Legjenda holandeze e futbollit, Ruud Gullit (tani 63 vjeç), ka lëshuar kritika të forta ndaj futbollit modern, duke deklaruar se ka vendosur të mos ndjekë më ndeshje për shkak të mënyrës se si ka shkuar loja.
Në një reagim pa filtra, ish-lojtari i Holandës dhe i Milanit u shpreh i zhgënjyer nga niveli i spektaklit në fushë.
“Kam vendosur të mos shikoj më futboll. Nuk më pëlqen më sporti ynë. Pashë Arsenal - Chelsea, çfarë ndeshje plehrë”, deklaroi ai.
Gullit argumenton se loja është kthyer në një betejë taktike pa kreativitet, ku mungon individualiteti dhe guximi për të marrë përsipër rrezikun.
“Shikoj lojtarë që përpiqen të fitojnë goditje këndi, që vonojnë rivëniet anësore, shikoj mbledhësit e topave që janë gati t’u japin peshqirë lojtarëve. Futbolli është bërë i tmerrshëm. Shpresoj që të mos jetë ky drejtimi që kemi marrë”, tha ai.
Sipas ish-fituesit të 'Topit të Artë', loja ka humbur spontanitetin dhe magjinë që e karakterizonte më parë. Ai kërkon më shumë driblime dhe më pak fokus te skemat nga goditjet standarde.
“Po pres të shikoj lojtarë që duan ta driblojnë mbrojtësin, dikë si Lamine Yamal. Më mungon gëzimi, nuk argëtohem më kur shoh këtë futboll. Të gjithë kufizohen te fakti që bëjnë detyrën e tyre në fushë. Ku janë dribluesit? Ku janë lojtarët me personalitet? Pse të gjithë pasojnë? Pasime, pasime dhe vetëm pasime!”, përfundoi Gullit, në një deklaratë të mbushur plot me kritika edhe për trajnerët.
Komente







