Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj, gjatë një takimi me krerët e Policisë së Shtetit, bëri thirrje të për përdorimin e sa më shumë të teknologjisë me qëllim që të mënjanohen takimet apo “negociata” mes drejtuesve të automjeteve të kapur në shkelje dhe oficerit të Policisë.
“Ju keni marrë tashmë detyra dhe ka filluar zbatimi i një koncepti të ri për policimin në rrugët e vendit, i cili nënkupton jo prita e postblloqe në rrugët e tij, por vetëm patrullim të kujdesshëm dhe fokusim vetëm në problemet kryesore. Duhet të vijojë edhe në ditët në vazhdim e në vijueshmërinë e vitit 2019 përdorimi masiv i teknologjisë së monitorimit. Po ashtu duhet të fillojë menjëherë në vitin 2019 dërgimi i gjobave në rrugë postare për të eliminuar në maksimum çdo lloj “debati” apo negociatash midis punonjësve të Policisë Rrugore dhe qytetarëve që kapen në shkelje”, deklaroi Lleshaj.
Ky fenomen, theksoi Lleshaj, duhet të marrë fund dhe të aplikohet ajo praktikë që aplikohet në të gjitha vendet normale ku gjobat dërgohen në rrugë postare dhe punonjësit e policisë nuk hyjnë në negociata, në debate me shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor.