Nga ‘izolimi’ i Metës, amnistia, tek anti-shpifja, nismat e nxehta ligjore që nuk do miratohen nga Parlamenti aktual 

Nga ‘izolimi’ i Metës, amnistia, tek anti-shpifja, nismat e nxehta ligjore që nuk do miratohen nga Parlamenti aktual 

Mbledhja e konferences se kryetareve

Konferenca e Kryetarëve miratoi dje axhendën e punimeve të Kuvendit deri në 26 mars 2021. Ky program punimesh do të jetë i fundit për këtë Parlament, pasi periudha pas 26 marsit përkon me fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, nga të cilat do të dalë Kuvendi i ri. Nuk janë parashikuar për t’u miratuar brenda këtij sesioni të fundit parlamentar disa nisma të rëndësishme, të cilat kanë prodhuar reagime dhe polemika. Nuk do të miratohet nga ky parlament, madje as nuk ka shkuar në Kuvend, projektligji organik për Presidencën, i cili përcakton kornizat e veprimtarisë së Ilir Metës, i vendos afate dhe rregulla për mandatimin e partisë për formimin e qeverisë, dekretimin e zgjedhjeve, emërimin e ministrave, betimin e gjyqtarëve, nënshtetësinë, dekoratat etj. 

Është depozituar në Kuvend që në muaj korrik të vitit 2020, por nuk do të miratohet në sesionin e fundit parlamentar ligji i shumëdebatuar për amnistinë fiskale. Nisma është kritikuar për rrezikun e legalizimit të parave të posta dhe pasurive të paligjshme. Pas kritikave, nisma është tërhequr nga shumica, ndërsa kryeministri Rama ka pohuar se po merret ekspertizë ndërkombëtare për ta ndryshuar projektligjin. 

Nuk figuron në Kuvend dhe rrjedhimisht nuk do të miratohet nga parlamenti aktual as ligji për rregullimin e medias online, i quajtur ndryshe si anti-shpifja. Paketa anti-shpifje u miratua nga Kuvendi në dhjetor të vitit 2019. Në janar të vitit 2020, u rrëzua me dekret nga Presidenti. Në korrik të vitit 2020, Komisioni i Venecias dha një opinionin kritik për përmbajtjen e paketës. Pas opinionit të Venecias, shumica tha se do të ndryshonte nismën dhe se do të sillte në Kuvend një variant të ri. 

Nuk janë depozituar në Kuvend dhe nuk ka gjasa të miratohet para zgjedhjeve parlamentare as Kodi i ri Penal, i hartuar nga Ministria e Drejtësisë. Në Kodin e ri shtohen rreth 30 vepra të reja penale dhe hiqen 6 vepra në fuqi. Kodi i ri parashikon një dënim me një vit burg për ata që bëjnë montazhe apo meme, pa lejen e personave që janë objekt i memes. Ky parashikim prodhoi reagime të forta. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk ka asnjë shans që të ndalohen memet, duke i dhënë një mesazh ministrisë.

Këto nisma janë lënë në dorë të Kuvendit të ri që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, i cili pritet të nisë punimet në shtator të këtij viti. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Autobiografia e Merkel: Vetëm anëtarësimi në BE sjell paqe në Ballkan

Autobiografia e Merkel: Vetëm anëtarësimi në BE sjell paqe në Ballkan