Protestat e nisura që prej një javë përpara godinës së qeverisë, kanë mbajtur një distancë të qartë ndaj grupimeve të mëdha politike në vend

Por Partia Demokratike, qartazi kërkon të mos e lerë t’i ikë nga dora ky moment, kur ajo që gjendet direkt përballë protestuesve është qeveria. Dhe për ta përforcuar këtë përballje të shumicës me manifestimet, ka vendosur të dërgojë në parlament disa prej kërkesave të artikuluara në bulevard.

Shefi i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha të dielën se po kërkojnë shfuqizimin e Ligjit për Investimet Strategjike i shtyrë 6 herë deri më tani dhe që është kërkesa e dytë e protestuesve pas dorëheqjes së qeverisë.

“Paketa jonë e parë për zbatimin e këtyre kushteve fillon me ligjin që simbolizon më shumë se çdo ligj tjetër modelin e favorizimeve, mungesën e konkurrencës dhe zhdukjen e interesit publik: shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike”, shprehet Bardhi.

Në deklaratën e tij, Bardhi shkruan se PD po kërkon tanimë edhe shfuqizmin e ndryshimeve të 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura, edhe kjo një kërkesë e protetsuesve.

“Edi Rama ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura dy vite më parë. Partia Demokratike votoi kundër, sepse e dinim se qëllimi nuk ishte mbrojtja e natyrës, por hapja e rrugës për betonizimin e saj”, thotë Bardhi. 

"Ne do të bëjmë gjithçka për të çuar përpara interesin publik. 
Ky është edhe një rast që Edi Rama të bëjë një hap përpara. Të mos pengojë mazhorancën të mbështesë këto nisma dhe, mbi të gjitha, të gjejë guximin të firmosë kërkesën e vetme që nuk mund ta depozitojmë ne në Parlament: Dorëheqjen e tij", shton ai më tej.

Paketa e Maleve e cila ka shkaktuar debat të gjerë në publik, dhe që është kundërshtuar nga PD që në ideimin e saj do të kërkohet gjithashtu që të shfuqizohet së bashku me ndryshimet për ligjin e trashëgimisë kulturore.

Me datë 26 maj, Partia Demokratike njoftoi se do të paraqesë në Kuvend 3 nisma ligjore që synonin të adresonin sipas saj kushtet që BE ka vendosur shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, dekriminalizimin e plotë të shpifjes ndaj gazetarëve dhe kriminalizimin e pastrimit të parave si vepër penale të veçantë në Kodin Penal.

Dy nismat e fundit, nuk u përmendën sot nga Bardhi. Ato duket se janë zëvendësuar tani me kërkesat e protestuesve.