike, teknikat narrative, strukturat poetike etj. Ekziston një teori e formave letrare, si e të gjithë formave estetike dhe teknikave, pra e vetmja e dhënë që, duke kaluar koha, këto forma qëndrojnë dhe modifikohen. E keqja këtu, ende, është se kjo histori, në esencë, mbetet të shkruhet, dhe më duket që themelimi i saj do të jetë një nga përpjekjet më urgjente të sotme.

Dhe shton: Është e habitshme që ende nuk ekziston, së paku në domenin francez, diçka si histori e rimës, e metaforës apo e përshkrimit...
Mbi ç’skemë mund të ngrihej historia e rimës në prodhimin letrar të shqipes? Punimi Rimari i Mjedës, i autorit Kolë Ashta, nxjerrë nga një studim më i gjatë, i titulluar: “Fjalori i plotë i nxjerrun nga vepra e Mjedës dhe Rimari”, një punë pioniere, nga pikëpamja e llojit, për studimet shqiptare, edhe në dritën e teorive moderne letrare, nxit një plan krahasimi midis Rimarit të Mjedës dhe të Varibobës, bejtexhinjve, Zarishit, Naimit, Çajupit, Fishtës, Poradecit, Nolit apo Migjenit, çka mund t’i shërbente evolucionit letrar, ku një element mund të qëndrojë, duke e ndërruar funksionin, dhe, përkundrazi, të zhduket duke ia lënë funksionin një tjetri .

Historiku i rimës nga fillimet e saj e deri kur u përdor vargu i lirë nga Asdreni (1934) na tregon se koha kur rima nuk ekzistonte, kur ajo tregonte pasuri si dhe provoi përsëri humbjen duhet të kenë justifikimin e vet. Arsyeja e këtyre justifikimeve mund të bëhet objekt i poetikës që merret me analizën e raporteve të brendshme. Edhe në kohën e Poradecit, rima vazhdonte të shihej si mbret, ndërsa konsonanca si mbret pa kurorë.  Gjithsesi shohim se ajo ka sunduar shumë gjatë, edhe pse populli e merrte në konsideratë konsonancën.

Mungesa e rimës nuk përjashton rimat e brendshme, e cila mund të fuqizohet tepër me këtë rast – siç kemi parë shembullin e mësipërm te Gaspër Pali – apo mund të njohë edhe shpërndarje të brendshme më të shumta - siç kemi parë te shembulli i mësipërm te Fahredin Gunga.

Krahasimi me citimin nga Poradeci do t’i nxirrte më në pah dallimet për të cilat po flasim. Por para se të kapeshim pas elementeve të veçanta, do të kishte vlerë zgjedhja e një kodi që jep mundësinë të shihet letërsia në tërësi, pa harruar që ajo bëhet e plotë pikërisht kur nuk pranon funksione jashtë vetes, por mbahet me raportet e veta të brendshme.

Pra, supozohet se historia letrare zë fill kur ka para vetes një interpretim, atëherë kur letrat nuk merren si Objekt apo Dokument sa si Ngjarje dhe Aksion dhe konsolidohet me aranzhimin në një sistem tipologjizimi, interpretimi e receptivi të kurorëzuar si histori letrare.

Meqë qasja formaliste ishte në thelb qasje ndaj një teksti letrar që shihej i shkëputur nga konteksti i vet, si histori letrare në një traditë lineare, si entitet në vetvete, jo si një produkt i kohës dhe i vendit nga vinte, Tynjanov-i argumentoi se kjo qasje nuk është e mundur ose e këshillueshme dhe se veprat do të duhet të studiohen si pjesë e kontekstit në të cilin ato janë prodhuar: formalistët besonin në “letrarësinë” e një vepre, apo cilësitë novatore që e bëjnë atë unike, por pyetja e Tynjanov-it ishte nëse dikush mund të kuptojë risitë e një vepre në qoftë se ai nuk e njeh traditën. Për të shpjeguar këtë marrëdhënie, ai solli konceptin e “sistemit”, sipas të cilit, traditat letrare, zhanret, apo edhe një vepër letrare e vetme formojnë sisteme të ndryshme në raport dialektik me njëri-tjetrin.

Një studiues i mëvonshëm, Itamar Even-Zohar, rrjetin e ndërlidhur të sistemeve e quajti polysistem. Ky koncept, që përfshinte sistemet letrare dhe jo-letrare dhe është përdorur për të shpjeguar vepra letrare kanonike  dhe jo-kanonike, mbetet një nga çelësat e diskutimit për historinë letrare. Për teorinë e polisistemit, sistemi letrar mund të formulohet si: Rrjeti i marrëdhënieve që supozohet se mbahet ndërmjet një numri aktivitetesh të quajtura “letrare” dhe si pasojë vetë këto aktivitete studiohen në saje të këtij rrjeti.

Ose: Tërësia e aktiviteteve, apo e ndonjë sektori të tyre, marrëdhëniet sistemike të të cilave supozohet se mbështesin opsionin e konsiderimit të tyre si “letrare”.
Shohim se në bazë të konceptit të Historisë Letrare, një tekst i caktuar në çaste të caktuara mund të matet me instrumente të ndryshme nga pikëpamja e vlerës në sistemin letrar. Marrim si shembull tekstin e hershëm të Ndre Mjedës “Me buit te zoja”.

Poezia haset së pari me datë hartimi në vitin 1890 . Ajo bartet në fletoren e viteve 1902-1903. Në vitin 1904 poezia paraqitet në variant tjetër, ku është ndërruar emri i personazhit nga Zef në Trinka, e cila do të jetë personazh kryesor te poema “Andrra e jetës”. Ky variant është pjesë integrale e poemës në fjalë (në vend të vargut të parë të strofës së parë: Nané shka paska Trinka, është vargu: Cicé, shka ká sot Trinka).
 
Varianti i viteve 1902-1903:                Varianti i përpunuar (1904)
 
Po shkon me bûit te Zoja                       Po shkon me bûit te Zoja               
 
Nané a spo shef se Zefi                          Nané shka paska Trinka
Priton alâ me u çue!                               Qi po prîton m’u çue!
Thirre qi t’vîn me mue,                          Zgjoje me dalë me mue,
M’u lut si kena adet.                              Me (ruejt) lëshue baktin e vet.
 
Bîi, mos e prek se i lumi                        Bîj’, mos e prek se njomja
Tesh â tui fol me Zojen;                        Tesh â tui fol me Zojen;
Ruju se çil ktu gojen,                             Len zân e mos çil gojen,
Se e lumia Zoj t’bertet.                          Se e lumia Zoj t’bertet.
 
Na, pse po vien xhakoni                        Qe prifti, nan’, qe dajat
Me qîri n’dorë tui kndue                       Me qîri n’dorë mbas tij
E kû po don me e prûe                           Katundsa me malsorë
Zefin m’at ark me mndash?                   Që shpia nuk i nxê.
 
Sé, bîi, se sonte Zefi                               Rri, bîj’, se sonte Trinka
Po shkon me bûit te Zoja:                      Po shkon me bûit te Zoja
Merr kto lule e çoja                                Merri kto lule e çoja
Zojs per dhunti kiosh.                             S’lumes dhunti per tê.
 
 (1890)
 
Duke vëzhguar raportin midis tri varianteve të tekstit, arrijmë në përfundimin se:
a)         Në dy rastet e para ato kanë rëndësi për vetë poetin. Kujtojmë se poeti nuk i ka përfshirë ato në vëllimin e përgatitur prej tij, “Juvenilja”, qoftë në botimin e parë, qoftë në botimin e dytë. Nga kjo pikëpamje, ato nuk arritën të bëhen pjesë e letërsisë shqipe dhe, më e pakta, mund të kishin humbur dhe të mos njiheshin nga brezat pasardhës.

b)         Në rastin e tretë, pra me ndërfutjen në tekstin”Andrra e jetës”, teksti në fjalë ka rëndësi për letërsinë shqipe. Ky tekst, jo vetëm që nuk ka humbur, por, nga ana tjetër, është bërë pjesë e një krijimi të vlerësuar si poemth i kulluet, ma i bukuri që lulzoi në kopshtijet e letrësis s’onë... 

            Realisht, kjo poemë që nuk largohet më nga qendra e sistemit letrar shqiptar.
            Nisur nga artikulimi i Jakobsonit se poetika ka pozitën drejtuese në studimet letrare, do të shpreheshim me shqetësimin e Koliqit se: Jo vetëm qi s’janë kalue nëpër shoshë të drejtë të kritikës auktorë e prodhime, në mënyrë qi me pa lidhjet e njanit me tjetrin, vlerën e veçantë të secilit, por nuk njohim ende nji përpjekje përfunduese për të caktue veçorit e çdo auktori ase të çdo grupi auktorësh, në mënyrë qi me kuptue si erdh tue u pasunue letërsia jonë... 

            Citimi i Koliqit shërben për të kuptuar se sa probleme dalin para studimeve shqiptare. Pra, qasja e brendshme ndaj poezisë, në kuadër të të ashtuquajturës histori letrare, duhet të marrë përgjegjësitë e veta përballë problemeve që shqetësojnë letërsinë shqipe në këtë pikëpamje, së pari, duke bërë dallimin midis konceptit tradicional të Historisë së Letërsisë me konceptin me të ri, atë të Historisë Letrare.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Tedi Blushi: Të gjithë qytetarët ishin dëshmitarë se si e gjithë administrata zbarkoi sot në Himarë! Nuk kam parë asnjë flamur të Vorio Epirit

Tedi Blushi: Të gjithë qytetarët ishin dëshmitarë se si e gjithë administrata zbarkoi sot në Himarë! Nuk kam parë asnjë flamur të Vorio Epirit