Nga 1 janari 2027, pikat e kimioterapisë në spitalet rajonale do të lidhen me qendrat shëndetësore, për të mundësuar ndjekjen e vazhdueshme të pacientëve me sëmundje tumorale. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, gjatë një vizite në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Sipas ministres, ky ndryshim do të bëhet i mundur me vënien në funksion të Institutit Kombëtar të Onkologjisë, duke përmirësuar komunikimin mes mjekëve onkologë dhe mjekëve të familjes, në mënyrë që pacientët të marrin kujdesin e nevojshëm në vazhdimësi.
Spahiu theksoi se vëmendje e veçantë do t'u kushtohet pacientëve që jetojnë në zona të largëta, të moshuarve dhe personave që kanë vështirësi në lëvizje, për t'ua lehtësuar aksesin në shërbimet shëndetësore.
"Me Buxhetin 2027 hedhim një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e shërbimeve onkologjike: Nga 1 janari 2027, me vënien në funksion të Institutit Kombëtar të Onkologjisë, do të mundësojmë ndërlidhjen e pikave të kimioterapisë në spitalet rajonale me qendrat shëndetësore, për të garantuar ndjekje të vazhdueshme, kujdes të koordinuar dhe shërbime më pranë pacientëve. Një sistem shëndetësor më i integruar, me pacientin dhe nevojat e tij në qendër të çdo shërbimi" tha Spahiu.
Gjatë vizitës në Spitalin Rajonal të Vlorës, një prej pesë spitaleve ku shërbimi i hemodializës ka kaluar në administrimin e strukturave shtetërore prej 1 nëntorit, ministrja u takua edhe me stafin mjekësor.
Në takim u bë e ditur se gjatë muajit tetor, në ambientet e mamografisë së këtij spitali janë kryer 342 ekzaminime.
Spahiu theksoi se kontrollet parandaluese për kancerin e gjirit duhet të vijojnë gjatë gjithë vitit dhe të mos kufizohen vetëm në muajin e ndërgjegjësimit.









Komente
Komento