
Nuk është arma më e fuqishme dhe as më e sofistikuara në botë. Por droni kamikaz Shahed po ndryshon mënyrën si zhvillohen luftërat moderne.
I ndërtuar për të shpërthyer mbi objektivin, ky dron i thjeshtë dhe relativisht i lirë është bërë një nga armët më të përdorura në konfliktet e viteve të fundit. Me krahët në formë trekëndëshi dhe me një zhurmë metalike karakteristike në ajër, ai dallohet lehtë edhe para shpërthimit që vjen kur përplaset me objektivin. Frika që krijon është arma e tij kryesore.
Shahed-i është një mjet relativisht i thjeshtë dhe me kosto të ulët, rreth 50 mijë dollarë. Shpesh është i ngadaltë, por mund të mbajë deri në 50 kilogramë eksploziv. Mund të dëmtojë një ndërtesë të lartë, edhe pse jo gjithmonë ta rrëzojë atë. Me këtë armë, Irani ka goditur në orët e fundit objektiva në Bahrein, Kuvajt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, madje edhe baza ushtarake amerikane dhe europiane si në Qipro.
Historia e këtij droni fillon më shumë se një dekadë më parë në laboratorët e Shahed Aviation Industries Research Center, një kompani iraniane nën kontrollin e Gardës Revolucionare. Irani e përdori fillimisht kundër tankerëve dhe infrastrukturës energjetike saudite, duke shfrytëzuar autonominë e gjatë të fluturimit, navigimin e programuar dhe koston e ulët që lejon sulme në numër të madh.
Nga aty, përhapja e tij ishte e shpejtë. Në janar 2025 Teherani njoftoi se kishte shtuar 1.000 “dronë strategjikë” në flotën e tij. Sipas ekspertëve, Irani mund të ketë sot mes 4.000 dhe 6.000 dronë Shahed.
Që nga viti 2022, këta dronë janë përdorur edhe në Ukrainë, pasi Irani i furnizoi Rusisë. Pamjet e Shahed që fluturojnë natën mbi Kiev dhe qytete të tjera ukrainase, me një zhurmë që shpesh krahasohet me atë të një “motori të zemëruar”, u kthyen në një nga simbolet e luftës.
Moska nuk u mjaftua vetëm t’i përdorte. Rusia i studioi, i kopjoi dhe i modifikoi, duke rritur autonominë, shpejtësinë dhe efektivitetin. Dronët filluan të përdoren në “tufa”, me qindra njësi njëherësh, për të mbingarkuar mbrojtjen ajrore ukrainase dhe për ta detyruar Kievin të përdorë raketa interceptuese që kushtojnë deri në 20 herë më shumë se një Shahed.
Versione të reja si Geran dhe Gerbera u shfaqën me kalimin e kohës. Media perëndimore kanë raportuar edhe për fabrika në Tatarstan të Rusisë, ku prodhohen këta dronë duke përdorur fuqi punëtore me kosto të ulët. Me kalimin e viteve, Rusia i ka përmirësuar më tej, duke rritur madhësinë e kokës luftarake dhe duke shtuar sisteme komunikimi më të avancuara, përfshirë karta Sim LTE dhe rrjete radio mesh.
Raportime nga Lindja e Mesme kanë treguar edhe praninë e komponentëve rusë në dronët iranianë të përdorur në sulme. Në Dubai janë gjetur mbetje të modelit “Geran-2”, ndërsa në bazën e Akrotirit në Qipro është identifikuar një njësi ruse kundër ndërhyrjeve elektronike “Kometa-M” në rrënojat e një droni iranian.
Sipas Vladyslav Vlasiuk, komisioner për sanksionet pranë presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Rusia ka mësuar shumë nga Irani dhe bashkëpunimi mes dy vendeve është bërë i ndërsjellë. Inxhinierë iranianë punojnë në Rusi dhe inxhinierë rusë shkojnë në Iran, ndërsa edhe Kina mund të jetë pranë këtij bashkëpunimi.
Për këtë arsye edhe Shtetet e Bashkuara kanë përshpejtuar programet e tyre. Në Arizona është zhvilluar droni kamikazë Lucas, i prezantuar në Pentagon në vitin 2025 dhe i testuar në luftime pak muaj më vonë.
Dizajni i tij i ngjan qartë Shahed-it. Departamenti amerikan i Mbrojtjes e pranon hapur se është një përgjigje ndaj revolucionit të armëve të lira të nisur nga Irani dhe të përmirësuar nga Rusia. Lucas kushton rreth 35 mijë dollarë, shumë më pak se një dron Reaper, dhe mund të lëshohet edhe nga kamionë të modifikuar.
Shtetet e Bashkuara synojnë kështu të krijojnë një kapacitet industrial të shpejtë dhe fleksibël, të ngjashëm me atë që ka zhvilluar Ukraina, e cila vitet e fundit është kthyer në një laborator të gjallë të inovacionit ushtarak.
Edhe Britania ka njoftuar se do të dërgojë specialistë ukrainas në vendet e Gjirit për të ndihmuar në neutralizimin e dronëve iranianë, një shenjë e qartë e përvojës që Ukraina ka fituar në këtë fushë.
Ndërkohë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka theksuar nevojën urgjente për sisteme mbrojtjeje ajrore. Ai ka propozuar që Ukraina të ndajë dronët e saj interceptues me vendet e Gjirit në këmbim të raketave Patriot PAC-3, që i duhen për të mbrojtur objektivat strategjikë nga raketat balistike ruse.
Për momentin kjo mbetet vetëm një ofertë në tryezë.
Ndërkohë Shahed-i, që lindi si një armë asimetrike për një Iran të izoluar, është kthyer në një element kyç të luftës hibride. Një shenjë se konfliktet e së ardhmes mund të dominohen gjithnjë e më shumë nga “tufa” dronësh të lirë dhe të sakrifikueshëm, të aftë të godasin kudo dhe në çdo moment./CorrieredellaSera
Komente










