Mes kurorave me lule dhe heshtjes në hollin e Teatrit të Korçës, artistët u përkulën me respekt përpara portretit të aktorit, që për dekada me radhë i dha zë dhe shpirt roleve të tij.
Zhani Ziçishti interpretoi me mjeshtëri në mbi 16 role në filma artistikë, duke mbetur në kujtesën e publikut si një aktor me finesë dhe thellësi interpretimi.
“Ai ishte një aktor me një botë shpirtërore të pasur. Ishte një aktor i talentuar, një aktor me një plastikë të mrekullueshme. Zhani ka punuar një jetë të gjatë dhe i takon atij brezi artistësh, nga të parët që kanë ardhur në teatër dhe që kanë punuar krahas artistëve të mëdhenj të Korçës. Në bashkëpunim dhe me ta ka krijuar figura bashkë me kolegët e tij shumë të bukura që edhe sot batutat e tij qarkullojnë nëpër spektatorë.”, tha aktori Petrika Riza.
“Unë kam patur rastin të interpretoj disa role bashkë me të dhe ai shquhej për një interpretim shumë të thjeshtë, shumë natyral. Kishte individualitetin e vet në skenë dhe me të vërtetë sot është një humbje e madhe për teatrin e Korçës edhe për tërë artin shqiptar.”, tha aktori Refik Xhinaku.
Për dimensionin njerëzor dhe kontributin e tij në jetën kulturore foli edhe miku i tij, profesori Arjan Kallço.
“Unë e kisha jo vetëm mik, jo vetëm maestro, por dhe komshi. Kështu që kemi ndarë shumë gjëra. Më tregonte historitë e tij, të roleve, të realizimit të roleve, ndoshta edhe jetën e vështirë që pati kur emigroi në Greqi për të bashkëndarë pastaj me shumë miq të tjerë në një kafe tryeze edhe përshtypjet për aktorët e tjerë të mëdhenj, për të gjithë stafet e kinematografisë, për respektin që ai kishte për aktorët jo vetëm të qytetit tonë, por të gjithë aktorët në përgjithësi.”, tha ai.
Homazhet u organizuan nga Qendra e Artit dhe Kulturës në Korçë, ndërsa drejtoresha e institucionit vlerësoi rolin e Ziçishtit në historinë e teatrit korçar.
“Kinemotografia shqiptare por dhe skena e teatrit të Korçës ka humbur një nga figurat më të rëndësishme të saj. Zhani Ziçishti ishte një figurë e dashur, një figurë e cila skaliti mbi 16 role në kinematografi, por dhe dhjetra role në skenën e teatrit të Korçës.”, tha Blerta Belliu.
Ngushëllime shprehën edhe edhe kryetarët e Bashkisë së Devollit dhe Korçës, Eduard Duro dhe Sotiraq Filo.
Ziçishti numëron mbi 70 role në skenën e teatrit të Korçës.Roli i parë i tij në kinematografi është ai i mësues Agronit në filmin "Lumë drite" në vitin 1970. Gjatë karrierës kinematografike, ai ka interpretuar në filma, si: “Rikonstruksioni”, “Agimet e stinës së madhe”, “Beni ecën vetë”, “Fije që priten”, “Vajzat me kordele të kuqe”, etj.
Komente











